Shtetet e pasura joshin talentet sportive të ish-Jugosllavisë
Qeveritë e rajonit po zgjohen vonë sa i përket nevojës për ta ndaluar ikjen e kampionëve të tyre të ardhshëm.
Nga Milorad Ivanović në Beograd, Sarajevë, Zagreb dhe Londër
Dhjetëra mijëra beogradas i pritën si heronj të përkëdhelurit e tenisit serb Ana Ivanović, Jelena Janković dhe Novak Đoković, pas performancave mahnitëse të tyre në French Open në qershor 2007.
Vetëm pak prej tyre e dinin se idhujt e tyre sportivë për pak mund t’i kishin sjellë gëzim fansave në Britani, Australi apo ndonjë vend tjetër, ngase që të tre kanë marrë oferta joshëse për ta ndërruar shtetësinë. Babai i Ivanovićit, Miroslavi, thotë se vajza e tij ka hedhur poshtë shumë prej tyre, përfshirë një nga Australia.
“Pasaportat australiane, amerikane dhe të Bashkimit Europian e rrisin vlerën e tregut të një atleti me 10 ose 20 herë, që do të thotë se sportistët nga këto vende marrin shumë më shumë para nga sponsorët,” shpjegon Ivanović. Më praktikisht, ata heqin qafe detyrimin e bezdisshëm për të nxjerrë viza, diçka që as ata që luajnë në turne të nivelit të lartë s’kanë mundur ta shmangin, megjithëse regjimi i ri i vizave i Bashkimit Evropian do t’i lehtësojë gjërat vitin e ardhshëm.
“Kur ajo ishte e re dhe me plot ide, mendoi për marrjen e shtetësisë së një vendi tjetër,” thotë Ivanović. “Kishte shumë oferta dhe ndonjëra prej tyre ishte shumë e mirë për të qenë e vërtetë, por asaj nuk i shkoi mendja për ta ndryshuar kombësinë në momentin që filloi të jetonte mirë nga tenisi.”
Më 2007, British Lawn Tennis Association takoi prindërit e Novak Đokovićit duke u thënë se ai do të ishte në gjendje të merrte sponsorë më të majmë po të luante për Britaninë. Đokovići e hodhi poshtë ofertën mes një furie mediale mbi këtë çështje.
Por, të përballur me shanse të kufizuara për zhvillim profesional, shumë atletë të tjerë ballkanas janë dorëzuar. Marko Pešić, djali i trajnerit të famshëm të basketbollit Svetislav Pešić, i cili e drejtoi Jugosllavinë në marrjen e medaljeve të arta në kampionatin evropian më 2001 dhe atë botëror më 2002, mori shtetësi gjermane.
“Fillimisht, e hodha poshtë ofertën për pasaportë gjermane për arsye patriotike, por nuk isha në rrezen e ekipit jugosllav ndërkohë që doja të luaja në ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare,” tregon ai. “Ndoqa këshillën e prindërve dhe e realizova ëndrrën duke luajtur për Gjermaninë.”
Të rri apo të iki?
Në një vend që ende po shërohet nga më shumë se dhjetë vjet luftë dhe izolim ndërkombëtar nën Slobodan Miloševićin, shumë nga atletët e shquar të Serbisë po hamenden a të rrinë a të ikin.
Një anketë jozyrtare me 100 atletë e zhvilluar për këtë raport tregoi se 54 për qind e tyre do ta merrnin parasysh ikjen nëse do t’u jepej shansi. Tridhjetë për qind e tyre thanë se motivi kryesor ishte financiar, ndërsa 18 për qind s’ishin të kënaqur me politikat e qeverisë për sportet. Afro 16 për qind cituan problemet me viza ndërsa 8 përq ind besonin se mund të arrinin rezultate më të mira në vende të tjera. Askush nuk e përmendi politikën si motiv. Anketa nxori që 54 për qind ishin asnjanës se a kishte ndonjë aspekt moral në çështjen e ndryshimit të kombësisë. Njëzetedy për qind e gjykuan si lëvizje pozitive, ndërsa 20 për qind të tjerë besonin se kjo ishte e gabuar.
Duke iu kthyer destinacioneve, 54 për qind thanë se do të shkonin në çdo vend që do t’u bënte një ofertë të mirë, 12 për qind përmendën Italinë dhe 5 për qind Shtetet e Bashkuara. Franca, Zvicra, Gjermania dhe vendet e tjera kishin përqindje më të vogla.
Jasna Bajraktarević, psikologe në Universitetin e Sarajevës, thotë se rezultatet e anketës nuk janë fort të habitshme, duke shtuar që i njëjti nivel interesi në emigrim mes atletëve pasqyrohet në të gjitha vendet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia. Ajo ngulmon që atletët që e ndryshojnë kombësinë “në asnjë rrethanë s’duhen quajtur jo-patriotë”.
“Çdo vend që s’është në gjendje t’u krijojë atletëve të vet parakushtet themelore për të garuar priret të përballet me një krizë të tillë,” vëren ajo. Risia e ujdisjeve politike në rajon është një faktor tjetër i rëndësishëm në këtë kundërthënie, vazhdon Bajraktarević: “Shtetet që pasuan Jugosllavinë janë më të reja në moshë se shumica e atletëve të tyre aktualë, kështu që s’është aspak e qartë se sa identifikohen ata me vendet e veta të sapokrijuara.”
Pikë së pari, ata duan lëvizje të lirë
Një arsye për ndryshimin e kombësisë është ashpërsia e regjimeve të vizave, trashëgimi e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Megjithëse yll sportiv në Serbi, Ana Ivanović ende rri në radhë para ambasadave për të marrë vizë kur udhëton. “Ajo shpesh nuk kishte kohë dhe i duhej të priste jashtë ambasadës vetëm pak orë para fluturimit,” kujton i ati i saj, Miroslavi.
Me gjasë, shumica e atletëve s’do të përballen më me këtë gjë. Më 18 shtator, Bashkimi Evropian nënshkroi marrëveshje vizash me Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë që do t’ua mundësojnë disa kategorive të qytetarëve liri më të madhe lëvizjeje. Nga marrëveshja, që pritet të hyjë në fuqi në janar 2008, do të përfitojnë kryesisht atletët, studentët, tregtarët dhe gazetarët. Ata do ta kenë më të lehtë të marrin viza dhe do të paguajnë vetëm 35 euro për të, pothuajse gjysma e kostos standarde.
Tenistja më e mirë serbe, Jelena Janković, i është nënshtruar trazimeve të ngjashme si ato të Ana Ivanović-it. Në një intervistë të fundit me javoren serbe Ilustrovana Politika ajo tha se kurdoherë që udhëtonte, merrte jo më pak se katër pasaporta serbe të lidhura bashkë.
“Të katërta janë plot me viza, që shpesh i ngatërrojnë zyrtarët e pasaportave, që më pyesin se sa njerëz po udhëtojnë me mua,” u shpreh ajo. “Kur e kuptojnë se të gjitha janë të miat, më kërkojnë me mirësjellje t’ua gjej vizën për në vendin e tyre, ngaqë do t’u hante shumë kohë ta gjenin vetë.”
Miroslav Ivanović, familja e të cilit shkoi në Zvicër disa vite më parë, por duke e mbajtur shtetësinë serbe, thotë se ndryshimet e fundit të Bashkimit Evropian nuk mjaftojnë për sportistët e vendit. Ai kërkon që atletët e mirë të Serbisë të marrin pasaporta diplomatike si “njerëz që e përmirësojnë reputacionin ndërkombëtar të vendit”.
Sportet si çështje familjare
Shumë familje të yjeve sportive në Serbi thonë se u është dashur të bëjnë punën që duhej ta kishte kryer shteti në një vend më të zhvilluar.
Trajnerja 71-vjeçare e tenisit Jelena Genčić, e cila zbuloi Novak Đoković, Monika Seleš dhe talente të tjera, thotë se familjeve u është dashur të kompensojnë mungesën e ndihmës institucionale. “Nëse babai këmbëngulës i Novakut s’do të kishte bërë kaq sakrifica personale, djali s’do të ishte bërë ky lojtar që është sot,” mëton Genčić.
Roli i madh i luajtur nga familjet e yjeve të sportit në Serbi shkakton problemet e veta, vazhdon Genčić. Disa prindër “mund të jenë problematikë ngaqë e shohin talentin e fëmijëve të tyre kryesisht si rast për të fituar para”, thotë ajo. “Ata mendojnë se ‘Nëse fëmija im bëhet i pasur, bëhem edhe unë.’ Disa e shohin ndryshimin e shtetësisë të fëmijëve të tyre si marrëveshje të mirë financiare.”
Genčić e lavdëron babin e Đokovićit, Srđanin, për nisjen e një fushate për të ndërtuar një akademi tenisi për Serbinë, një projekt që është ende në fazën e planifikimit. Novak Đoković shpjegon arsyen e kësaj: “Jelena Janković shkoi në Shtetet e Bashkuara, Ana Ivanović në Zvicër, ndërsa unë ushtrova në Gjermani dhe Itali... Serbia është plot me talente të reja dhe kemi nevojë të ndërtojmë një akademi për t’i mbajtur ata këtu.”
Ai shton: “S’mund ta shpjegoj se si u bëmë një forcë në tenis, ngaqë nuk kishte themele për sukses në vendin tonë. E di se ç’kemi kaluar unë, Ana dhe Jelena, të gjithëve na është dashur të ikim jashtë për të ecur përpara.”
Gjithsesi, punët mund të jenë duke ndryshuar për mirë për yjet sportive në Serbi, duke e ulur nevojën e tyre për t’u mbështetur tek prindërit ose për të emigruar dhe për të marrë shtetësi të huaj.
Në korrik, Verano Motors, një nga shitësit më të mëdhenj të makinave në vend, nënshkroi një kontratë tre-vjeçare me Ana Ivanović, për shembull. Termat e kontratës janë mbajtur të fshehta, por drejtori i kompanisë, Jovan Šijan, e përshkruan atë si kontratën më të madhe të sponsormit në historinë e Serbisë, duke thënë se ajo synon t’i mbajë talentet e reja në vend.
“Kompanitë serbe duhet t’u japin atletëve të rinj shtyrje për të qëndruar këtu,” vazhdon Šijan. “Ne besojmë se veprimi jonë do t’i nxisë talentet e tjerë të ndjekin hapat e Ana Ivanovićit.”
Qeveria i është bashkuar fushatës dhe ministrja e re e sporteve, Snežana Samardžić Marković, ka thënë se pengimi i eksodit të talenteve sportive është përparësi.
Ana Marković, nga ministria, thotë se qeveria ka ndërmarrë hapin e parë duke lëshuar një dekret që e detyron shtetin t’u japë atletëve të suksesshëm shpërblime të mira. “Duam të krijojmë kushtet më të mira për atletët tonë dhe të sigurohemi që ata të cilët fituan çmime për vendin në të shkuarën të kompensohen,” pohon Marković. Një projektligj më i gjerë për sportet po përgatitet aktualisht dhe do të debatohet në Kuvend së shpejti.
Genčić e pranon që miratimi i legjislacionit të ri mbi sportet është jetik. “Puna në klub është shumë e vështirë kur ke pesë a gjashtë talente dhe nuk ke para sa duhet për t’i mbështetur të paktën dy prej tyre,” thotë ajo. Kushtet janë më të mira sot sesa që ishin, por “kemi humbur një brez të plotë me 10 deri në 15 lojtarë në dy vitet e fundit”.
Një nga këto talente të humbura është Alex Bogdanović, lojtari i tretë britanik në turneun ATP, që iku nga Beogradi në Britani kur ishte tetë vjeç dhe mori shtetësinë britanike. Ai u largua nga Kupa Dejvis në qershor 2007 pasi iu kërkua të luante kundër Serbisë, duke thënë se e kishte të vështirë të luante kundër vendit të vet.
Genčić thotë se vendet e pasura më përpara i jepnin shtetësi talenteve në formim, por tashti parapëlqejnë joshjen e lojtarëve të formuar, tek të cilët nuk ka nevojë të investohet. “Kjo është arsyeja pse Novakut [Đoković] iu ofrua shtetësia britanike vitin e kaluar,” shpjegon ajo.
Oferta ndaj Đokovićit u prit me ndjenja të përziera në vetë Britaninë, ku disa veta thanë se dhënia e shtetësisë britanike kanadezit Greg Rusedski nuk kish qenë e drejtë. Por disa të tjerë i kërkuan Shoqatës Britanike të Tenisit të bënte çdo gjë që kishte në dorë për ta joshur Đokovićin, gjë që i bëri jehonë edhe media amerikane. Sun Sentinel e Floridës në verën e vitit 2006 i kërkoi britanikëve “të bënin gjithçka që do ta bënte Đokovićin të tyrin”.
“Jepini trajtim mbretëror: Çelësat e Mbretërisë së Bashkuar. Një Spice Girl. Një ditë kërcimi me Eddie the Eagle. Një turrë librash nënshkruar nga JK Rowling. Gjithçka që dëshiron Đokovici,” bërtiti ajo.
Tung, mirupafshim, aufwiedersehen, goodbye
Milan Jajčinović, analist nga Zagrebi, thotë se ikja e atletëve të njohur ka qenë traumë për vendet në ish-Jugosllavi, ku atletët kanë pasur një profil të lartë si përfaqësues kombëtarë.
“Ata janë diplomatët tanë më të mirë,” mendon ai. “Basketbollisti Dražen Petrović dhe tenisti Goran Ivanišević bënë më shumë për Kroacinë sesa krejt diplomacia jonë. Prandaj ka kaq zhurmë kur atletët e njohur nga vendet që i nënshtrohen periudhave të vështira ndryshojnë shtetësi.”
Disa frikësohen aq sa marrin kthesën të detyruar nga kjo zhurmë. Duje Draganja i Kroacisë, notar i shquar që mori medaljen e argjendtë në Olimpiadën e vitit 2004, mori shtetësinë e Katarit më 2005 thjesht për arsye financiare, duke mbetur në të njëjtën kohë shtetas i Kroacisë.
“Katari paraqiti kushte që një notar profesionist veç sa mund t’i ëndërrojë,” tha ai duke e mbrojtur lëvizjen e tij në një letër të hapur drejtuar medieve kroate në gusht 2005. Por Draganja ndryshoi mendim shpejt. “S’mund ta blesh lumturinë me para,” vërejti ai në një kumtesë të fundit për shtyp, duke treguar se e kishte anuluar marrëveshjen me Katarin.
Milan Jajčinović thotë se ndoshta Draganja iu përkul “trysnisë që iu bë nga thirrjet se i kishte tradhtuar interesat kombëtare kroate, duke e quajtur bile edhe tradhtar.”
Ish-tenistja e shquar Monika Seleš u përball me një zemëratë të ngjashme dhjetë vjet më parë. Lindur në qytetin verior serb të Novi Sadit, ajo mori shtetësi amerikane në majën e karrierës së saj më 1994, duke shkaktuar një shpërthim përbuzjeje në vendin e saj.
Đoković e ka mbrojtur gjithmonë lëvizjen e saj. “Monika Seleš nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se ta braktiste Novi Sadin për të shkuar në Shtetet e Bashkuara për shkak të mungesës së plotë të kapacitetit për trajnim profesional në qytetin e vet,” u shpreh ai së fundmi gjatë turneut French Open në qershor. “Njerëzit u tronditën kur ajo e bëri këtë, por ajo çka na duhet është ndërtimi i një akademie tenisi në Serbi, që të mos na duhet të bëhemi shtetas të huaj.”
Një nga arsyet e indinjatës së fortë publike në ish-Jugosllavi për atletët që marrin shtetësi tjetër është që kjo dukuri është e re në rajon. Në vende të tjera kjo nuk ndodh, ku disa atletë e kanë ndërruar kombësinë qysh prej viteve ‘1920, sipas ekspertit zviceran Rafael Poli nga Universiteti i Nojshatelit në Zvicër. Italia i joshi amerikanët jugor në vitet 1930, për shembull, dhe disa prej tyre e ndihmuan t’i fitonte titujt e Kupës së Botës më 1934 dhe 1938.
Kjo dukuri u zgjerua mbas Luftës II Botërore, kur Franca tërhoqi lojtarë futbolli dhe atletë nga kolonitë për t’i rritur nivelet e veta sportive. Gjithsesi, ideja e atletëve që e shkëmbejnë shtetësinë për arsye financiare mbeti e panjohur në vendet e ish-bllokut komunist, përfshi Jugosllavinë.
“Po t’u kërkoje atletëve në ish-Jugosllavi 30 vjet më parë se a do ta merrnin parasysh ndërrimin e shtetësisë, ata do të shtangeshin,” thotë Bajraktarević nga Universiteti i Sarajevës. “Në ato kohëra, lojtarët iknin jashtë në muzg të karrierës, kur vendi i tyre s’kishte nevojë më për ta.”
Kjo prirje erdhi në Ballkan vetëm disa vjet më parë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kur veçanërisht Serbia humbi dhjetëra atletë të niveleve të larta.
Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e atletëve serbë që janë bërë shtetas të huaj, por kërkimet e zhvilluara për këtë raport tregojnë se janë të paktën 30 qysh nga fundi i viteve ‘90. Nga vendi ikën sportistë bile edhe në fqinjët ish-komunistë si Bullgaria apo Hungaria. Nataša Janjić fitoi medalje ari në kane për Hungarinë në Olimpiadën e Athinës, për shembull, ndërsa Nenad Puljezović, Nikola Eklemović dhe Bojana Radulović iu bashkuan ekipeve hungareze të hendbollit. Zoran Janković luan për ekipin kombëtar bullgar të futbollit.
Në basketboll Vladimir Bogojević zgjodhi të luante për Gjermaninë bashkë me Marko Pešić-in ndërsa Dušan Šakota, djali i ish-trajnerit serb Dragan Šakota, iu bashkua skuadrës greke të Under-21.
Futbollisti Danijel Bogdanović zgjodhi Maltën dhe disa lojtarë të tjerë serbë kanë aplikuar për shtetësi malteze. Hendbollisti Arpad Šterbik tashti luan për Spanjën. Edhe më ironik është rasti i Branimir Subašić-it, që ka luajtur për Azerbajxhanin kundër Serbisë. Një mori lojtarësh tani kanë dy shtetësi.
Ndërkohë që disa shtete të pasura të Gjirit si Katari dhe Bahrejni u japin shuma të mëdha parash atletëve të shquar të huaj me shpresën për t’u bërë fuqi madhore sportive, disa vende afrikane i janë drejtuar masave të dëshpëruara për të penguar rrjedhjen e talenteve jashtë. Në prill 2005, Kenia tha se do t’i dëbonte atletët që merrnin shtetësinë e Katarit dhe që do të vazhdonin të jetonin në Keni.
Rafael Poli shtjellon që përderisa sporti ka qenë tradicionalisht mjet kyç në ndërtimin dhe forcimin e identitetit kombëtar, ky koncept po shpërbëhet me shpejtësi. “Rritja tronditëse në emigrimin e atletëve ka shkaktuar një gjendje ku përbërja e ekipit kombëtar të një vendi zor se e pasqyron pamjen tradicionale të tij,” thotë ai.
Për ta ulur konfuzionin gjithnjë në rritje, FIFA, organizata botërore e futbollit, vendosi në mars 2004 se lojtarët që e ndryshonin shtetësinë mund të përfaqësonin vendin e tyre të ri vetëm mbas dy vjet banimi në të. Shoqata Ndërkombëtare e Federatave të Atletikës, IAAF, në vitin 2005 vuri një standard të ngjashëm prej tre vitesh.
Ekspertët evropianë shtjellojnë që reformës në këtë fushë i ka kaluar afati. Duke iu referuar një studimi të Komisionit Evropian mbi sportin, Michal Krejza, kreu i Njësisë së Sportit të Komisionit, thotë: “Ka një kërkesë gjithnjë e më të madhe për të vënë rregull në këtë fushë. Liria e lëvizjes është një e drejtë themelore e garantuar dhe mbështetur nga Komisioni, por disa kufizime janë të nevojshme kur vjen puna te sporti”.
Ekspertja e emigrimit nga Uashingtoni Joanne van Selm thotë se atletët kanë qenë tejet të privilegjuar sa i përket ndryshimit të shtetësisë. “Shkon 10 vjet ose më tepër që një emigrant mesatar të fitojë një shtetësi [të re] në Evropë dhe kërkuesve u kërkohet të jetojnë në vendin e dytë,” thotë ajo. “Nga ana tjetër, një atlet që s’ka jetuar kurrë në Belgjikë, për shembull, mund të bëhet shtetas belg menjëherë; një emigrant s’mundet për shumë vjet ta arrijë këtë edhe pse ka shumë vjet që punon dhe i paguan taksat në Belgjikë.”
Marko Pešić pranon se statusi i tij si basketbollist ia ka mundësuar të bëhet shtetas gjerman dy muaj pasi aplikoi. Procedura standard shkon disa vite. “Kishte interes të përbashkët dhe kjo ishte thelbësore,” pranon ai.
Edhe atletët e kanë të vështirë
Uroš Mladenović, profesor psikologjie në Universitetin e Novi Sadit, thotë se ndryshimi i shtetësisë mund të jetë traumë edhe për vetë atletët.
Ndërkohë që Marko Pešić e pati të lehtë ta merrte shtetësinë gjermane, ai mëton se e merr malli të luajë për vendin e lindjes. “Gjithmonë më vinte keq pse s’e kisha pasionin e Vlade Divacit, Dejan Bodirogas, Predrag Danilovićit dhe yjeve të tjerë serbë që luanin për vendin e tyre,” kujton ai.
“Kurrë s’e ndjeva nevojën ta vija dorën në zemër kur luhej himni kombëtar gjerman. I jam mirënjohës Gjermanisë për çdo gjë që ka bërë për mua ngaqë kam pasur një karrierë të mirë dhe i kam fituar paratë atje, por më vjen keq që s’kam luajtur kurrë për vendin tim të lindjes.”
Disa atletë e paguajnë kur e harrojnë se kujt duhet t’i jenë besnikë. Notarja kroate Mirna Jukić, që mori shtetësi austriake në vitin 2000, ra brenda mbasi e zbuluan tek brohoriste në favor të Kroacisë gjatë një ndeshjeje tenisi mes vendit të saj të lindjes dhe Austrisë. Media e zemëruar lokale komentoi që zemra e saj sigurisht që rrihte “për vendin e gabuar”, bile disa sponsorë kërcënuan se do t’i anulonin kontratat me të.
“Kam mbështetur vendin tim të lindjes por nuk isha kundër Austrisë,” shpjegon me siklet Jukić. “Ata që mendojnë se erdha në Austri veç për para, siç mund të kenë sugjeruar pamjet televizive, janë krejtësisht gabim.”
Ndërkohë që më shumë para, ndërtesa dhe akademi të reja sportive mund të ndihmojnë uljen, në mos nedhe pengimin e rrjedhjes së talenteve sportive, Uroš Mladenovići thotë se rilindja e besimit kombëtar është një faktor tjetër që duhet marrë parasysh.
Atletët serbë dhe ekipet kombëtare i kanë përmirësuar performancat, thotë ai, qysh prej shprishjes së “unionit” me Malin e Zi, ngaqë kjo më në fund ua ka mundësuar të identifikohen me vendin e tyre të vërtetë.
Ajo konfederatë e lirshme, relikja e fundit e ish-Jugosllavisë me gjashtë republika, nuk kishte mundur të nxirrte shkëndija pasioni kombëtar, duke u parë si shtet i improvizuar që i ka kaluar data e skadimit.
“Çdo njeri, veçanërisht atleti, ka nevojë të jetë pjesë e një grupi,” pohon Mladenović. “Premisa themelore është që nëse vendi im është i fortë, unë dua të identifikohem me të dhe motivimi personal i vetëvlerësimit përmbushet. Prandaj atletët nga Gjermania, Britania, Franca dhe vendet e tjera të forta rrallë e ndryshojnë shtetësinë.”



