Adriatiku gjelbërohet nga algat që i nxinë fytyrën shteteve përreth
Një re e dendur algash po pengon vullnetin e vendeve për të punuar së bashku në shpëtimin e trashëgimisë detare dhe industrive turistike të tyre.
Nga Bojana Stanišić në Podgoricë, Kotorr, Dubrovnik, Split, Mljet, Bari, Ankonë, Romë dhe Pizë
Ujërat e pastra të Adriatikut kanë qenë prej kohësh krenaria e vendeve me brigje që lageshin prej tij. Të kaltra në ngjyrë dhe shumë më të pastra sesa ato mesdhetare, këto ujëra janë shumë tërheqëse për një numër gjithnjë e më të madh të huajsh që kalojnë pushimet në Slloveni, Kroaci, Mal të Zi dhe tash së fundi në Shqipëri. Me rënien e industrisë së rëndë në përgjithësi, këto ujëra paraqesin një aset të çmuar ekonomik.
Tani, ato përballen me një rrezik të ri. Vit pas viti, një predator i bezdisshëm nënujor po përparon si hije, duke trazuar ndërkohë mjedisin ujor dhe duke i kthyer rërën e pastër dhe shtretërit e gurtë në qilima të trashë leshterikësh jeshilë.
Gjendja e ujërave një herë e një kohë të pastra të ishullit ligurin të Elbës është një paralajmërim i zymtë se çka duhet të presë Adriatiku. Me shtretër mbresëlënës koralesh e molusqesh, ishin një parajsë e vërtetë për zhytësit. “Sot, askush nuk kuturis atje për t’u zhytë,” vajton profesor Francesco Cinelli, biolog detar në Universitetin e Pizës, duke i hedhur sytë nga uji në fshatin Marina di Pisa. “Deti është mbuluar nga një qilim jeshil”, shpjegon ai.
Profesor Cinelli po flet për Caulerpa Racemosa, një algë pushtuese që është përhapur si flakë e tërbuar në Mesdhe dhe tani e kërcënon Adriatikun me të njëjtën gjë.
Alga nuk është veç e shëmtuar. Duke formuar koloni të dendura mbi të gjitha llojet e shtratit të detit, në ujëra të pastra e të pista, ajo i ndryshon veçoritë e habitatit të ri të saj, duke zvogëluar dramatikisht larminë dhe bollëkun e faunës tjetër nënujore. Duke u rritur shpejt në të gjitha sipërfaqet në ujë të ftohtë e të ngrohtë, ajo bllokon dritën e diellit për të cilën kanë nevojë bimët më të vogla nënujore, duke shkaktuar vdekjen e tyre. Përveç kësaj, alga lëshon lëndë alkaloide që i vrasin të gjitha organizmat në afërsi të saj. Duke shkatërruar florën rivale ndërkohë që pushton shtratin e detit, ajo gjithashtu gjymton mbijetesën e peshqve dhe molusqeve që ushqehen me bimë të tjera nënujore, ose që kërkojnë rërë apo shkëmb të thatë për habitat. Veçanërisht të rrezikuar janë shojzat dhe peshqit merimangë, ngaqë ato kërkojnë shtretër deti me rërë.
“Kur Caulerpa e mbulon shtratin e detit si qilim, ato specie humbin habitatin e tyre natyror,” thotë Ante Žuljević i Institutit për Oqeanografinë dhe Peshkimin në Split, Kroaci. Përhapja e algës në pjesën tjetër të Adriatikut dhe Mesdhe, prandaj, do t’i zbrazë ekonomikisht stoqet ekonomikisht të qëndrueshme të peshkut si dhe do t’i largojë zhytësit e turistët. Deti i njohur për specie të panumërta peshqish dhe për bukurinë e peizazhit nënujor mund të kthehet në shkretëtirë monotone nënujore.
Shkencëtarët thonë se nëse qeveritë në Itali, Slloveni, Kroaci, Mal të Zi dhe Shqipëri nuk marrin veprime të përbashkëta për ta zhdukur këtë sherrxhi, ka gjasa që alga të përhapet jashtë kontrollit të tyre. Prapëseprapë, në dritën e natyrës serioze të kërcënimit, qeveritë në rajonin e Adriatikut deri tani nuk kanë treguar shenja bashkëpunimi, as nuk kanë kërkuar aktivisht këshilla nga vendet e Bashkimit Evropian si Franca, Italia dhe Spanja, të cilat tashmë janë marrë me këtë problem dhe kanë punuar bashkërisht për ta kufizuar dëmin.
Po vjen te deti yt
Ekzistenca e Caulerpa Racemosa në Mesdhe u vu re afërsisht 80 vjet më parë. Specie tropikale me origjinë nga Deti i Kuq, ajo erdhi përmes Kanalit të Suezit në fillim të viteve 1930 dhe pak nga pak pushtoi më se 50,000 hektarë shtrat deti. Përcaktuar nga Komisioni Evropian si kërcënim serioz për biodiversitetin detar afro dhjetë vjet më parë, ajo qysh atëherë ka përparuar përgjatë Mesdheut në Adriatik me shpejtësi gjithnjë e më të madhe.
Pas shfaqjes fillestare në Libi rreth 20 vjet më parë, ajo lëvizi në ujërat bregdetare të vendeve të tjera mesdhetare nëpërmjet rrymave të detit. Njeriu pa dashje i transportoi këto autostopiste ujore përmes fundeve të anijeve, ankorave të tyre dhe rrjetave të peshkimit e pajisjeve të zhytjes. Çdo herë që një barkë “e infektuar” ankorohej ose shkarkonte ujëra në portin ku ndalonte, algat binin dhe gjenin habitat të ri.
Duke arritur vonë në Adriatik, Caulerpa Racemosa, veç në tre vitet e fundit, është përhapur në ujërat malazeze nga dy në tete vende. Zona më e infektuar është rreth gadishullit Lustica në hyrje të Gjirit të Kotorrit, ku algat janë shpërhapë në mbi dy kilometra katrorë. Dy pika të nxehta të reja u zbuluan aty dhe në afërsi të pikës turistike të Budvës, në jug të Kotorrit. Në fund të gushtit, u llogarit që alga mbulonte gjithsej mbi katër hektarë të shtratit ujor të Malit të Zi.
Në Kroaci, goditja ishte më e rëndë. Pasi u shfaq së pari afër Pakleni Otoci, grup ishujsh në Dalmacinë qendrore, janë infektuar gjithsej 54 vende. Është raportuar së fundmi edhe në ujërat rreth ishullit Mljet, park kombëtar i detit blu të të cilit janë tepër tërheqëse për vizitorët.
Fakti se algat nuk kanë armiq natyrorë në Mesdhe ka ndihmuar në përhapjen e tyre. Këtë gjë ka bërë edhe ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm për seriozitetin e çështjes. Mbasi ishte shfaqur, Franca, Italia dhe Spanja nuk ia vunë fort veshin, por kur e kuptuan natyrën e kërcënimit ishte tepër, tepër vonë.
Sot, ujërat rreth Elbës nuk janë të vetmet që vuajnë nga infektimi masiv. Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur me shtratin e detit në Monako, në Cote D’Azur, sipas Thierry Thibeau, kërkues nga Universiteti i Nicës. Atje, algat kanë shuar florën dhe faunën rivale. “Zhytësit s’duan të shkojnë poshtë rreth Monakos ngaqë atje ka vetëm një qilim jeshil me Caulerpa tashmë,” mëton Thibeau.
Kundërgoditja: s’ka filluar ende
Ndërkohë që zhdukja e plotë e algës nuk është më propozim praktik, shkencëtarët besojnë se përhapja e saj mund të ngadalësohet përmes zbatimit të përbashkët të direktivave Evropiane që ndalojnë ankorimin, peshkimin dhe zhytjen në zonat e infektuara.
Ndërgjegjësimi i vonë për problemin, ndërkohë, i ka frikësuar vendet mesdhetare që po punojnë bashkërisht për të mbrojtur zonat detare me rëndësi kyç sa i përket biodiversitetit, peshkimit dhe zhvillimit të turizmit. Spanja, Franca dhe Qiproja po ndërmarrin projekte të përbashkëta kërkimesh e po ndajnë mënjanë fonde për të hetuar strategjitë e zhdukjes dhe për të përcaktuar shtrirjen e problemit.
Nuk ka shenja bashkëpunimi të ngjashëm kundër algës mes vendeve ballkanike përgjatë bregut të Adriatikut, që ekspertët ia veshin mungesës së kapacitetit administrativ, mungesave të fondeve dhe dështimit në harmonizimin e legjislacionit vendor me ligjin Evropian.
Kuvendi i Malit të Zi, për shembull, ende duhet të miratojë rregulloret themelore të nevojshme mbi menaxhimin detar në formën e një ligji për mbrojtjen e mjedisit, megjithëse mendohet se një i tillë do të futet në forcë në fund të këtij viti.
Institutet kombëtare për biologjinë detare të rajonit të Adriatikut filluan të shkëmbenin informacion për problemet e përbashkëta nja dy vjet më parë, por qeveritë nuk kanë ecur me këtë hap. Ato s’e kanë shpallur zhdukjen e Caulerpa përparësi, për shembull, dhe nuk tregojnë shenja se kanë ndër mend ta bëjnë.
Arsyet për mungesën e tanishme të bashkëpunimit politik mes vendeve në rajon shkojnë nga ndarjet politike tek një mungesë e ndërgjegjësimit të vërtetë të madhësisë së çështjes. Luftërat në Ballkan në vitet 1990 kanë pasur një impakt të gjatë negativ, duke ngadalësuar rrjedhjen e informacionit mes shteteve të veçanta veçanërisht mes Malit të Zi dhe Kroacisë, ndërsa Shqipëria veç sa po del nga vite të tëra vetizolimi.
Por Evropa kërkon veprim të përbashkët. “Veprimet e koordinuara të shteteve të prekura ose me gjasë për t’u prekur nga Caulerpa rekomandohen fort, veçanërisht sa i përket miratimit të strategjive të përbashkëta,” rekomandoi Këshilli i Evropës qysh më 1995.
Më së fundmi, krahu i zhvillimit i OKB-së, UNDP-ja, i kërkoi gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor të rrisnin përkushtimin e tyre dhe të ndërmerrnin një qasje më të përbashkuar për zgjidhjen e problemeve mjedisore përgjithësisht. Në një raport të lëshuar këtë tetor, ajo bëri një lidhje të qartë mes përparimit në këtë fushë dhe integrimit të mëtejmë Evropian.
Shkencëtarët që punojnë mbi kërcënimin e algës pajtohen që shtetet e Adriatikut s’mund ta zgjidhin problemin të veçuara. Roberto Danovaro i departamentit të Shkencës Detare në Universitetin Marche në Ankonë të Italisë, thotë se bashkëpunimi rajonal dhe Evropian është thelbësor. “Do të ishte shumë idiotike të diskutoheshin çështjet detare vetëm në nivel vendor,” thotë Danovaro. “Duhet të kemi një politikë të përbashkët lidhur me detin.”
Përfaqësuesit e sektorit joqeveritar pajtohen. “Do të ishte e pakuptimtë nëse njëri nga këto gjashtë shtete merret me këtë problem kurse të tjerët s’bëjnë asgjë,” thotë Maria Rapini e grupit mjedisor të Romës Marevivo. “Ndoshta ata mund ta zhdukin, por vetëm përkohësisht, ngaqë ajo do të kthehet përsëri, ndoshta nga Shqipëria ose Mali i Zi.”
Edhe Gianni Guarieri, ish-këshilltar mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të ministrisë mjedisore italiane, beson se “Adriatiku kërkon projekte të përbashkëta”. Ai ndriçon nevojën e krijimit të rezervave detare bashkërisht të mbrojtura. “Çdo bashki [detare] duhet të përcaktojë një nga këto zona,” shton Guarieri. “Ato duhet të zotërojnë pasuri biologjike dhe të jenë tërheqëse, kështu që popullsia që jeton në afërsi të mund të përfitojë nga kjo.”
Riviera e Malit të Zi e kërcënuar
Veslo Cove, në hyrje të Gjirit të Kotorrit, shihet gjerësisht si perla e bregdetit malazez, një aset kyç për biznesin e turizmit mbi të cilin varet gjithnjë e më shumë republika e pavarësuar tash vonë për përparimin e saj të ardhshëm. Por gjendja nënujore është alarmuese sepse është si ajo rreth Elbës, sipas Vesna Mačić të Institutit malazez për Biologjinë Detare. Ajo thotë se Caulerpa tashmë po i gëlltit në masë molusqet vendore dhe algat e tjera.
Të dhëna të sakta se si po e ndryshon alga biodiversitetin e ujërave malazeze nuk ekzistojnë, ngaqë ekspertët detarë të Malit të Zi nuk kanë të dhëna se cilat specie banonin në ujëra para se të shfaqej kjo algë.
Qeveria ka investuar vetëm shuma të vogla në zgjidhjen e problemit të algës: 10,000 euro në tre vitet e shkuara. Për krahasim, Kroacia ka rezervuar rreth 135,000 euro çdo vit për të njëjtin qëllim ndërsa Franca harxhon 50,000 euro në vit vetëm mbi hartimin e shtrirjes së Caulerpa.
Mali i Zi e justifikon shumën e vogël që ka bërë të mundur për kërkime duke mëtuar se zonat e infektuara me algën nuk janë ende alarmuese. Sipas Siniša Stanković të departamentit të mjedisit të ministrisë së turizmit, nuk ka kuptim të harxhohen para në një problem që nuk zgjidhet. “Nëse do ta dinim se cilat mënyra do ta zhduknin algën, askush nuk do t’i kursente paratë për këtë,” thotë ai. “Por gjithë çka mund të bëjnë metodat e njohura deri tani është kufizimi i përhapjes së saj.”
Mali i Zi është vend i vogël, relativisht i varfër, dhe e ka politikisht të vështirë ta justifikojë caktimin e fondeve për mbrojtje mjedisore nga buxheti i tij i kufizuar. Ç’është më e dyshimta, ai nuk përfiton si duhet nga fondet e para-asociimit në Bashkimin Evropian që janë ndarë për këtë qëllim – sipas Stanković-it kjo ndodh për shkak se ai nuk ka kapacitet administrativ të përgatisë dhe të zbatojë projekte të tilla sipas standardeve Evropiane.
Stanković-i thotë se qeveria malazeze planifikon ta fitojë kohën e humbur duke marrë pjesë në një projekt të ri për mbrojtjen detare mbështetë nga Banka Botërore, Shërbimi i Mjedisit Botëror, mekanizëm që ndihmon vendet në zhvillim të financojnë projekte që mbrojnë mjedisin botëror, si dhe nga UNEP/MAP, program mjedisor i OKB-së për Mesdheun.
“Kemi caktuar 150,000 dollarë [afërsisht 107,000 euro] për qëllimet e mbrojtjes së jetës nënujore për pesë vitet e ardhshme,” mëton Stanković, duke shtuar: “Një pjesë e parave do të shpenzohen për zhdukjen e Caulerpa.”
Kompania shtetërore malazeze, Morsko Dobro, që menaxhon zonat detare të republikës, ka ndërmarrë gjithashtu hapat e parë drejt njoftimit të publikut për rrezikun që shkaktohet nga alga, duke shtypur dhe shpërndarë broshura. Aleksandra Ivanović, që punon për fushatën, thotë se qysh nga viti 2005 kompania ka financuar veprimtari monitorimi dhe përpjekjet për ta ndaluar përhapjen e algës në ujërat rreth Budvës, duke përdorë letra varaku që bllokojnë dritën e diellit e cila u nevojitet algave për të jetuar.
Por shumat që ka shpenzuar ajo mbi këto veprimtari, deri tani janë minimale, vetëm 5,000 euro.
Ku mbet ‘shteti ekologjik’?
Me gjithë integrimin gjithnjë e më të shpejtë në Bashkimin Evropian, Mali i Zi për çudi ka bërë pak për të jetësuar ligje që luftojnë speciet pushtuese detare, edhe pse ato përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ligjit mjedisor të Bashkimit. Fakti se Brukseli e pranoi çështjen si përparësi në Planin e Gjashtë të Veprimit të Mbrojtjes së Mjedisit të tij, miratuar më 2002, tregon se sa i shqetësuar është ai me këtë problem. Në komunikatën e tij të shtatorit 2006, Ndalimi i humbjes së biodiversitetit më 2010, Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit e Komisionit Evropian e identifikoi edhe këtë si një zonë kyç, duke thënë se duhet ndërmarrë veprim për të penguar përhapjen e specieve të këqija.
Ai aktualisht po përgatit një strategji për ta zgjidhur këtë çështje. “Alga Caulerpa Racemosa është pranuar si një kërcënim serioz ndaj biodiversitetit detar,” thotë Lenka Karova e Drejtorisë së Mjedisi të Komisionit. “Kjo strategji ka për synim zvogëlimin e efekteve dëmtuese të specieve pushtuese në biodiversitetin Evropian në mënyrë të qëndrueshme.” Ajo vazhdoi duke thënë se kërkimi i zhvilluar si pjesë e projektit, Trajektorja e Treguesve të Biodiversitetit Evropian, SEBI2010, e renditi Caulerpa-n mes “specieve më të këqija pushtuese që kërcënojnë biodiversitetin Evropian”.
Megjithëse Mali i Zi është “shtet mjedisor”, sipas rreshtit të parë të kushtetutës së tij, vendi nuk ka ratifikuar as Konventën e Barcelonës të vitit 1976 për Mbrojtjen e Detit Mesdhe nga Ndotja, as Konventën e Bernës të vitit 2003 mbi Ruajtjen e Jetës së egër Evropiane dhe Habitateve Natyrore.
Siniša Stanković premton se Konventa e Barcelonës do të ratifikohet në fund të vitit dhe thotë se “ky ligj dhe në veçanti protokolli mbi zonat e mbrojtura që i bashkëngjitet, do të plotësojnë parakushtet e nevojshme për zgjidhjen e problemit Caulerpa”. Por kjo është e vonuar. Të gjitha shtetet mesdhetare janë tashmë nënshkruese të Konventës së Barcelonës, po kështu edhe fqinjët e Malit të Zi. Kuvendi kroat e ka miratuar një ligj për zbatimin e Konventës së Barcelonës qysh më 1996.
Përveç Bosnjë e Hercegovinës, që ka një bregdet të vogël, Mali i Zi është gjithashtu i vetmi shtet i Adriatikut që nuk ka nënshkruar Konventën e Bernës. “S’ka kuptim të mburremi që jemi shtet mjedisor duke pasur parasysh qëndrimin tonë kundrejt detit,” thotë Vesna Mačić.
Mali i Zi bën gjithashtu përjashtim në krahasim me shtetet e tjera mesdhetare, që nuk ka det zyrtarisht të mbrojtur. Sipas direktivave dhe konventave të Bashkimit Evropian, çdo shtet është i detyruar të ketë disa parqe kombëtare apo zona të mbrojtura detare si dhe të miratojë rregullore për t’i mbrojtur ato nga ndotja dhe speciet pushtuese. Rezervat e detit duhen mbrojtur me ligj nga ankorimi, zhytja dhe peshkimi i paligjshëm. Italia, për shembull, ka 27 zona detare të mbrojtura dhe objektivi, thotë Maria Rapini e Marevivo, është të rritet ky numër në 50 në vitet e ardhshme.
“Kur ta ratifikojmë Konventën e Barcelonës do të jemi të detyruar të deklarojmë zonat e mbrojtura detare,” premton Ana Pajević e ministrisë së turizmit të Malit të Zi. “Planifikojmë të mbrojmë 10 për qind të krejt zonës detare në Mal të Zi.” Por për momentin, këto janë thjesht qëllime.
Shkencëtarët tregojnë mënyrën
Ndërsa politikanët nga vendet në rajon kanë bërë pak për të bashkëpunuar në zhdukjen e kërcënimit ndaj trashëgimisë së tyre të përbashkët detare, shkencëtarët nga vende të ndryshme po shkëmbejnë dendur informacione. “Deti s’ka kufij,” thotë Mačić. “Nëse duam ta mbrojmë, duhet të punojmë bashkë. Gjithë ata që merren me çështjet detare e dinë se s’mund të ketë kufij këtu.”
Instituti për Biologjinë Detare në Kotorr po bashkëpunon me Institutin për Oqeanografi dhe Peshkim në Split, Institutin për Kërkime Detare dhe Bregdetare në Dubrovnik, Kroaci, dhe me Laboratorin për Biologjinë Detare në Universitetin e Nicës në Francë.
Stafi i institutit të Kotorrit është krenar që ka nisur një projekt të përbashkët mbi zonën e tyre detare kufitare në bashkëpunim me kolegët kroatë menjëherë mbas luftërave të viteve ‘90. “Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes detare është model i mirë për pajtimin mes ish-armiqve në luftë,” sugjeron Mačić. Homologët e saj në Split dhe Dubrovnik i bëjnë jehonë kësaj bindjeje.
Por luftrat në Ballkan kanë lënë pasoja afatgjata dhe shkencëtarët e pranojnë se do të marrë kohë para se të rivendoset bashkëpunimi i plotë shkencor. “Pesë vjet më parë, qeveria gjermane donte të financonte një projekt mbi delfinët që Kroacia do ta zbatonte bashkë me Malin e Zi,” vëren Vlado Onofri i Institutit të Dubrovnikut për Kërkimin Detar dhe Bregdetar. “Por për shkak të pozitave antagoniste politike të të dy vendeve, ne nuk mundëm të bashkëpunonim.” Ai shton: “Luftërat pengojnë shkëmbimin e informacionit, veçanërisht në kokat e politikanëve dhe shtetarëve, dhe janë ata që kanë çelësin e parave.”
Osvin Pečar, drejtor i Parkut Kombëtar Mljet, pajtohet që politikanët janë problem. Kur vjen puna te shkencëtarët në rajon, “Ne do të bashkëpunojmë me këdo nëse përfshihen interesat tona,” thotë ai. “Por nëse i merr paratë nga strukturat qeveritare, atëherë është shumë më e vështirë.” Ndërkohë, bukuria unike e shtratit detar të Adriatikut mbetet në rrezik serioz nga ky predator i lëvizshëm.
Leshterikët dhe kërmijtë – aleatë të pagjasë
A mund të bëhet gjë në këtë shkallë? Ka disa shpresa të zbehta për një zgjidhje ekologjikisht miqësore për problemin e algave përhapëse. Shkencëtarët nënvizojnë rëndësinë e larmisë së algave Posidonia, për shembull, që krijon një pengesë natyrore për përhapjen e Caulerpas.
Por kjo është e mundur vetëm kur kolonitë e Posidonias janë të mëdhaja dhe të shëndetshme. “Nëse Caulerpa e shkatërron Posidoni-n, peshqit në atë zonë do të ikin dhe zona bregdetare do të vuajë nga erozioni,” vëren profesor Cinelli i Universitetit të Pizës.
Një zgjidhje “biologjike” tjetër e propozuar është përdorimi i një kërmilli tropikal, ushqimi bazë i të cilit është Caulerpa. Kërmilli në fjalë banon rreth Australisë dhe futja e tij në Mesdhe do të ndihmonte zgjidhjen e problemit Caulerpa në mënyrën më të mirë, sipas Ante Žuljević të Splitit.
Shkencëtarët po hetojnë edhe se a mund të ndalet shumimi i Caulerpas duke i mbuluar vendet e infektuara me fletë varaku, megjithëse shumë veta thonë se kjo metodë nuk jep rezultate të mira. “Mbulimi i algave me fletë, ose futja e helmit, është si kimioterapia, shkatërron jo vetëm tumorin por edhe vetë organizmin,” thotë Onofri. “Helmi i injektuar për të zhdukur algën mundet gjithashtu të vrasë mikroorganizmat që jetojnë aty afër.”
Masa të tjera që synojnë kontrollimin e përhapjes së algës, ndërkohë, bien ndesh me kërkesat e industrisë së turizmit.
Një metodë e rekomanduar nga shkencëtarët është pengimi i barkave të ankorojnë në zonat ku është e pranishme Caulerpa, ose ku ka koloni të Posidonias, ngaqë këto do të shkatërroheshin nga ankorimi, duke ia hapur rrugën algës. “Një traget me ankorë e cila peshon disa ton mund ta shkulë me rrënjë Caulerpa-n dhe ta shpërhapë mbi krejt shtratin e detit,” thotë Onofri.
Ai thotë se ndalimi i ankorimit është sigurisht i nevojshëm në zonën e Dubrovnikut, ku çdo ditë arrijnë anije të mëdha. Por ekonomistët e turizmit thonë se s’ka gjasa të ndodhë kjo. “Nëse e ndalojmë ankorimin, do të ketë një impakt të keq ekonomik,” pranon ai.
Sa i përket banorëve vendorë, gjithsesi, nuk është se humbin ndonjë gjë. “Turistët që vijnë me barkat e tyre nuk harxhojnë ndonjë lek në kafenetë apo restorantet tona. I kanë të gjitha në qytetin e tyre lundrues”, thotë Ljuba, pronare kafeneje. “Ata thjesht na e ndotin detin dhe ajrin, sjellin disa bimë të çuditshme me ankorat e tyre dhe mandej ikin. Më mirë të mos vijnë fare”, shton ajo.
Osvin Pečar pajtohet se diçka duhet bërë, por e di se kjo do të jetë e vështirë të arrihet. “Ndalim i ankorimit në limane është drejtpërdrejt në kundërshtim me nevojat e turizmit detar,” thotë ai. “Rreth 25 për qind të turistëve detarë vijnë në Kroaci vetëm sepse ankorimi lejohet gjithkund.”
Ai dhe Onofri shpresojnë për një zgjidhje kompromisi në formën e vozave të mëdhaja, ku mund të ankorohen anijet vetë, pa pasur mundësi të prekin shtratin e detit. Shkencëtarët, OJQ-të dhe qeveritë gjithashtu u kërkojnë njerëzve që zhyten, ankorohen ose peshkojnë, të mos e hedhin Caulerpan prapë në det nëse e kapin. Nëse njerëzit s’mund ta pengojnë përhapjen e saj, të paktën të mos e bëjnë të mundur shumimin e saj në vende të tjera.
Ndërkohë, Onofri paralajmëron se përhapja e pakontrolluar e Caulerpas do të ketë degëzime serioze ekonomike për të gjitha shtetet e Adriatikut në të ardhmen e afërt. “Në nja dy vjet, deti do të jetë bërë blu në sipërfaqe, por jeshil në shtratin e tij,” thotë ai, duke treguar ishullin e vogël Lokrum që shtrihet afër Dubrovnik, një parajsë detare tashti “e pushtuar” nga alga e bezdisshme.
“Caulerpa po i bën ‘pastrim etnik’ detit,” thotë Onofri.



