Trashëgimia e krimeve të luftës po pengon pajtimin në Ballkan

radicevic

Rregullat e ekstradimit mbrojnë kriminelët e luftës nga drejtësia, duke lënë shumë ish-jugosllavë me frikë për kthim në vendet fqinje.

Nga Nenad Radičević në Beograd, Sarajevë, Zagreb, Hagë, Bruksel dhe Strasburg

Një dhomë e vocërr në një barakë shkatarraqe në Beograd, që dikur ishte banesë e përkohshme për punëtorët e ndërtimit, ka qenë shtëpia e Gojko Erakovićit, të shoqes dhe të bijës, për 12 vjet me radhë.

Eraković, Serb 47 vjeçar nga Kroacia, iku nga qyteti i lindjes Benkovac më 1995, kur Ushtria Kroate nisi një operacion të koduar Oluja [Stuhia], për të shtypur revoltën katërvjeçare të pakicës serbe të republikës.

Eraković e konsideron veten fatlum sepse iku nga qyteti para se të vinin forcat kroate. “Ata që qëndruan në shtëpitë e veta u arrestuan,” kujton ai. “Të tjerët panë se si iu dogjën shtëpitë.”

Më se një dekadë pasi marrëveshja e paqes e Dejtonit më 1995 i dha fund luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, Erakovići është njëri prej atyre që ende po vuajnë prej trashëgimisë së tyre.

Ndërsa mijëra mizori të kryera në ato vite mbeten të pazgjidhura, është bërë tepër e lehtë të fajësohen kombe të tëra në vend të individëve përgjegjës. Një mosbesim i thellë përshkon marrëdhëniet mes vendeve që dolën nga këto konflikte të përgjakshme dhe shumë njerëz të zakonshëm ngurrojnë të udhëtojnë në vendin tjetër, e lëre më refugjatët.

Me politikanë të gjykuar si përgjegjës, ose të paktën ngurrues për të shpërndarë mitet dhe paragjykimet që shtrihen poshtë kësaj gjendjeje, është bërë shumë, me urdhër të bashkësisë ndërkombëtare, për rolin dhe përgjegjësinë e gjyqësorëve për të përcaktuar faktet lidhur me konfliktet e viteve 1990. Kur kjo do të jetë së shpejti krejtësisht në duart e gjykatave vendore, po punohet aktualisht për t’u siguruar që kjo të ndodhin me drejtësi dhe efektivitet.

Por detyra është e mundimshme, duke pasur parasysh përvojën deri tani. Në veçanti, serbët nga Kroacia i frikësohen një vale gjyqesh in-absentia (në mungesë) të mbajtura në gjykatat kroate gjatë fillimit të viteve 1990, që janë me vlefshmëri të dyshimtë në sytë e shumë ekspertëve ligjorë. Kështu, megjithëse jeton në kushte të vështira në Beograd, Eraković nuk dëshiron të kthehet në Kroaci nga frika e arrestimit për akuza të bujshme për krime lufte. “Ata arrestuan dy nga shokët e mi për krime lufte dhe i liruan pas disa muajsh,” kujton ai. “Nuk më duhet një përvojë e ngjashme.”

Zgjidhja e këtij problemi është një nga qëllimet e punës së kohëve të fundit të prokurorëve në rajon për t’i tejkaluar bashkërisht një rang të tërë problemesh kombësie dhe rezidence që e pengojnë punën e tyre. Ka disa shenja që është bërë përparim për t’iu shmangur impasit të shkaktuar nga rregullat e ekstradimit, që deri tani ua kanë mundësuar shumë të dyshimtëve t’i shmangen gjykimit duke marrë dy shtetësi.

Por disa të tjerë mendojnë se përparimi është i kufizuar dhe faji nuk është i avokatëve por i mungesës së vullnetit politik. Me çështjet e sovranitetit ende të ndjeshme, gjithsesi, s’ka gjasa për zhvillime dramatike. Në të vërtetë, u desh sulmi tronditës mbi Nju Jork më 11 shtator 2001 për të krijuar ndërgjegjësim për një natyrë të re ndërkombëtare të krimit, që t’i shtynte shtetet anëtare thellësisht të integruara, aleate dhe paqësore të Bashkimit Evropian, t’i zbusnin rregullat e ekstradimit dhe t’i hapnin sistemet e drejtësisë kriminale të tyre ndaj njëri-tjetrit.

Përfundimisht, thonë ekspertët, një bashkëpunim i tillë varet nga besimi në sistemin ligjor të njëri-tjetrit për dhënien e drejtësisë. Dhe ndërsa besimi është mall shumë i rrallë mes armiqve të mëparshëm ballkanikë, ai mbetet më i çmuari: parakushti përfundimtar për t’i shkrirë pengesat e padukshme që s’i lejojnë njerëzit të lëvizin lirisht.

Gjykimet e krimeve të luftës ‘në shtëpi’ – faktori besim

Luftërat që shpërthyen anembanë ish-Jugosllavisë i prekën rëndë tre shtetet tashti të pavarura të Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë.

Bosnja vuajti më shumë nga të gjithë, me rreth 100,000 të vdekur nga lufta dhe 14,000 të zhdukur, sipas Qendrës së pavarur të Kërkimit dhe Dokumentimit në Sarajevë. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE, Misioni në Kroaci, e llogarit numrin e vdekjeve në Kroaci për shkak të luftës në rreth 13,000, me më shumë se 2,000 veta të zhdukur, ndërsa shifrat për ushtarët serbë që vdiqën gjatë luftimeve gjatë luftërave në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë nuk dihen, por llogariten nga organizata si Qendra e Ligjit Humanitar me qendër në Beograd në disa mijëra.

Deri tani, shumica e gjyqeve për krime të nivelit të lartë kryer gjatë këtyre luftërave janë bërë para Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale për ish-Jugosllavinë, ICTY, në Hagë.

Por këto kanë bërë pak për të nxitur pajtimin dhe daljen e një të vërtete përgjithësisht të pranuar lidhur me të shkuarën e afërt. Pjesërisht, kjo mund të jetë si shkak i asaj që gjyqet janë zhvilluar larg skenave të krimeve. Por ekspertët ankohen më shumë për elitat drejtuese të këtyre tre vendeve, që ata thonë se e kanë politizuar vazhdimisht dhe e kanë penguar punën e gjykatës.

Me mbylljen e Gjykatës së Hagës në vitin 2010, mijëra raste të papërfunduara do të zhvendosen në gjykatat e rajonit. Disa ekspertë shpresojnë që ky do të jetë zhvillim pozitiv, duke thënë se riatdhesimi i procesit ligjor mund t’i nxisë njerëzit t’i shohin vendimet për krimet e luftës më objektivisht.

Ndërkohë, zyrtarët gjyqësorë të rajonit kanë filluar në vitet e fundit të kërkojnë bashkëpunim më të mirë mes gjykatave të tyre në Bosnjë, Serbi dhe Kroaci. Fakti se këto vende ishin pjesë të të njëjtit shtet kur shpërtheu lufta e bën këtë bashkëpunim një “sine qua non” për suksesin e procedimit të krimeve që pasuan. Kjo ngaqë për shumicën e rasteve, dëshmitarët, dëshmitë dokumentare dhe, ç’është më e rëndësishmja, të dyshimtit janë brenda juridiksionit të më shumë se një prej këtyre shteteve që dolën prej ish-Jugosllavisë.

Në tre vitet e shkuara, janë mbajtur dhjetëra takime dhe këshillime rajonale, duke filluar nga nëntori 2004, kur gjyqtarët dhe prokurorët lokalë identifikuan nevojën e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë dhe të institucionalizuar nëse dëshirohej të arrihej drejtësia mbasi të mbyllej Gjykata e Hagës.

Nevoja për lëvizshmëri më të sigurt e më të shpejtë të dëshmitarëve nëpër gjykatat e rajonit ishte një çështje e theksuar, për shembull, gjë që rezultoi në një marrëveshje trepalëshe më 2005 që mundësonte shkëmbimin e informacionit në baza jo-zyrtare, duke iu shmangur kështu proceseve të gjata gjyqësore që kërkohen shpesh për bashkëpunimin ndërqeveritar. Kjo ka shkaktuar mjaft hetime të përbashkëta dhe lidhje të rregullta mes zyrave të prokurorive.

Rezultatet e këtyre përpjekjeve fillestare janë domethënëse, sipas Veselinka Kastratovićit, monitoruese gjyqesh për Qendrën për Paqe, Jo-dhunë dhe të Drejta të Njeriut në Osijek të Kroacisë. “Bashkëpunimi mes gjyqësorit dhe policisë në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë mbi mbrojtjen e dëshmitarëve dhe sjelljen e tyre në gjykatat e vendeve të tjera ka filluar të veprojë,” mëton ajo.

Kastratovići thotë se lëvizje të tilla kanë ndihmuar gjithashtu në dërgimin e mesazheve të rëndësishme për njerëzit e zakonshëm se qeveritë në rajon janë serioze në lidhje me përballjen me të këqijat e të shkuarës.

Ndërrimi i pasaportave dhe shpëtimi nga drejtësia

Gjithsesi, këta shembuj fillestarë të vullnetit të mirë rajonal duhet ta zgjidhin rebusin juridik kur bëhet fjalë për të dyshuarit për krime lufte. Thelbi i çështjes është që shpërbërja e Jugosllavisë ia mundësoi shumë luftëtarëve të merrnin disa shtetësi, kryesisht serbët nga Bosnja dhe Kroacia në Serbi, si dhe kroatët boshnjakë në Kroaci.

Në Serbi dhe Kroaci, ligji e pengon ekstradimin e qytetarëve, gjë që do të thotë se burra e gra që kërkohen në Kroaci dhe, aq më shumë, në Bosnjë, mbesin jashtë rrethit të gjykatave. Gjykatësit kroatë u morën me këtë qysh nga fillimi i luftës përmes përdorimit të procedimeve in-absentia.

Kjo procedurë, që është e ndaluar në Bosnjë, është përdorur shpesh në Kroaci: sipas raportit vjetor të vitit 2006 të Prokurorit të Shtetit kroat, shumica e 1,462 njerëzve të akuzuar për krime lufte (dhe 611 vetave të dënuar) prej vitit 1991, janë gjykuar në mungesë.

Megjithëse më të rrallë se më parë, përdorimi i tyre në vazhdim dhe fshehtësia që i rrethon i ka bërë shumë serbë të ikur nga Kroacia të frikësohen të kthehen në shtëpitë e veta. “Të kthehem për t’u arrestuar ngaqë kroatët thonë se isha pjesë e një ushtrie rebele? As më shkon ndër mend,” thotë Dragan Mirković, 50 vjeç nga Knini, ish qendra e një mini-shteti serb brenda Kroacisë.

Mirković ka kërkuar ta gjejë emrin e vet nga ambasada kroate në Beograd se mos është në ndonjë listë njerëzish të akuzuar për krime lufte, apo edhe mos është dënuar në mungesë, por gjithsesi nuk bindet nga përgjigjet e vagullta që ka marrë. “S’mund të jem i sigurt që nuk jam në ndonjë listë sekrete të serbëve të dënuar,” thotë ai.

Ka një problem që nuk ka të dhëna të besueshme publike mbi ata që janë dënuar në mungesë në Kroaci. Kohët e fundit, Kroacia tha se një listë e autorizuar dhe e përditësuar do të bëhej publike në ambasadën e saj në Beograd, por kjo s’ka ndodhur ende, me sa duket ngaqë autoritetet s’e kanë mbledhur të gjithë informacionin e duhur.

Më 2004, Veritas, një grup i Beogradit që lobon për të drejtat e serbëve të Kroacisë, botoi një listë me 1,993 emra serbësh për të cilët thanë se ishin ose të dyshuar, ose të dënuar në mungesë në gjykatat kroate, por burimi i saj s’mund të verifikohej. Megjithatë, Savo Štrbac, drejtori i OJQ-së, thotë se shumë refugjatë kanë me të drejtë frikë t’i vizitojnë shtëpitë e para luftës dhe të udhëtojnë jashtë Serbisë si pasojë e kësaj.

Prej marsit 2001, në bazë të flet-arresteve të Interpolit, më se 60 serbë të kërkuar në Kroaci janë arrestuar në Zvicër, Hungari, Greqi, Rusi e vende të tjera dhe janë ekstraduar ose presin të ekstradohen në Kroaci për akuza për krime lufte.

Gjykimet në mungesë – qasje kundërthënëse

Shumë ekspertë ligjorë s’i pëlqejnë gjyqet në mungesë, megjithëse i pranojnë si alternativë të fundit. Vesna Teršelič e Documenta, organizatë e Zagrebit që merret me trashëgiminë e luftës, beson se fakti që të akuzuarit nuk janë në gjykatë gjatë gjykimeve të tilla nuk ndihmon në krijimin e përshtypjes së drejtësisë.

Dražen Tripalo, zëdhënës i Gjykatës së Lartë të Kroacisë, e mbron përdorimin e tyre duke shtjelluar që procedimet mund të jenë të rëndësishme për të ruajtur dëshmitë e dëshmitarëve dhe për të përftuar prova të rëndësishme.

Ivo Josipović, profesor i ligjit në Universitetin e Zagrebit, thotë se shumë nga gjyqe të tilla mbajtur në Kroaci në fillim të viteve ‘90 synonin kryesisht të ulnin dhimbjen e familjeve të viktimave. “Nuk janë të mira por në disa raste, kur ishte e qartë se të paditurit nuk do të arrestoheshin, ato i jepnin një lloj kënaqësie viktimave,” vëren ai.

Në vitin 2002, prokurori shtetëror kroat i tha prokurorëve vendorë të mos kërkonin më gjyqe të tilla pa miratim të veçantë. Autoritetet e Zagrebit qysh atëherë ia kanë dalë të arrestojnë shumë nga ata që janë dënuar në mungesë dhe që si pasojë kanë kërkuar dhe u është miratuar rigjykimi. Në shumicën e rasteve, të paditurit janë liruar.

Ndërkohë, disa serbë të dënuar për krime lufte in absentia tashti kërkojnë të drejtën e një rigjykimi të tillë, në mungesë. Edita Radjen-Potkonjak është njëra prej tyre, serbe e Kroacisë e dënuar me 15 vjet burg nga Gjykata Vendore e Zadar-it më 1995 në lidhje me ekzekutimin masiv të civilëve kroatë në fshatin Škabrnja më 1991.

Sot, ajo jeton në Banja Luka, në Bosnjë, dhe kërkon që çështja e saj të rihapet, duke mëtuar se ka mbledhur dëshmi dhe prova të reja për të provuar pafajësinë e saj. Por ajo e kërkon këtë në mungesë të saj dhe Gjykata Vendore e Zadarit deri tani e ka hedhur poshtë kërkesën e saj.

Dražen Tripalo thotë me të drejtë. “Nëse një gjykatës e miraton një rigjykim in-absentia dhe mbas kësaj gjykata jep të njëjtin vendim, atëherë personi i dënuar mund të kërkojë përsëri dhe t’i jepet e drejta e një rigjykimi tjetër,” vëren Tripalo. “Teorikisht, mund të kemi 20 rigjykime të të njëjtit rast”.

Misioni i OSBE-së në Kroaci, Delegacioni i Komisionit Evropian dhe qeveria kroate kanë diskutuar mundësinë e një mekanizmi që do të mundësonte rishikimin sistematik të dënimeve për krime lufte në mungesë, të vendit. Gjithsesi, deri tani, nuk është marrë asnjë vendim për ta bërë këtë.

Mënyra më të dobishme për t’iu shmangur ndalimit të ekstradimit?

Bashkëpunimi mes prokurorëve të krimeve të luftës duhet të ndihmojë gjithashtu në ndalimin e dukurisë së padëshirueshme in-absentia, duke bërë të mundur që rastet ku përfshihen dy vende, bashkë me gjykimin e të dyshuarve, të zhvillohen në praninë e këtyre të fundit. Por ata ngulin këmbë që s’mund ta bëjnë të vetëm këtë dhe u bëjnë thirrje presidentëve të vendeve përkatëse të përfshihen në këtë problem. “Politikanët duhet ta mbështesin zgjidhjen e këtij problemi,” thotë Bruno Vekarić, zëdhënës i prokurorit serb për krime lufte, “sepse kjo është edhe çështje politike”.

Mary Wyckoff, kreu i Njësisë për Sundimin e Ligjit në misionin kroat të OSBE-së thotë se ndërsa prokurorët rajonalë kanë arritur një farë përparimi në ndjekjen e rasteve me anë të shkëmbimit të dëshmive, shtetet ende duhet t’i heqin pengesat ligjore që vazhdojnë të pengojnë bashkëpunimin e dobishëm juridik ndërmjet vendeve. “Prokurorët po përpiqen të jenë praktikë,” vazhdon Wyckoff. “Por për ta zgjidhur vërtet problemin mungesës së ndëshkimeve, nevojiten vullneti politik dhe reformat legjislative.”

Organizatat ndërkombëtare prej kohësh i kanë nxitur qeveritë në rajon t’i japin mbështetje bashkëpunimit rajonal. Në tetor 2004, Human Rights Watch, për shembull, rekomandoi që ato të gjenin mënyra për t’ia transferuar gjykimet gjykatave të shteteve të tjera, duke iu shmangur kështu ligjeve që e ndalojnë ekstradimin e shtetasve. Prej tre vjetësh, gjithsesi, kjo nuk ka ndodhur.

Serbia dhe Kroacia kanë bërë disa lëvizje për ta zgjidhur çështjen e dyshtetësisë. Më 2006, prokurori kroat Mladen Bajić dhe homologu i tij serb Vladimir Vukčević, nënshkruan një marrëveshje që lejon transferimin nga njëri vend në tjetrin të dëshmive, dokumenteve dhe të gjitha të dhënave të tjera relevante kundër një të dyshuari që ka fituar shtetësinë në vendin e dytë.

Kështu, prokurori që merr dëshminë mund ta ndërtojë rastin duke iu shmangur detyrimit të dyfishtë të ndalimit të ekstradimit dhe transferimit të padive të mëparshme (ligjet vendore pengojnë edhe transferimin e akuzave që lidhen me një krim të rëndë që mund të dënohet me 10 ose më shumë vjet burg).

Vekarić thotë se marrëveshja do t’i ndihmojë gjykatat në rajon të ndërmarrin veprime në rastet e bllokuara për vite të tëra, duke treguar bashkëpunimin për krimet e luftës kryer në vitin 1991 në fshatin Lovas në Kroacinë lindore: më 2003, Kroacia paditi 18 njerëz për vrasjen e një numri jo-serbësh në Lovas, por ishte në gjendje të ndalonte vetëm një nga të paditurit ngaqë pjesa tjetër ishin jashtë, kryesisht në Serbi. Në maj 2007, policia serbe arrestoi edhe 12 të tjerë, e mbështetur në provat e përcjella nga zyra e prokurorit kroat. Të dyshuarit nuk do të gjykohen në Kroaci, por para Zyrës serbe të Krimeve të Luftës.

Wyckoff pajtohet që rasti Lovas është shembull i mënyrës për të tejkaluar mungesën e ndëshkimeve që rezulton aktualisht nga ndalimi ligjor i ekstradimit të shtetasve. “Prokurorët po bëhen pragmatikë,” thotë ajo. “Ata janë të mendimit që: ‘Më mirë të kemi një gjyq me personin të pranishëm, edhe pse zhvillohet jashtë vendit, sesa të kemi një gjyq in- absentia në shtëpi’.”

Gjithsesi, ky mekanizëm nuk shërben shumë sa i përket numrit të madh të të dyshuarve që fshihen në Serbi ose Kroaci me origjinë nga Bosnja e Hercegovina, ngaqë kjo e fundit kundërshton ta nënshkruajë marrëveshjen. Kryeprokurori i saj, Marinko Jurčević, thotë se të dyshuarit duhen gjykuar aty ku i kanë kryer krimet dhe jo aty ku banojnë apo ku kanë shtetësinë. Përndryshe, ai parasheh një gjendje ku gjykatat boshnjake janë të detyruara të gjykojnë vetëm të dyshuar boshnjakë, ndërsa shumica e krimeve të kryera kundër boshnjakëve zhvillohen jashtë. Kjo do të ndihmonte pak në pajtimin ndëretnik në shtetin ende të copëtuar.

Vesna Teršelič pajtohet me këtë. “Bosnja dëshiron pranimin e asaj që ndodhi në luftë brenda territorit të saj,” thotë ajo.

Por Vekarić thotë se kolegu i tij boshnjak është në rrugë të gabuar. “Nëse ata thonë se krimet e luftës të kryera në Bosnjë duhen gjykuar vetëm atje, ata thjesht i çojnë një mesazh kriminelëve të luftës të mos shkojnë në Bosnjë,” mëton Vekarić. Ai vëren se prokurorët serbë dhe boshnjakë tashmë po bashkëpunojnë për çështjet e tjera që lidhen me krimet e luftës, përfshi një hetim të përbashkët për masakrat e kryera kundër boshnjakëve në Zvornik, në Bosnjën lindore.

Gjatë negociatave mes prokurorëve të rajonit më 2006, pati thirrje për një marrëveshje të re për ekstradimet reciproke mes të tre vendeve. Por sipas Vekarić-it, kjo s’ishte e mundur për shkak të kushtetutave të Serbisë dhe Kroacisë.

Por jo të gjithë janë të këtij mendimi. Siniša Važić, president i Gjykatës Rajonale të Beogradit e interpreton kushtetutën serbe ndryshe, duke shtjelluar që ndalimi në fakt zë fill në një ligj të zakonshëm që mund të ndryshohet shumë më lehtë sesa kushtetuta, nëse ka vullnet politik. “Ne do ta zgjidhim çështjen e ekstradimit me Kroacinë përmes reciprocitetit,” parashikon Važić. Ndërkohë, “gjëja më e rëndësishme është që të gjitha organet juridike në rajon të fillojnë të sillen në mënyrë profesionale dhe të zhvillojnë besimin reciprok,” përfundon ai.

Rindërtimi i besimit kërkon kohë

Ekspertët vërejnë se zhvillimi i besimit reciprok mes shteteve mbi çështje si ekstradimi është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm.

Michael Kennedy, president i Eurojust, organit të Bashkimit Evropian që ndihmon hetimin dhe gjykimin e kriminelëve ndërkufitarë, tha se çështjet e vështira mbi ekstradimin mes shteteve të Bashkimit Evropian u tejkaluan vetëm pas tronditjes nga sulmi terrorist në Nju Jork më 11 shtator 2001.

Si pasojë, në vitin 2002, ministrat e drejtësisë u pajtuan të përgatisin Mandatin Evropian të Arrestit, që tashti njihet dhe mund të lëshohet nga të gjitha gjykatat e shteteve anëtare. “Mandati Evropian i Arrestit është i detyrueshëm për çdo gjykatës brenda Bashkimit Evropian dhe secili shtet anëtar duhet t’ia dorëzojë shtetasit e vet tjetrit... për hetim dhe gjykim,” shpjegon Kennedy.

Sa i përket vështirësive që kanë shumë shtete ballkanike me vetë konceptin e dorëzimit të shtetasve të vet një shteti fqinj për gjykim, Kennedy thotë se ai i kupton mirë ndjeshmërinë e tyre: “Këto gjëra nuk ndodhin shpejt, veçanërisht kur gjuha dhe sistemet ligjore janë të ndryshme.” Me gjithë përparimin në bashkëpunimin juridik ndërkufitar në Bashkimin Evropian, në secilin hetim ndërkufitar duhet marrë parasysh sovraniteti i shteteve anëtare.

Po kështu, Friso Roscam Abbing, zëdhënës i Franco Frattinit, Komisionerit Evropian për Drejtësi, Liri dhe Siguri, thotë se shtetet anëtare mund të bëjnë më tepër për të përshpejtuar bashkëpunimin për krimin. “Ne në Bashkimin Evropian ende kemi nevojë për rritjen e mirëbesimit reciprok dhe shkëmbimin gjithëpërfshirës të regjistrimeve kriminale dhe informacioneve të tjera të rëndësishme,” shprehet ai.

Edhe pse është krijuar një shkallë bashkëpunimi mes zyrtarëve gjyqësore brenda Ballkanit, gjyqet për krime lufte të hapura në vendet e tjera ende shihen si të anshme nga njerëzit e zakonshëm.

Slobodan Milošević, ish-presidenti serb, e vuri theksin tek kjo ndjenjë në fillim të gjyqit të tij në Hagë, duke mëtuar se një komb i tërë ishte vënë në bankën e të akuzuarve. “Duke më akuzuar mua, prokurori ka akuzuar Serbinë dhe gjithë serbët që më mbështetën në Serbi, ata serbë që më mbështetën jashtë Serbisë dhe të gjithë njerëzit që më mbështesin në Serbi aktualisht,” tha ai në shkurt 2002.

Nga një pikëpamje ligjore, faji i përbashkët nuk ekziston, as në ICTY e as në gjykatat vendore në rajon. Prapëseprapë, gjatë çdo gjykimi të politikanëve të lartë apo gjeneralëve, opinioni publik në Serbi, Bosnjë apo Kroaci është prirë të ketë pikëpamjen e kundërt.

Teršelič thotë se çdo gjyq i rëndësishëm ka shkaktuar protesta popullore në vendet e rajonit si dhe diskutime se personi që po gjykohej ishte “i joni” apo “i tyre”. Ajo shtjellon që gjyqet në gjykatat vendore, gjithsesi, kanë ndihmuar të ndryshohet paragjykimi publik deri në një farë shkalle. Sipas mendimit të saj, shembulli më i mirë për këtë është rënia e dukshme në Kroaci e protestave publike kundër gjyqeve të kroatëve për krime lufte. “Disa vite më parë, 100,000 njerëz dolën në rrugë kurdo që paditej një person i rëndësishëm, por sot ka vetëm një mijë veta apo ngjashëm,” vëren ajo.

Problemet me të cilat ndeshet ish-Jugosllavia në këtë fushë nuk janë unike dhe janë parë në vendet e tjera të rëndësishme të Evropës.

Jean-Francois Bohnert, prokuror francez me Eurojust-in, thotë se gjyqet e krimeve të luftës ishin pjesë kyç në procesin e pajtimit me Gjermaninë pas Luftës II Botërore. Gjithsesi, ai vëren se edhe mbas 50 vitesh të marrëdhënieve të suksesshme franko-gjermane, gjyqi dhe dënimi i kolaboracionistit francez Maurice Papon në vitin 1998 prapëseprapë prodhoi shumë tension dhe armiqësi.

Një gjykatë franceze e dënoi Papon, zyrtar i kohës së luftës në regjimin pro-nazist të Vishisë, me 10 vjet për urdhërimin e depërtimit të më shumë se 1,500 hebrenjve nga Franca e pushtuar në kampet e vdekjes të Gjermanisë naziste. Sipas Bohnert, gjyqi gjashtëmujor ngjalli kujtime të pakëndshme në Francë, duke hapur plagë të vjetra lidhur me shkallën e bashkëpunimit francez me nazistët dhe rolin e tyre në Holokaust.

Gjithsesi, kjo ishte dukuri e përkohshme, thotë ai, që nuk e nxori jashtë rruge vendosmërinë e fortë të qeverive të njëpasnjëshme të pasluftës në Francë dhe Gjermani për t’i zhvilluar marrëdhëniet e tyre me një ritëm të ri të qëndrueshëm. “Gjërat ndryshuan shumë shpejt mbas të famshmit Traktat Charles de Gaulle-Konrad Adenauer në vitin 1963 dhe një mori gjërash janë ndërtuar mbi këtë traktat,” vazhdon ai duke iu referuar ish-presidentit francez dhe Kancelarit të Gjermanisë Perëndimore.

I njohur gjithashtu edhe si traktati i Elizesë, marrëveshja simbolikisht konfirmonte pajtimin franko-gjerman dhe miqësinë e vërtetë që ishte krijuar mes dy fqinjëve që kishin qenë tri herë në luftë me njëri-tjetrin prej vitit 1870. Traktati përcaktonte një kalendar takimesh të rregullta në të gjitha nivelet që synonte të krijonte refleksin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Bohnert thotë se politikanët në Francë dhe Gjermani ishin të përkushtuar ndaj qëllimit të zhvillimit të besimit reciprok qysh në fillim të viteve 1950. “Duhej të vinte prej majës dhe mandej të shkonte poshtë në pjesën tjetër të shoqërisë,” thotë ai. “Por ishte proces i ngadaltë sepse u duhej të bindnin gjithkënd të kishin besim tek tjetri,” shton ai.

Traktati i nxiti dy popujt ta njihnin njëri-tjetrin në baza personale, kujton Barbara Hesse, drejtoreshë e Memorialit Alsace-Moselle, i cili paraqet historinë tragjike të njerëzve në kufi që iu desh ta ndërronin kombësinë katër herë prej vitit 1870 në 1945. “Pas traktatit të Elizesë më 1963, francezët u nxitën të ndërmerrnin udhëtime në Gjermani,” shprehet ajo.

Dean Ajduković, profesor i psikologjisë në Universitetin e Zagrebit, pajtohet që normalizimi i marrëdhënieve mes kombeve në rajon merr kohë, por thotë se politikanët duhet të punojnë për këtë. “Njerëzit ua vënë veshin drejtuesve dhe veprojnë në përputhje me mesazhin e tyre, ashtu siç bënë gjatë luftës,” shpjegon ai.

Mbushja e mendjes

Dymbëdhjetë vjet mbas luftës, njerëzit në Serbi, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë kanë filluar të udhëtojnë në rajon edhe një herë.

Të sapomartuarit Ivana dhe Marko Albunović, serbë nga Beogradi, kohët e fundit e kaluan muajin e mjaltit në ishullin kroat Hvar.

Ata thanë se plani i tyre për këtë gjë i tronditi të afërmit dhe miqtë, që u përpoqën t’ua hiqnin nga mendja. “Të gjithë u përpoqën të na bindnin se një pushim në Kroaci mund të ishte i rrezikshëm, ose të paktën i pakëndshëm për ne si serbë,” thotë Ivana. “I shpërfillëm këshillat e tyre që ishin përplot paragjykime dhe stereotipe,” shton ajo. “Por prapëseprapë nuk guxuam ta merrnim makinën tonë me targa serbe.”

Ivana dhe Marko ishin të kujdesshëm kur mbërritën, por “shpejt e kuptuan se çdo gjë ishte në rregull dhe kaluan një pushim të mrekullueshëm”.

Sipas mendimit të Ivanës, njerëzit e Ballkanit duhet ta lënë të shkuarën e errët mbrapa. “Meritojmë më në fund t’i bashkohemi një bote moderne në të cilën luftërat dhe urrejtja janë pjesë e turpshme e të shkuarës,” përfundon ajo.