Romët mbesin jashtë bumit të punësimeve në Bullgari
Nëse nuk investohet shpejt për romët e margjinalizuar, pakica më e madhe e Evropës do të vazhdojë të mbesë në grackën e varfërisë.
Nga Nikoleta Popkostadinova në Sofje, Plovdiv, Markevo, Bukuresht, Nish dhe Beograd
Në rrugët e getos së romëve në Sofje, asfalti është një kujtim i largët. Baraka shkatarraqe, ndërtuar sa me baltë e sa me tulla të thyera, përvijojnë rrugica të bëra për ngut. Lluca erërëndë të përplaset turinjve nga ulluqet e hapura. Për t’i kuptuar lidhjet mes familjeve, të mjafton të ndjekësh përçuesit ilegal elektrik që lidhin kolibet e tyre. Këtu, vetë koncepti i infrastrukturës është i panjohur po aq sa astrofizika, ndërsa “komuna” është fjalë e ndytë.
Mund të duket si fotografi nga Bota e Tretë por kjo është lagjja Faculteta e kryeqytetit të Bullgarisë, dhe skenat këtu janë të njëjta me ato në tërë vendin dhe në Rumaninë fqinje, të dyja anëtare të Bashkimit Evropian qysh prej 1 janarit 2007. Një bum i kohëve të fundit në të dyja vendet pothuajse e ka zhdukur papunësinë praktikisht nga kërkesa e lartë për punë. Por kjo prirje e mirë nuk i ka prekur fort romët. Racizmi, mungesa e arsimimit dhe mungesa e kualifikimeve i ka mbajtur të mbyllur hermetikisht nga ndryshimet ekonomike të përfituara nga bashkatdhetarët e tyre.
E kjo nuk duket se ka ndër mend të ndryshojë. Përkundrazi, gati shumica e 45,000 banorëve të lagjes Faculteta janë pa punë, kur Bullgaria përgatitet të importojë punëtorë të huaj për të mbajtur ritmin e rritjes së ekonomisë së vet por nuk e ka ndër mend ta përfshijë pakicën ekzistuese rome në forcën e saj të punës.
Zyrtarisht, Bullgaria ka 370,000 romë. Por organizatat jo-qeveritare besojnë se kjo është tepër poshtë shifrës së vërtetë, që ata e çojnë në 800,000 apo 10 për qind të popullsisë.
Gjatë 15 viteve të kaluara, shumë romë nga zonat e varfra kanë emigruar në qytete për jetë më të mirë. Duke u vendosur në lagje të varfra dhe të mbipopulluara, ato janë kthyer virtualisht në geto. Rreth 54 për qind e romëve tani jetojnë në këto mëhalla, siç njihen në bullgarisht. Rreth tre të katërtat e tyre nuk ikin kurrë prej tyre.
Georgi Krastev, kreu i Njësisë së Integrimit të romëve në Ministrinë e Punës dhe Politikave Shoqërore pajtohet se vendi përballet me një problem të segregacionit të ashpër ekonomik. “Më shumë se 90 për qind e të papunëve [në Bullgari] janë romë,” thotë ai.
Në gusht, ministria e tij raportoi që përqindja e papunësisë kishte rënë në rekordin e ulët prej 7 për qind dhe parashikoi se kjo prirje do të vazhdonte. Në Sofje, pothuajse të vetmit të papunë të rritur janë ata që po ndërrojnë punë dhe romët, 60 për qind e të cilëve nuk kanë punë, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, NSI.
Të zëna me probleme të tjera të periudhës së tranzicionit dhe nga frika e mbrojtjes së një pakicë jo të pëlqyer, asnjë nga qeveritë paskomuniste të Bullgarisë nuk ka ndërmarrë hapa konkret për të përmirësuar lëvizshmërinë ekonomike të romëve.
Këtu dhe në shtetet e reja anëtare shumë vetave tani u vjen keq që nuk është bërë më shumë për shanset e ofruara nga faza e asociimit në Bashkim Evropian për të rritur presionin për veprim. Dhe ndërsa Brukseli ngulmon që integrimi i romëve duhet të mbesë përparësi për Bullgarinë dhe Rumaninë, por edhe për krejt bllokun, të paktë janë ata që besojnë se sasitë e fondeve që janë dhënë të mund t’i heqin pengesat që pengojnë lëvizjen me kah lart të romëve. Bashkësitë rome në vendet e Ballkanit që shpresojnë t’i bashkohen së shpejti Bashkimit Evropian po e shohin me vëmendje këtë.
Problem rajonal me rrënjë në histori
Politikanët e Bullgarisë s’janë të vetmit që e kanë futur kryet në rërë si struci. Skena të ngjashme me ato në Faculteta mund të gjenden anembanë Evropës Juglindore dhe Qendrore. Në Hungari, ku romët përbëjnë 6 deri në 8 për qind të popullsisë prej rreth 10 milionësh, rreth 50 për qind janë të papunë, krahasuar me një mesatare kombëtare prej 7 për qind, sipas një raporti të vitit 2005 nga Magyar Agora. Më shumë se 50 për qind të ekonomive familjare rome në Hungari jetojnë poshtë nivelit të lejuar të varfërisë, krahasuar me mesataren kombëtare prej 8 përqindësh.
Gjendja është e ngjashme në Serbi ku mbi 60 për qind të 300,000 romëve të saj konsiderohen si shumë të varfër, krahasuar me rreth 6 për qind të popullsisë së përgjithshme, sipas një raporti zyrtar mbi përfshirjen e romëve në vitin 2006. Përqindja e papunësisë për romët në të gjitha grupmoshat dhe nivelet arsimore është tre herë më e lartë sesa e popullsisë jo-rome.
Në Republikën Çeke më shumë se 70 për qind e romëve janë të papunë, krahasuar me rreth 10 për qind për vendin në tërësi, sipas një raporti të vitit 2005 të Komisionit Evropian. Në Rumani, ku 2 milion romët përbëjnë rreth 8 për qind të popullsisë prej 22 milionësh, 75 për qind e atyre në moshë pune janë të papunë, sipas një vëzhgimi të vitit 2004 të përgatitur bashkërisht nga krahu i zhvillimit i OKB-së, UNDP-ja, dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO.
Rrënjët e këtyre problemeve shkojnë thellë nëpër shekuj, thotë Rumyan Sechkov, historian në Akademinë Bullgare të Shkencave dhe kryetari i Iniciativave Qytetare Fillimi i Alternativave. Kureshtja fillestare e evropianëve për romët kur mërguan në shekullin XV nga nënkontinenti indian shpejt u kthye në armiqësi, thotë ai, duke shpjeguar se “mospranimi i romëve i ka rrënjët në atë epokë.”
Shumë prej tyre kërkuan strehim në tokat evropiane të Perandorisë Osmane, ku nuk u mirëpritën por as u shfarosën. Por gjatë Luftës II Botërore, rreth gjysmë milioni romë u vranë nga nazistët dhe aleatët e tyre në shtetet-kombe të reja të Evropës Qendrore dhe Lindore, sipas historianëve.
Të mbijetuarit u përballën me përpjekje të reja asimilimi të detyruar nga regjimet komuniste që u ngriten në pushtet. Në Bullgari, gjuha rome u pengua, muzika s’iu lejohej në publik dhe mënyra nomade e jetesës përfundoi nga një ligj i vitit 1957 që i detyronte gjithë qytetarët të regjistroheshin në një adresë fikse. Më keq, në Çekosllovaki disa gra rome u sterilizuan si pjesë e një politike shtetërore për ta zvogëluar numrin e tyre.
Në fillim të viteve 1990, kur ndryshimet politike dhe ekonomike trokitën në tokat e bllokut të vjetër lindor, romët papritmas u pranuan si pakicë e veçantë etnike. Në disa mënyra kjo ishte zhvillim pozitiv. Por kjo përkoi me shembjen e shumë institucioneve shoqërore e, si grupi më i prekshëm ekonomikisht, romët u prekën më së shumti dhe hendeku mes tyre e shoqërisë së përgjithshme u zgjerua.
Të gjithë bëjnë sikur s’shohin
Në janar 2007, ndërsa Rumania dhe Bullgaria iu bashkuan Bashkimit Evropian, romët u bënë pakica më e madhe etnike e zonës, duke shkuar mes 8 dhe 10 milionëve. Por madhësia s’do të thotë pushtet dhe në shtetet e reja anëtare romët mbesin në disavantazh të dukshëm, të qarkuar nga diskriminimi, shpërfillja dhe përjashtimi.
“Nuk them se të gjithë romët janë të rrezikshëm, por shumica e tyre janë,” thotë Anton Ivanov, bullgar 22-vjeçar nga Krasna Poliana, lagje që shtrihet ngjitur me lagjen Faculteta. Këtë gusht, pesë njerëz u plagosën rëndë kur një grup romësh bënë një sulm hakmarrës për rrahjen e një djali të tyre.
Zona është e njohur për tensionin etnik, megjithëse zyrtarisht nuk ekziston një problem i tillë. Marko Popov, rom 17-vjeçar, dukë shkuar në shtëpi në Faculteta, thotë: “Ne jetojmë normalisht me bullgarët e Krasna Polianas,” duke shtuar gjithsesi që “normalisht” nënkupton përbuzje reciproke mes romëve dhe bullgarëve etnikë si dhe grabitje e rrahje ditë për ditë.
Por zyrtarët e mohojnë që këto incidente shkaktohen nga racizmi, duke e klasifikuar incidentin e gushtit si turbullirë rutinë. Po kështu, një incident tjetër në gusht kur një 17-vjeçar rom u rrah për vdekje nga bullgarët në qytetin e Samakovit u përshkrua nga policia si “përplasje mes bandave rinore”.
Ndërkohë, paragjykimet e të rinjve si Ivanovi japin një terren pjellor për elementët e të djathtës që janë gjithnjë në rritje. Bojan Rasate, kreu i Bashkimit Kombëtar bullgar është bërë heroi i Ivanovit, duke krijuar një skuadër kombëtare vullnetarësh për të “mbrojtur” popullsinë bullgare nga “ngacmimet rome dhe fatkeqësitë natyrore”.
“Ishte koha të merreshin masa kundër tyre, dhe i jemi shumë mirënjohës Bojan Rasates,” thotë Ivanovi, që i shkëlqejnë sytë me entuziazëm.
Ashtu si me anëtarët e rinj nga Evropa Lindore, Komisioni Evropian e ka nxitur Rumaninë dhe Bullgarinë të përdorin një politikë të zero-tolerancës kundrejt racizmit para se t’i bashkoheshin Bashkimit Evropian. Sipas Katharina von Schnurbein-it, zëdhënëse e Vladimir Spidla-s, Komisioneri i Çështjeve Sociale që e llogarit çështjen rome si pjesë të portofolit të tij, kjo përfshinte “ndjekjen ligjore të incidenteve që ndodhin në ngulimet rome dhe luftimin e keqtrajtimit të njerëzve.”
Por pak ndryshim është bërë dhe pranimi se racizmi ekziston mbetet tabu. Kjo, bashkë me shpërfilljen kronike, i ka bërë politikat e miratuara nga autoritetet bullgare si “Dekada e përfshirjes rome” ose “2007 – Viti evropian i rasteve të barabarta”, letra të vdekura.
Një shëtitje në Stolipinovo ta vërteton këtë përshtypje. Shtrirë në periferitë e qytetit të dytë të Bullgarisë,Plovdivit, me 35,000 banorët e saj ajo është getoja e dytë për nga madhësia në Bullgari. Në mesditë në një ditë të zakonshme jave, rrugët janë të mbushura dhe të gjalla. Fëmijët luajnë në baltë, burrat nguten në grupe të vogla dhe gratë lajnë rroba në oborr.
Por banorët ndjehen të privuar vazhdimisht dhe vuajnë nga sëmundje të shumta. “S’kemi pasur ujë të rrjedhshëm për dhjetë vjet,” ankohet një grua shtatvogël me sy blu dhe me flokë të mbledhur gungë. “Të tre fëmijët i kam pasur me hepatit për këtë shkak.”
Ajo vazhdon: “Kanë morra sepse s’mund t’i laj. Disa njerëz më akuzojnë se s’i çoj në shkollë. Si mund t’i çoj në këtë gjendje? S’kam për t’i çuar!”
Problemet e shëndetit dhe sigurisë aq të dukshme në Stolipinovo, përsëriten në Markevo, një fshat i njohur për kushtet e varfra në malet e Rodopit në jug, afër qytetit Garmen. Origjina e tij zë fill në vitet 1960, kur një fis që punonte shporta u vendos aty duke iu bindur dekretit të vitit 1957.
Qysh atëherë ai ka qenë burim epidemish lokale për shkak të gjendjes së dobët sanitare. “Vetëm 500 metra tub nevojiteshin që kjo mëhallë të lidhej me sistemin e furnizimit me ujë të qytetit,” thotë Kalina Bozeva, kreu i Iniciativës Ndëretnike për të Drejtat e Njeriut në Bullgari. “Ishte përgjegjësi e bashkisë por kjo u bë vetëm tash vonë si pasojë e një projekti OJQ-sh.”
Petar Dikov, arkitekti kryesor i Sofjes, shpjegon se zonat e populluara nga romët zakonisht përfshiheshin në planet urbane si zona industriale me qëllim që të çliroheshin bashkitë nga detyrimi i ndërtimit të infrastrukturës.
Është pak a shumë e njëjta gjë përtej kufirit në Rumani, ku sipas Magda Matache, kreu i një grupi rom për të drejtat e njeriut në Bukuresht, Romani CRISS, fshatra dhe ngulime të tilla zakonisht nuk kanë ujë të rrjedhshëm. “Njerëzit vetëm mund ta ëndërrojnë një sistem kanalizimi,” thotë ajo. “U duhet të ecin me kilometra çdo ditë për te pusi më i afërt për të çuar ujë në shtëpi.”
Dështimi fillon në shkollë
Në mesin e shumë gabimeve dhe lëshimeve të bëra nga qeveria bullgare sa i përket romëve, asnjë s’ishte më thelbësore apo shkatërrimtare sesa mënyra se si e keqpërdori ajo çështjen e shkollimit. Një politikë veçimi ka privuar breza romësh nga shanset e përparimit kundrejt pjesëmarrjes së barabartë në tregun e punës.
Në epokën komuniste, romët mund të studionin vetëm në shkollat e afërta të ngritura për t’i përgatitur për punë hamalli apo të nivelit të ulët. Lëndët e dhëna në shkollat “normale”, si matematika dhe historia, ishin lënë jashtë.
“Ato kanë prodhuar breza të tërë njerëzish të paarsimuar,” thotë Krasimir Kunev, kreu i Komitetit Bullgar të Helsinkit. Sot pothuajse 70 për qind e fëmijëve rom vazhdojnë të studiojnë në shkolla de facto të veçuara, sipas një raporti të vitit 2006 të këtij Komiteti. Kjo, shpjegon ai, e bëri grupin rom më të prekshmin ndaj depresionit ekonomik dhe papunësisë së lartë në tranzicionin post-komunist. Dhe megjithëse shteti u ndërgjegjësua për shtrirjen e problemit në fillim dhe në mes të viteve 1990, ka bërë pak për ta zgjidhur këtë çështje përveç dhënies së ndihmës sociale.
“Ky ishte dështim i madh,” thotë Rumyan Sechkov. “Ishte zgjidhja e lehtë; njerëzit pa kualifikime mbetën të pakualifikuar dhe të margjinalizuar.” Ndërkohë, sipas historianit, bullgarët e zakonshëm i gjykonin këto ndihma sociale si të padrejta, gjë që nxiste tension shoqëror.
Shkalla e problemit ka qenë në rritje, duke krijuar një kulturë varësie. “Tani po përballemi me një problem kombëtar, sepse një brez i tërë romësh është rritur dhe s’i ka parë kurrë prindërit të ngrihen në mëngjes e të shkojnë në punë,” shprehet Sechkov.
Më 2006, 58 për qind e ekonomive familjare rome merrnin në një formë a në një tjetër ndihmë sociale, sipas ministrisë së punës. Por kjo do të ndryshojë. Prej 1 janarit 2008, rregulla të reja do ta kufizojnë periudhën gjatë së cilës mund të marrësh ndihmë sociale në 18 muaj. Ndërkohë që synon ta kufizojnë abuzimin me sistemin, kritikët ngulin këmbë që ky zhvillim do të jetë i kotë nëse nuk shoqërohet nga politika që fokusojnë arsimimin e dobët dhe papunësinë.
Roza Tzvetanova, 54 vjeç, është e ulur buzë trotuarit para shtëpisë së saj në Stolipinovo. Me kokën e mbuluar nga një shall ngjyrë trëndafili ajo e rrotullon cigaren në gojë ndërsa shpjegon se si ajo dhe pesë fëmijët e saj jetojnë me ndihmë sociale, pasi të shoqin e ka në burg. Kur dëgjon se nuk do të ketë më ndihmë sociale, xhindoset: “A mos kanë luajtur mendsh? Duan të na shfarosin mua dhe fëmijët e mi! Askush s’e punëson një grua 50-vjeçare me shkollë fillore. S’e kuptojnë këtë?”
Bullgaria nuk është e vetmja në rajon që nuk i jep romëve të vet arsim të mirë. Në dekadat e shkuara, standardet kanë mbetur të ulëta anembanë Evropës Juglindore, duke i dhënë romëve pak shanse për t’i shpëtuar varfërisë dhe për të marrë pjesë si të barabartë në shoqëri. Por ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë marrë hapat e para në drejtim të prishjes së këtij qarku vicioz, Bullgaria vazhdon ta shpërfillë këtë problem.
Sipas regjistrimit të vitit 2001, 20 për qind e romëve në Bullgari të moshës 20 vjeç e sipër janë krejtësisht analfabetë. Por megjithëse ky numër po rritet, Ministria e Arsimit duket se nuk ka strategji për ta zgjidhur këtë çështje. Në vitin 2002, për shembull, qeveria lëshoi një urdhër që nxënësit e pakicave etnike të integrohen në rrymën qendrore, por nuk i kërkoi bashkive të vepronin në përputhje me këtë. Dhe sipas raportit të vitit 2006 të Kunev-it, ato s’e bënë një gjë të tillë.
Autoritetet rumune janë më proaktive dhe qysh në vitin 1993 kanë ndërmarrë masa pozitive për të rritur përfshirjen e romëve në shkollat e mesme dhe universitete. Si pasojë, 400 studentë romë u regjistruan në vitin akademik 2005-2006 në universitete të ndryshme.
Magda Matache e përshkruan politikën pozitive të veprimit të Rumanisë si të suksesshme, duke cituar raporte ku thuhet se numri i romëve që shkojnë në shkolla është rritur dhe po diplomohen gjithnjë e më shumë. Ndërkohë që rezultatet do të jenë të dukshme në të ardhmen, ajo beson se pasojat e para po nxjerrin krye qysh tani, kur ata që po marrin arsimim të duhur kthehen në model për bashkësitë e tyre ose qëndrojnë në qytete dhe gjejnë punë. “Punojnë ose në institucione ose në sektorin e shoqërisë civile [e jo në tregti], por ky është gjithsesi një hap përpara,” mëton Matache.
Edhe në Serbi duhen marrë masa të duhura. Sipas regjistrimit të vitit 2002, pothuajse 62 përqind e romëve serbë nuk e përfunduan shkollën fillore, ndërsa më pak se 8 përqind e përfunduan nivelin e dytë, kur një përqindje tepër e vogël prej 0.3 përqind kryen arsimin e lartë. Gjithsesi, qeveria kohët e fundit ka caktuar fonde shtesë buxhetore për bursa studimi për studentët romë.
Pasojat kanë qenë dramatike, veçanërisht kur numri i studentëve të regjistruar në shkollat e mesme krahasohet me dy vitet e kaluar. “Në 2005-2006, ia dolëm të regjistrojmë 88 nxënës romë në shkollat e mesme, ndërsa numri në 2006-2007 ishte 260,” thotë Ljuan Koka, drejtor i Sekretariatit për Strategjinë Rome në Serbi.
Një burim i pashfrytëzuar pune
Ekspertët pajtohen që parakushti kryesor për përmirësimin e perspektivës socio-ekonomike të romëve është ulja e përqindjes së papunësisë.
Ironia është se vendet si Bullgaria po vajtojnë mungesën e punëtorëve. Në fakt, sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore mbi Evropën Lindore, Bullgaria rrezikon uljen e zhvillimit ekonomik nëse nuk merret me mungesën e punëtorëve si në punët profesionale, ashtu edhe në ato jo-profesionale. Dhe ndërsa ai sugjeron përdorimin më të mirë dhe arsimimin e punëtorëve të brendshëm “përmes reformimit të sistemeve arsimore dhe përmirësimit të lëvizshmërisë së brendshme,” shprehet gjithashtu që duhen sjellë punëtorë nga jashtë.
Evgeni Ivanov i Konfederatës së Punëdhënësve dhe Industrialistëve në Bullgari thotë se është qesharake që vendi të kërkojë punëtorë të huaj kur ka një forcë punëtore të pashfrytëzuar në shtëpi. “Bullgaria i ka të gjitha burimet financiare dhe njerëzore që i duhen për t’i integruar romët në tregun kryesor të punës,” tregon ai.
Ivanov-i parashikon që ministria e punës do të ketë afërsisht 1 miliard euro në dispozicion nga Fondet Strukturore të Bashkimit Evropian për t’i harxhuar në programe që merren me romët. “Por ne nuk kemi informacione që ministria po punon aktualisht në këtë çështje,” shton ai. “Ne vetëm i dëgjojmë tek flasin në kohën e ardhshme.”
Ivanov-i thotë se bashkësia e biznesit duhet t’i mbështesë masat proaktive për t’i ndihmuar romët të përfshihen në punësim. “Si punëdhënës, neve s’na intereson etnia ose kombësia [e punëtorëve], janë aftësitë që janë të rëndësishme.”
Por ka pak shenja se qeveritë në rajon po punojnë aktivisht për t’i përmirësuar perspektivat e punësimit të bashkësisë rome. Në Serbi, Bullgari dhe Rumani, autoritetet nuk e kanë gjetur një formulë të duhur për t’i përmirësuar shanset e tyre përmes skemave të trajnimit, për shembull.
Rumania filloi të merrej me romët me panaire punësimi në vitin 2001, por nuk ka pasur rezultate domethënëse. “As ne, as ministria e punës nuk bëmë fushatë të mjaftueshme në mesin e bashkësisë rome, dhe në fund, ndërsa punëdhënësit erdhën [në panaire], romët s’u dukën kund,” thotë Gelu Domenica, kreu i Agjencisë për Zhvillimin e Komunitetit Impreuna në Bukuresht.
E njëjta gjë ndodhi në Bullgari: megjithëse panairet e punës janë mbajtur qysh prej vitit 2005 në lagjet rome, pasojat kanë qenë të papërfillshme. Zyrtari i ministrisë së punës Georgi Krastev e pranon që kurset financuar nga qeveria deri tani nuk janë ndjekur nga më shumë se 4,000 romë.
“Këto janë vetëm zgjidhje të përkohshme,” thotë Georgi Georgiev, 46-vjeçar, që ndoqi një panair pune në shkollën e Stolipinovos dy vjet më parë. Bashkë me djalin e tij 20-vjeçar, Iliya, ai gjeti punë në pastrimin e plehrave në një vend ndërtimi në Plovdiv. Por kur u mbarua ndërtesa disa muaj më vonë, të dy u kthyen te ditët e lojës me letra në geto.
Përveç kësaj, “vetëm disa njerëz nga lagjja jonë shkuan në panair, ngaqë pothuajse askush s’e dinte se ku dhe kur do të zhvillohej,” shton Georgiev-i. “Mbaj mend që zyrtarët e ministrisë së punës, punëdhënësit dhe gazetarët ishin më shumë se romët që kishin ardhur.”
Mos u var te Brukseli
Ndërsa Serbia pret negociatat e antarësimit me Bashkimin Evropian, shumë veta e shohin këtë si kohë ideale për t’i ngritur marrdhëniet me romët në një nivel tjetër. Aktivistët dhe grupet për të drejtat e njeriut në veçanti po shpresojnë në trysninë e jashtme për t’i shtyrë politikat shtetërore kundrejt romëve në një drejtim pozitiv.
Ferhad Saiti, kreu i RTV Nisava, OJQ, thotë se Bashkimi Evropian do të jetë gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë romëve të Serbisë. Por përvojat e fundit të Bullgarisë dhe Rumanisë duhet të shërbejnë si përkujtesa se optimizmi i Saiti-t mund të jetë i gabuar.
Të dy fqinjët e Serbisë iu nënshtruan reformave radikale si pasojë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk u gjet për problemet e bashkësive përkatëse rome. Trysnia nga Brukseli ishte e pamjaftueshme për të shkaktuar ndryshime reale dhe po ulet tashti që Bullgaria dhe Rumania janë antarësuar.
Në Rumani, gjendja e keqe e romëve u përmend në disa raporte monitorimi para hyrjes në Bashkim Evropian që ishin “tejet të ashpër” sipas Radu Motoc të Fondacionit Soros në Bukuresht. Në shtator 2006, Komisioni Evropian vërejti “rastet e dhunës institucionale kundër romëve si bastisje policore dhe dëbime në bashkësitë rome, pa u dhënë mundësinë e akomodimit alternativ”.
Sa i përket Bullgarisë, aty shprehej shqetësim që qasja e qeverisë ndaj ngulimeve të paregjistruara, kryesisht të romëve, kishte “çuar në tensione”, duke shtuar se: “Nevojiten përpjekje të mëtejshme për t’i luftuar të gjitha format e intolerancës”.
Por përtej nxjerrjes së raporteve kritike, Brukseli nuk shkaktoi shumë ndryshim në gjendjen apo perspektivën e romëve. Në letër, Rumania dhe Bullgaria tani i përmbahen standardeve të Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut, punësimin, strehimin dhe arsimin.
Ndërkohë që Katharina von Schnurbein e Komisionit përshkruan se si Brukseli “punoi ngushtë me Bullgarinë dhe Rumaninë për të ngritur programe të ndryshme mbështetjeje që synonin përmirësimin e gjendjes së strehimit, arsimit dhe shëndetësisë për romët,” Radu Motoc thotë se qasja e Bashkimit Evropian ishte e mangët. “Kishte sektorë që u përjashtuan fare [në procesin e antarësimit të Rumanisë], të tillë si sektori shoqëror. Si bullgarët, ne u përqendruam në anti-korrupsionin dhe reformën e gjyqësorit.”
Në Bullgari, Kalina Bozeva frikësohet se hapat e ngadaltë të hedhur drejt përmirësimit të gjendjes së romëve do të ndalen si pasojë e zbutjes së presionit të jashtëm të para-anëtarësimit. Organizata e të drejtave të njeriut e saj është njëri nga grupet që po përpiqet ta shtyjë Evropën që ajo nga ana e vet ta nxisë integrimin e romëve si kryesorin në agjendën politike.
Në Rumani, OJQ-të kanë lobuar për caktimin e një komisioneri të pakicave në Komisionin Evropian, të bindur se raporti i Komisionerit Spidla është tepër i gjerë. Por më kot. “Tani për tani është veç ëndërr,” e pranon Dominica.
Komisioni Evropian i hedh poshtë akuzat që është zbutur sa i përket romëve, duke cituar mbështetjen e Fondeve Strukturale të tij për përfshirjen e tyre. “Komisioni po punon shumë ngushtë me Bullgarinë dhe Rumaninë për t’u siguruar që sfida kryesore e përfshirjes së romëve të futet si në planifikim ashtu edhe në zbatim,” thotë von Schnurbein.
Por e parë nga një kënd tjetër, përkushtimi duket i dyshimtë. Siç tregon Gruia Bumbu, kreu i Agjencisë Kombëtare Rumune për romët, 240 milion eurot e harxhuara nga Komisioni në dekadën e shkuar për programe të përfshirjes së romëve shkojnë pothuajse në tre euro në vit për çdo rom, “ndërkohë që jepet një subvencion prej 32 - 35 eurosh për çdo lopë.”
Romët si aset e jo si detyrim
Përballë këtij sfondi të errët, disa ekspertë po kërkojnë një qasje të re, më novatore ndaj romëve anembanë Evropës Qendrore e Lindore, duke thënë që qasja aktuale e përqendruar në ndihmën sociale jo vetëm që shkatërron jetë, por kushton shumë financiarisht.
Ekonomistët bullgarë Lachezar Bogdanov i Industry Watch, firmë konsultimi, dhe Georgi Angelov i Institutit të Shoqërisë së Hapur, në një raport titulluar Integrimi i romëve në Bullgari, thonë se një qasje më proaktive, që përfshin rritjen afatshkurtër të shpenzimeve qeveritare, do të shpejtonte mobilizimin e romëve në forcën e punës, dhe do të shkaktonte kursime të përgjithshme buxhetore vetëm brenda dhjetë vjetëve.
Ata thonë se gjysmë miliardi i eurove që do të shpenzojë Bullgaria në dhjetë vjetët e ardhshëm në programe të veçanta për romët mund të prodhojë të ardhura nga 7.5 deri në 15 miliard euro nëse investohet më me mençuri sesa në ndërtim kapacitetesh.
“Nëse do të ishte projekt pronash, sipërmarrësit privatë do ta merrnin menjëherë ngaqë investimi do të shihej si i vlefshëm,” thotë Bogdanov. “Por bullgarët, dhe veçanërisht shteti, nuk e konsiderojnë pakicën rome si taksapagues potencialë ose si një burim të forcës së ardhshme të punës dhe GDP-së.”
Gelu Domenica pajtohet se qasjet aktuale të qeverive në rajon kanë dështuar. “Ne duhet ta ndryshojmë diskursin nga perspektiva e të drejtave të njeriut në arsyet për të investuar në bashkësitë rome,” shtjellon ai. “Na duhet ta ndërgjegjësojmë shtetin se puna në bashkësinë rome është më e lirë dhe më e lehtë për t’u gjetur sesa të sillen punëtorë prej jashtë.”
Përfaqësuesit e qeverisë e pranojnë lirisht tezën e fuqizimit ekonomik të romëve, por pastaj nuk e luajnë as gishtin. Kështu, Georgi Krastev shtjellon që ndërsa integrimi ekonomik i romëve është i detyrueshëm, “ai nuk është detyra [kryesore] e shtetit. Nismëtarë duhet të bëhen bashkitë.” Gjithsesi, ai nuk e përmend që buxhetet bashkiake caktohen nga qeveria qendrore.
Të gjithë sektorët e shoqërisë, me sa duket, pajtohen mbi nevojën për ta mobilizuar potencialin ekonomik të romëve në shekullin XXI dhe pranojnë që kjo është e mundur vetëm përmes investimeve afatgjata e të qëndrueshme në bashkësi. Por as qeveritë kombëtare, as Brukseli, nuk duken të gatshëm të bëhen nismëtarë që kjo të ndodhë.
Skenat e Botës së Tretë nga getot e romëve të Bullgarisë duket se do ta kenë fatin të mbesin pjesë e peizazhit të Evropës edhe për vitet që do të vijnë.



