Vizat s’ia ndalin turrin emigrantëve nga Ballkani

veninova

Përderisa kufizimet e ashpra mbi udhëtarët nuk arrijnë t’i pengojnë emigrantët e paligjshëm, çështja e sistemit të vizave po vihet në dyshim.

Nga Eleonora Veninova në Shkup, Beograd, Torino dhe Wiesbaden

E njëjta pamje shfaqet jashtë ambasadave perëndimore në Shkup çdo mëngjes: dhjetëra njerëz që presin me durim vizat për t’i parë të afërmit në Amsterdam, për të çuar eksporte me kamion në Gjermani apo për të takuar partnerin e mundshëm të biznesit në Milano. Disa prej tyre kanë udhëtuar natën për në kryeqytetin maqedonas ose kanë ardhur për herë të dytë ngaqë s’i kanë paraqitur dokumentet e duhura herën e parë.

Edhe pse i paraqesin gjithë dokumentet që kërkohen për të hyrë në zonën Shengen të Bashkimit Evropian (disa thonë të hidhëruar se paraqesin deri edhe numrin e këmbës të aplikantit), nuk ka garanci për sukses. Shtetet e Bashkimit Evropian rezervojnë të drejtën t’ia mohojnë kujtdo vizën.

“Na duhet të shkojmë në Holandë sepse kam motrën sëmurë,” thotë një grua e re që shtrëngon një tufë dokumentesh duke pritur e shqetësuar prindërit. “Thirrëm të caktonim një intervistë por ata na thanë se mund të aplikojmë vetëm pas dy javësh,” shton ajo. “Mund të jetë tepër vonë. Prindërit e mi kanë udhëtuar 90 km prej Kratovos tri herë deri tani dhe më kot …”

Shumë të tjerë që presin në radhë kanë histori të ngjashme. Regjimi i rreptë vendosur nga vendet e Bashkimit Europian mbi të ashtuquajturin “Ballkani Perëndimor” është veçanërisht frustrues për pleqtë, që e kujtojnë kohën kur një pasaportë jugosllave ta garantonte udhëtimin në mbarë botën.

Kontrollet u vunë gjatë viteve 1990 pas shpërthimit të dhunshëm të Jugosllavisë, kur vendet perëndimore kërkuan të ndalonin dallgën e refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm që kërkonin të iknin nga zonat e konfliktit në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Në kaosin që pasoi, rajoni u bë gjithashtu një rrugëkalim i lehtë për bandat kriminale për të kontrabanduar në Bashkimin Evropian njerëz të dëshpëruar për punë dhe jetë më të mirë, që ishte biznes shumë fitimprurës.

Sot, gjendja në rajon është shumë më e qëndrueshme dhe qeveritë po ndërmarrin hapa për t’i plotësuar kërkesat për integrim më të madh me bllokun. Por udhëtimi për në Bashkim Evropian, anëtarët e të cilit tani e rrethojnë krejtësisht Ballkanin Perëndimor, nuk është bërë më i lehtë.

Për shumicën dërrmuese të njerëzve të zakonshëm që duan të lëvizin ligjërisht dhe lirisht, përmirësimi i dokumenteve personale dhe forcimi i kontrolleve kufitare duhet shoqëruar me ulje domethënëse të burokracisë. Ndërkohë, rrjetet e sofistikuara kriminale dhe kërkesa e lartë për punë të lirë në Bashkimin Evropian i mbajnë rrugët ilegale të hapura.

Udhëtimi i Rizait

Merr Rizaun, boshnjak tridhjetenjëvjeçar nga qyteti i Beranit në Mal të Zi. Ai iku nga Jugosllavia më 1999 për të shmangur përfshirjen në ushtrinë serbe gjatë konfliktit në Kosovë, një konflikt të cilit ai nuk ndjente se i përkiste.

Duke u nisur me një grup prej dhjetë vetash nga republika të ndryshme të ish-Jugosllavisë, me të vetmen gjë të përbashkët vendosmërinë për t’i shpëtuar vendit të tyre të copëtuar, ai udhëtoi së pari për në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, ku aplikoi për status refugjati në Gjermani. Mbas një muaji vizitash të pafrytshme në ambasadë, ai u takua me trafikantë njerëzish dhe i pagoi për ta çuar në Bashkimin Evropian.

“Udhëtuam pothuajse një javë, kryesisht me autobus dhe kamionë të ndryshëm përmes Bosnjës, Kroacisë dhe Sllovenisë,” kujton Rizai. “Fjetëm në çadra të improvizuara të fshehura në pyje ose nganjëherë në kamion. Pas orësh të tëra ecjeje në këmbë, kaluam kufirin me Italinë përmes pyjeve”.

Trafikantët i lanë atë dhe shokët e tij afër Venecias, ku ai dhe dy të tjerë paguan një taksi për t’i çuar në Milano, prej ku morën trenin për Lion, Francë, destinacioni i tyre i preferuar.

Por policia franceze i kapi në tren dhe i ktheu mbrapsht në Itali. Rizai u përpoq edhe një herë të shkonte në Francë me tren nga Italia, por mandej u tërhoq nga ideja e Francës dhe një i njohur e mori në Milano dhe e çoi me makinë në Frankfurt. Në Gjermani pati më shumë sukses. Sot, ai jeton me të shoqen dhe një fëmijë në Wiesbaden, ku ka marrë status qëndrimi të përhershëm.

Me Rizain u bashkua një mik i tij, Edin Beganović, boshnjak malazez edhe ky nga Berani. Edini iku nga shtëpia më 1992 kur ishte veç 18 vjeç me 1,000 marka gjermane në xhep (500 euro) që ia vodhi të atit dhe me pasaportën e të vëllait. Ai hyri në Gjermani ilegalisht përmes Republikës Çeke para se të mbërrinte në Wiesbaden, ku të afërmit e ndihmuan të vendoset.

Historitë e këtyre dy burrave janë tipike të më shumë se 23,600 njerëzve nga Serbia dhe Mali i Zi që hynë në Gjermani ilegalisht mes viteve 1998 dhe 1999.

Sipas Zyrës për Emigrim dhe Refugjatë të Gjermanisë, numri i emigrantëve të paligjshëm të regjistruar në Gjermani është tani rreth 100,000, shumë më poshtë se pika më e lartë gjatë konflikteve jugosllave të viteve 1990. Në vitin 2003, policia gjermane regjistroi vetëm 2,573 emigrantë të paligjshëm nga Ballkani Perëndimor.

Por kjo shifër zyrtare ndoshta nuk përfshin numrin e vërtetë të emigrantëve të paligjshëm që ende lëvizin çdo vit nga Ballkani në Gjermani, shumë nga të cilët nuk kapen kurrë, as nuk vërehen nga autoritetet e as nuk regjistrohen.

Të pamundur të hyjnë ligjërisht në Evropën Perëndimore, një rrjedhë e qëndrueshme njerëzish nga Ballkani i drejtohet vendeve perëndimore çdo vit, duke përdorur kanale “alternative” kriminale për të arritur në destinacion e për të gjetur punë.

Armë e dobishme kundër emigrimit të paligjshëm?

Qeveritë e Bashkimit Europian ngulin këmbë që regjimi aktual i shtërnguar i vizave, ndërkohë që nuk është aspak i përkryer, i shërben një qëllimi. Kufijtë e pasigurtë të shteteve ballkanike, sistemet pak të reformuara gjyqësore dhe korrupsioni i tyre endemik janë argumente që e bëjnë kontrollin e rreptë të lëvizjes së njerëzve nga rajoni në Bashkimin Europian të nevojshëm, thonë zyrtarët.

Por numri i madh i emigrantëve të paligjshëm nga Ballkani, por edhe nga vendet e tjera, i ka bërë disa ekspertë të emigrimit ta vënë në dyshim vlerën e regjimit të ashpër të vizave.

Ata shtjellojnë që vizat dhe politikat e ashpra të emigrimit nuk kanë mundur ta ulin dukurinë e emigrimit të paligjshëm dhe vetëm sa ndihmojnë grupet e trafikimit. Ata thonë se në fakt regjimi i tanishëm i shpërblen ata që shkojnë në vendet e Bashkimit Europian ilegalisht, ndërsa ia bën më të vështirë vizitorëve të ligjshëm të marrin lejen e hyrjes.

“Nuk ka dëshmi që regjimi i vizave ka ndonjë përfitim, sepse vizat nuk e pengojnë emigrimin,” thotë Rainhart Kloucek i Bashkimit Pan-Europian të Austrisë me qendër në Vjenë.

“Ajo që kemi krijuar me të ashtuquajturin kufi Shengen, është një Perde Hekuri e re, megjithëse paisjet teknike që kontrollojnë kufirin Shengen janë shumë më të mira se ato që kontrollonin Perden e vjetër.”

Lorenzo Trucco nga Shoqata për Studimin Ligjor të Emigrimit në Torino, që i jep asistencë ligjore emigrantëve në Itali, pajtohet me këtë. Ai i vë në dyshim “teoritë e pushtimit nga Europa Lindore, nëse do të hiqen vizat”, duke mëtuar se nëse njerëzve u jepet liria të vijnë e të shkojnë sipas dëshirës, “ata nuk do të vijnë ilegalisht”.

Mundësia e gjetjes së një pune relativisht lehtë është sigurisht nxitës i madh për të rinjtë nga shtetet më të varfëra të Ballkanit për t’u përpjekur ta gjejnë fatin në Perëndim, me ose pa dokumenta të rregullta.

Sipas Rizasë dhe Edinit, emigrantët e paligjshëm rrinë bashkë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin në vendin e ri. “Gjetja e një pune në tregun e zi s’është e lehtë, ngaqë të duhet të njohësh njerëz,” shpjegon Edini. “Zakonisht janë ‘njerëzit tanë’ [ish-jugosllavë] që jetojnë këtu ligjërisht që na ofrojnë punë, gjermanët shumë rrallë.”

Do bëjmë punët që s’doni t’i bëni ju

Punët që bëhen nga emigrantët zakonisht janë ato që vendasit nuk duan t’i bëjnë. Shumica punojnë në ndërtim, shërbimin e brendshëm, bujqësi dhe fabrika. Për gratë, zgjedhjet janë më të pakta. Shpesh, shkon puna “të punohet si kamariere ose si prostituta”, mëton Edini.

Policia gjermane e emigrimit ka dy pika fokusi. Ajo përqendrohet së pari në kontrollin e rreptë të kufijve kombëtare, me kontrolle të shpeshta në trena, stacione, porte e aeroporte, dhe së dyti tek punëdhënësit, duke punuar t’i pengojnë në punësimin e emigrantëve të paligjshëm.

Por Edini thotë se shumë punëdhënës i shmangen lehtë kësaj forme mbikqyrjeje. Ka shpesh një marrveshje për rastet kur shkon puna keq, dhe policia mashtrohet. “Marrveshja është që nëse të kapin, s’do ta tregosh atë si punëdhënës, por do të shpikësh një bos tjetër, dikë që s’ekziston,” shpjegon ai.

Holk Stobbe i Zoom-it, shoqatë që monitoron politikat e punësimit në Gjermani, thotë se synimet zyrtare për t’i penalizuar punëdhënësit që punësojnë emigrantë të paligjshëm janë shpesh të kota. “Kërkesa për punëtorë emigrantë do të bjerë kur atyre… t’u jepen të njëjtat të drejta pune… dhe privilegje tarifore si punëtorët e tjerë,” shprehet ai.

Së fundmi, Komisioni Europian miratoi një propozim për të penalizuar punëdhënësit që përdorin shtetas të huaj. Por Stobbe thotë se edhe kjo lëvizje do të jetë e padobishme. “Arsyet pse njerëzit emigrojnë vazhdojnë të ekzistojnë, pavarësisht se a ka sanksione kundër punëdhënësve apo jo,” shtjellon ai. “Kontrollet e shtuara vetëm sa do ta rrisin trysninë që punëtorët pa dokumenta të punojnë për rroga të ulëta në punë të këqija.”

Ndërsa shumica e kërkuesve për punë të rinj nga Ballkani tradicionalisht janë përpjekur të shkojnë në Gjermani dhe Austri, një pakicë gjithnjë në rritje po i drejtohet vendeve mesdhetare si Italia dhe Spanja, të tërhequr nga ekonomitë e tyre në rritje dhe politikat më liberale ndaj emigrantëve.

Italia, Spanja dhe Portugalia i kanë pasur të trija fushatat e legalizimit në intervale të rregullta, sipas të cilave disa kategori emigrantësh kanë qenë në gjendje të marrin ose të drejtën e përhershme të qëndrimit, ose shtetësinë.

Shqiptarët i janë drejtuar prej kohësh Italisë, kryesisht për shkak të afërsisë gjeografike, dhe përbëjnë një përqindje të madhe prej 200,000 vetash nga 800,000 emigrantë të paligjshëm që ka sot atje, (sipas shifrave të Komisionit Europian të majit 2007). Rreth 12,000 shqiptarë shkojnë aty për çdo vit. Për krahasim, vendet e ish-Jugosllavisë kanë rreth 3,600 emigrantë në vit në Itali.

Krahasuar me shumë vende të tjera europiane, Italia është relativisht tolerante kundrejt të ardhurve dhe publiku përgjithësisht ka mendim pozitiv për efektin e tyre në ekonomi. Sipas një ligji të vitit 2002, është vendosur një sistem kuotash që ia mundëson mijëra emigrantëve të paligjshëm ta rregullojnë statusin çdo vit, nëse mund të tregojnë se kanë punë të sigurtë në një firmë italiane.

Gjithsesi, Michele Curto nga Terra del Fuoco, organizatë që punon me emigrantët, ngul këmbë që masat italiane janë më pak bujare nga ç’tingëllojnë, ai thotë se vetëm pak emigrantë janë në gjendje të provojnë se kanë punë të rregullt. Sa i përket atyre që kërkojnë të hyjnë në vend, ata nuk përfitojnë aspak nga sistemi i kuotave. “Si mund ta gjejnë një punë njerëzit nga Afrika këtu kur nuk ka mundësi [për të kërkuar punë] përmes ambasadave tona?” pyet ai.

Curto thotë se me sistemin abuzohet në shkallë të gjerë, ku punëdhënësit pretendojnë se u ofrojnë punë emigrantëve që jetojnë jashtë në një kohë kur ata emigrantë potencialë janë duke punuar në Itali prej disa vitesh.

“Këta emigrantë të paligjshëm duhet të kthehen në vendet e tyre, që t’i bëjnë dokumentat e nevojshme atje,” shpjegon Curto. “Mbasi t’i përgatisin, atëherë aplikojnë përsëri për viza dhe leje punë në Itali, sikur nuk kanë punuar kurrë në Itali më përpara!”

Trafikantët – të plagosur, por gjallë

Për të pasur heqje vizash me Bashkimin Europian, qeveritë e Ballkanit Perëndimor e dinë se duhet të bëjnë më shumë për t’i siguruar kufijtë dhe të luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar.

Të gjithave u është dashur të nënshkruajnë marrveshje ripranimi, të përdorin sisteme të integruara kontrolli kufitar, të japin letërnjoftime biometrike, t’i rregullojnë ligjet për të huajt e azilin dhe t’i përafrojnë politikat e vizave me ato të Bashkimit Europian. Përveç këtyre kërkesave të veçanta, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të bëjnë përparim të mjaftë në fushën e sundimit të ligjit, reformës juridike dhe luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Vendet në rajon janë të gjitha në shkallë të ndryshme në këtë përpjekje. Maqedonia ishte e para që nisi lëshimin e pasaportave biometrike në prill, për shembull, por ende nuk ka ngritur një sistem të integruar kontrolli kufitar.

Serbia është shumë mbrapa Maqedonisë, megjithëse roli i saj si dembeli i rajonit i ka sjellë disa përfitime. “Ngaqë Serbia ishte vendi i fundit që i nisi këto negociata [për lehtësimin e vizave], ajo ka mësuar nga përvoja e vendeve të tjera në rajon,” thotë Ivana Đurić e zyrës së Bashkimit Evropian pranë qeverisë serbe.

Nga këto vende pritet gjithashtu që të tregojnë rezultate konkrete në uljen e përpjekjeve të trafikantëve të njerëzve që sjellin emigrantë nga Lindja e Mesme në Evropën Perëndimore përmes Ballkanit. Në Maqedoni janë kryer dy çështje madhore gjyqësore që përfshinin trafikimin e emigrantëve këtë vit, duke u dënuar 65 njerëz me 260 vjet gjithsej burgim.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigrimin, IOM, zyra në Maqedoni, numri i njerëzve që kalohen përmes vendit në vitet e fundit ka rënë. Që nga viti 2000, IOM-i ka regjistruar gjithsej 771 raste trafikimi njerëzor në Maqedoni. Numri më i madh i rasteve ishte në vitin 2001, por më 2005 u regjistrua rekordi kur pati vetëm katër viktima të regjistruara.

Por me gjithë pengesat e fundit, bandat e trafikimit mbesin aktive, falë formës së tyre tepër të suksesshme të bashkëpunimit ndërkufitar. Sipas Rizait: “Një person lokal në secilin vend përgjigjet për pjesën e tij në itinerar. Ata janë të koordinuar dhe kanë bashkëpunim të përkryer; nuk ka probleme kombësie, etnie apo ndonjë gjë tjetër. Paraja është ajo që ka rëndësi.”

Të hollat janë vërtet motori që vë në lëvizje këtë industri elastike. Edini rikujton që në vitet 1990, emigrantët e paligjshëm paguanin secili rreth 500 marka gjermane, afro 250 euro, për t’i çuar nga ish-Jugosllavia në Bashkimin Evropian. “Shumë njerëz e bënë këtë në atë kohë, kryesisht shqiptarë dhe serbë,” shton ai. “Unë për vete, bile, transportova njerëz nga Republika Çeke në Austri përmes pyjeve për një muaj,” vazhdon Edini.

Pagesat për marrjen e dokumenteve të falsifikuara janë tepër të larta. Agjentët kërkojnë prej disa qindra eurove, deri edhe 3,000 euro për një pasaportë të falsifikuar të Bashkimit Evropian, vizë Shengen ose dokument udhëtimi të Bashkimit Evropian. “Agjentët zakonisht marrin një foto, e skanojnë dhe e zëvendësojnë në një pasaportë me vizë Shengen,” tregon një ish-polic aeroporti nga Shkupi. “Zakonisht përdorin nja dy emra gjithmonë dhe policia e aeroportit i njeh por janë gjithashtu të përfshirë [në trafikim], kështu që i lënë të kalojnë”, vazhdon ai.

“Polici merr një thirrje për të lënë dikë të kalojë në një ditë të caktuar. Ditën tjetër, ai merr pagesën, që mund të jetë deri në 700 ose 800 euro. Mandej, ajo ndahet mes oficerëve të lartë dhe komandantëve. Secili merr hisen e vet.”

Edini kujton që ka blerë një pasaportë sllovene false, letërnjoftim dhe patentë makine për afro 800 euro në Serbi, që i përdori për të shkuar në Gjermani nga Greqia, duke e zgjedhur këtë të fundit si pikën e sulmit “ngaqë është më e sigurt kështu: nuk kanë kontrolle të forta në Greqi siç i kanë në vendet e tjera të Bashkimit Evropian”. Ai udhëtoi me makinë në Selanik dhe mori avionin për Frankfurt duke përdorur pasaportën e tij të re sllovene.

Udhëtimi me avion me dokumente udhëtimi të falsifikuara është mënyra “më e pastër” e hyrjes në Bashkimin Evropian ligjërisht. Pikat kufitare tokësore janë më të lira por më të pasigurta dhe zakonisht përdoren nga trafikantët dhe kontrabanduesit për të sjellë emigrantët nga vendet e lindjes si Kurdistani, India dhe Kina. Shumica e këtyre të fundit mashtrohen nga trafikuesit dhe përfundojnë të punojnë nja dy-tre vjet në Shqipëri ose Maqedoni para se të shkojnë në Bashkimin Evropian, sipas Kire Todorovski të Komisionit të Luftës kundër Trafikimit dhe Emigrimit të Paligjshëm të qeverisë maqedonase.

“Atyre u duhet të paguajnë për transportin, kështu që u duhet të punojnë për trafikuesit duke fituar veç sa për mbijetesë,” shton ai.

S’duam viza “më të lehta”, faleminderit

Në shtator 2007, Komisioni Evropian nënshkroi një marrëveshje për lehtësim vizash me Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë. Të përvijuara për të hyrë në fuqi në janar 2008, kjo do ta bëjë më të lehtë për disa kategori njerëzish të marrin vizë, përfshi viza afatgjata, me shumë kalime, për në Bashkimin Evropian.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do t’i japë Komisionit një rast për të nisur dialogun për regjimet e mundshme pa viza për qytetarët e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen”, tha Franco Frattini, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Drejtësinë, Punët e Brendshme dhe Sigurinë, pas ceremonisë së nënshkrimit në Bruksel.

Ndërsa ky është lajm i mirë për rajonin, Ditmir Bushati, ekspert shqiptar në ligjin ndërkombëtar në Tiranë, paralajmëron se ndryshimi nuk është edhe aq i madh sa ç’duket. Bushati tregon se ka dallim “mes lehtësimit të procedurave për dhënien e vizave dhe liberalizimit të vërtetë”. Ajo çka po u ofrohet një pakice fatlume nga Ballkani Perëndimor është qasje më e lehtë për viza, jo heqja e tyre.

Agneza Rusi, e ngarkuar për çështjet e Bashkimit Evropian në ministrinë e jashtme maqedonase, thotë se ndërsa shtetet ballkanike, përfshirë Maqedoninë, duhet të punojnë më fort për t’i plotësuar kushtet e Bashkimit Evropian, ata s’duhet të pranojnë procedura më të lehta vizash si shpërblim përfundimtar. “Lehtësimi për ne është veç një fazë transitore, ne duam liberalizimin e vizave,” thekson ajo.

“Ballkani dhe veçanërisht Maqedonia nuk është kërcënim për Evropën Perëndimore,” shton Rusi. “Ne jemi në fund të listës për emigrimin e paligjshëm dhe azilin. Do të përpiqemi t’u shpjegojmë atyre [Bashkimit Evropian] se frikët e tyre janë jo-reale, që ne nuk jemi kërcënim dhe t’i tregojmë sa frustruese është për të rinjtë që s’mund të udhëtojnë askund.”

Doris Pack, anëtare e Parlamentit Evropian dhe specialiste e Ballkanit, pajtohet me këtë. Ajo e përshkruan regjimin e vizave, veçanërisht kur ai zbatohet mbi Ballkanin, si kundër-produktiv, edhe për rajonin edhe për Evropën. “Ai i pengon qytetarët e thjeshtë të shkojnë në Bashkimin Evropian dhe ndërton një lloj muri rreth tij,” thotë Pack, duke shtuar se ia mohon gjithashtu të rinjve jashtë “murit” shansin e formimit të ndonjë perspektive në Bashkimin Evropian.

“Pothuajse 80 për qind e të rinjve në Evropën Juglindore s’kanë qenë kurrë në Bashkimin Evropian, kështu që si mund ta kenë një vizion evropian?”