Rinia e Kosovës nuk sheh dritë në fund të tunelit

ferizi

Para një sistemi të mjerë arsimor, pasigurisë politike dhe amullisë ekonomike, shumë kosovarë të rinj vendosin të ikin.

Nga Sokol Ferizi në Prishtinë, Mitrovicë, Beograd, Novi Sad, Vjenë dhe Bruksel

“Ky vend u bo i padurueshëm! Thjesht nuk po mendoj për çka ndodh rreth meje,” thotë Erëmirë Krasniqi, studente njëzetedyvjeçare e sociologjisë nga Prishtina. Duke pirë edhe një gotë raki në një kafene të kryeqytetit, Erëmira gjen ngushëllim te miqtë e saj, njëjtë të dëshpëruar.

Qëndrimi i saj është tipik i të rinjve në Kosovë sot, pak prej të cilëve e shohin vendin e vet si mjedis ku mund t’i arrijnë synimet. Pa perspektivë pune dhe pa ndonjë zgjidhje në horizont për statusin e Kosovës, i cili duket se e pengon përparimin në të gjitha fushat e jetës, ata po i çojnë duart lart.

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Megjithëse lindshmëria ka rënë në vitet e fundit, gjysma e popullsisë së saj prej afërsisht 2 milionësh është nën moshën njëzetepesëvjeçare, sipas një raporti të fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP. Në ndërkohë që mbi 65 për qind janë nën moshën tridhjetëvjeçare, sipas statistikave qeveritare. Në Evropën Perëndimore, vetëm Irlanda, ku 40 për qind e popullsisë ishte nën njëzetepesë vjeç më 1996, i afrohet këtij profili demografik.

Por përqindja e papunësisë e saj, sipas shifrave të UNDP-së të vitit 2005, mbetet rreth 40 për qind dhe të rinjtë përbëjnë 29 për qind të kësaj shifre. Sipas statistikave rreth 530 kandidatë të papunë konkurrojnë për çdo vend të lirë pune.

Për më shumë, është e vështirë të bëhesh konkurrent, ngaqë shanset për t’u aftësuar për karrierë në Kosovë janë të pakta. Shumica shqiptare e vendit ka vetëm një institucion publik të arsimit të lartë, Universitetin e Prishtinë, reputacioni i të cilit nuk është hiç i mirë. Sa i përket pakicës serbe, të ngujuar në enklava të shpërhapura dhe në një pjesë të vogël territori në veri, ata duhet të kënaqen me Universitetin e Mitrovicës së Veriut, reputacioni i të cilit është edhe më i keq.

Shumica e të rinjve janë të zhgënjyer nga vendi i tyre i përvuajtur. Sipas raportit të vitit 2007 të UNDP-së, pothuajse 50 për qind e atyre mes moshës 15 e 24 vjeç do të emigronin nëse do t’u jepej rasti. “Definitivisht isha hup diku për pesë vjet,” thotë Krasniqi.

Në Evropë ata shohin shanse për të mësuar e punuar, por shkuarja atje s’është aspak e lehtë. Programet arsimore janë të kufizuara dhe vetëm pak prej tyre mund të depërtojnë në Evropë dhe të punojnë legalisht.

Për t’i bërë gjërat më keq, ata që ia dalin me ikë rrallë kthehen, pa pasur shans t’i provojnë aftësitë e fituara në shkretëtirën ekonomike që i pret. Për ata që s’ia dalin ka pak mundësi zgjedhjeje: të mos bëjnë asgjë – ose më keq, të drogohen, të bëhen kriminelë ose të gjejnë prehje në fe.

“Një popullsi e madhe në moshë të re nuk kryen punë, për sa kohë që s’ka aktivitet ekonomik,” thotë Rainer Münz, demograf nga Vjena. Nëse të ndriturit e rinj të Kosovës mbahen peng në këtë mënyrë për një kohë të gjatë, e ardhmja e saj do të jetë e zymtë.

A donë të gjithë diplomë?

Sipas Münz, Kosova nuk po e shfrytëzon pasurinë e vet më të çmuar – të rinjtë e vet të arsimuar. Por problemi fillon me vetë arsimin, sepse sistemi nuk i ndihmon ata që duan të dalin në sipërfaqe në një treg pune kaq të vështirë.

Florie Xhemajli, absolvente në sociologji, është e zhgënjyer thellë me cilësinë e edukimit. “Aq jam lodhë tu mendu se jam studente, saqë nuk mendoj se jam më,” thotë ajo. “Jam krejt e shkëputur me universitetin, i cili mi ka tretë ambiciet dhe mi ka humbë shprehitë e punës që i kam pas në shkollë të mesme.”

Fisnik Osmani, një student tjetër, ka të njëjtin mendim. Arsyeja e vetme pse vazhdon t’i ndjekë ligjëratat është marrja e një certifikate - “veç për qatë diplomë,” thotë ai.

Studentë të zemëruar e kanë shfryer frustrimin e tyre përmes demonstratave të ndryshme. Më 2004, një grup studentor, Nisma për një Universitet Tjetërqysh, e pat mbuluar hyrjen e rektoratit të universitetit me bërllok. Gëzim Krasniqi, njëri prej organizatorëve, tha në atë kohë që “zgjidhja e vetme për universitetin është të mbyllet” ngaqë po nxirrte “debilë me diploma”.

Qeverisja dhe Konkurrenca në Arsim të Lartë, raport i botuar në mars 2007 nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, KIPRED, e vuri në pikëpyetje cilësinë e universitetit. Duke e përshkruar si joefikas dhe të korruptueshëm, raporti renditi disa nga “trendët shqetësuese në arsimin e lartë në Kosovë”: “Provimet shpesh mund të kalohen kundrejt pagesës, riemërtimi i kurseve quhet “reformë”, kurse studentëve u duhet të përballojnë arrogancën e profesorëve, sepse në të kundërtën mund të mos i kalojnë kurrë provimet që nevojiten për diplomim.”

Raporti i KIPRED-it vazhdon tutje: “Mendimi kritik gjithashtu mbetet prioritet i ulët, vihet pak theks në debate, mësimdhënie ndërdisiplinore, punë grupesh, ose në zgjidhjen e problemeve kontekstuale.”

Disa studentë e pranojnë lirshëm se marrin para në këmbim të notave të mira. “Kam hyrë në më shumë se 30 provime për studentë të ndryshëm dhe zakonisht u kërkoj 50 deri në 100 euro, varësisht prej vështirësisë së provimit dhe rreziqeve për t’u kapë,” tha njëri nga ta, në mirëbesim.

Lindita Tahiri, anëtare e stafit akademik të universitetit, thotë se cilësia e dobët e debateve në klasa nuk pasqyrohet vetëm mbi mësimdhënësit. “Fëmijët tanë vijnë nga një arsim fillor dhe të mesëm që nuk e nxit mendimin kritik,” pohon ajo. “Kur vijnë në universitet, janë mësuar t’i memorojnë faktet dhe t’i përsërisin vazhdimisht. Ata nuk mendojnë fare.”

Së fundi, në sistemin e arsimit është krijuar një lloj konkurrence me daljen e institucioneve private, por kjo nuk ka çuar në rritje të dukshme të standardeve. Shumë prej tyre kanë hasur vështirësi në marrjen e licencës prej Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që sipas ekspertëve, 29 universitetet e kolegjet që e kanë marrë atë nuk bëjnë shumë për rritjen e cilësisë. “Është qesharake të besohet se ka më shumë cilësi në universitetet private sesa në atë publik,” thotë Milazim Krasniqi, analist dhe pedagog gazetarie në Prishtinë. “Të njëjtit pedagogë japin mësim edhe në Universitetin e Prishtinës, edhe në universitetet private!”

Pak gjasa për studim jashtë vendit

Ndërkohë që kosovarët e rinj kanë pak mundësi për t’i avancuar aftësitë në vendin e tyre të vogël, ata përballen me vështirësi të mëdha nëse duan të përpiqen diku tjetër.

Kufizimet e vizave, të zbatuara në Ballkanin Perëndimor qysh prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në fillim të viteve ‘90, janë më të rënda për Kosovën, ku mosmarrëveshjet e vazhdueshme për statusin e saj përfundimtar e bëjnë më të izoluar se fqinjët në këtë drejtim. Kështu, Kosova u përjashtua nga një marrëveshje e arritur këtë shtator për të zbutur regjimin e vizave të BE-së për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi.

Prej vitit 1999, në etapat e hershme të periudhës pas konfliktit, studentët kosovarë patën disa raste të kufizuara për arsimim. Por sipas Dukagjin Pupovcit, drejtor i Qendrës Kosovare të Edukimit, KEC, “numri i atyre që përfitojnë nga programet evropiane të bursave është pothuajse i papërfillshëm”.

TEMPUS-i (Programi i BE-së për zhvillimin e arsimit të lartë) është një prej programeve në dispozicion që nga viti 2004. Por Lindita Tahiri, koordinatorja e këtij programi në Kosovë, pranon edhe që ndikimi ka qenë i vogël. “Janë implementuar disa projekte me ndihmën e fondeve të TEMPUS-it, por programi nuk është bërë i njohur për të gjithë dhe nuk është përdorë sa duhet,” thotë ajo.

Problemi nuk qëndron tek mungesa e parave. Mes viteve 2004 e 2006, 5 milion euro janë ndarë për projektet e Kosovës, sipas zyrtarëve të TEMPUS-it në Bruksel. Puna qëndron te fakti se pak kosovarë i zotërojnë aftësitë arsimore për të shfrytëzuar programe të kësaj natyre. Si pasojë, programet në dispozicion shkojnë pothuajse kot. “Vitin e kaluar, një sasi e konsiderueshme parash nuk u përdor për shkak të cilësisë së projekteve,” thotë Jean-Marie Castelain, menaxheri i programit të TEMPUS-it për Kosovën, në Bruksel.

Erasmus Mundus është një program tjetër në dispozicion. Duke promovuar lëvizshmërinë e studentëve, ai ua mundëson të diplomuarve të ndjekin programe magjistrature në vendet e BE-së. “Ai është i hapur për të rinjtë nga e gjithë bota”, thotë Despina Christadoni e agjencisë së Komisionit Evropian që mbikëqyr zbatimin e tij.

Por Christadoni pranon se pak kosovarë kanë marrë pjesë në këtë program: “tre ose katër vitin e shkuar dhe po kaq këtë vit”, thotë ajo, duke dëshmuar kështu se standardi i ulët i arsimit në Kosovë është vendimtar në pengimin e të rinjve kosovarë nga qasja në ato pak programe bursash të huaja, që janë teorikisht në dispozicion për ta. “Synimi kryesor është të kemi kurse magjistrature me cilësi shumë të lartë, tituj me cilësi shumë të lartë dhe studentë pjesëmarrës me kualitete shumë të larta, kështu që nëse konkurron një student nga Kosova, ai ose ajo konkurrojnë me studentë nga e gjithë bota,” shpjegon Christadoni.

Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, KFOS, thotë se studentët kanë nevojë të jashtëzakonshme për më shumë mundësi udhëtimi dhe nëse s’mund t’i kenë përmes formave legale, do të gjejnë mënyra tjera. “Dikush duhet ta përmbledh guximin dhe të kërkojë marrëveshje me Evropën mbi dhënien e një lirie më të madhe lëvizjeje të rinjve,” thotë ai, “ose realiteti do të bëhet aq i padurueshëm këtu saqë të rinjtë do t’i drejtohen edhe maleve për të gjetur një të ardhme më të mirë”.

Vështirë të thyhet një rreth vicioz

Ndërkohë që mundësitë në Perëndim janë joshëse, shumë kosovarë të rinj janë të gatshëm dhe të vullnetshëm për t’i sjellë aftësitë e tyre që i kanë fituar jashtë në vendin e tyre. Por kjo nuk është e lehtë.

Arbër Domi sapo është kthyer nga Londra, ku ka mbaruar magjistraturën në ekonomi në London School of Economics, LSE. Më parë ai ka studiuar në LSE si student i jashtëm, duke iu nënshtruar provimeve në qendrën e British Council në Prishtinë për tre vjet rresht. “Tashti që jam kthyer dua ta fus në punë këtë arsim cilësor që kam marrë e që në Kosovë më ka munguar qysh prej shkollës fillore,” thotë ai.

Por ai mund të zhgënjehet nëse debati në Kosovë për “ikjen e trurit” do të vazhdojë si zakonisht. Në një debat televiziv vitin e kaluar, disa studentë që sikurse Domi qenë kthyer me tituj të fituar jashtë, u ankuan për mungesën e mundësive për t’i vënë ato aftësi në përdorim. Ata i kërkuan qeverisë që të paktën të krijonte një bazë të dhënash me të kthyerit profesionistë, në mënyrë që punëdhënës të mundshëm të dinë se kush – dhe ku – janë ata.

Kujtim Dobruna dhe Edmond Shabani janë përpjekur të bëjnë diçka për këtë boshllëk. Pasi kanë mbaruar studimet në Austri, në vitin 2002 ata themeluan Iniciativën Ekonomike për Kosovën, ECIKS. Me qendër në Vjenë, ajo shërben si qendër këshillimi, duke u ofruar investitorëve të mundshëm gjermanishtfolës një rang të larmishëm informacioni për mundësi angazhimi në Kosovë.

“Shumë kompani nga rajonet gjermanishtfolëse që dëshirojnë të investojnë në Kosovë, së pari trokasin në dyert tona për arsye të ndryshme, prej informacioneve themelore ekonomike, e deri në krijimin e lidhjeve si dhe mundësitë për investime”, thotë Dobruna.

Ndërkohë që këto nisma sigurisht që japin ndihmesën e tyre, Mimoza Kusari - Lila, drejtuesja e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe e kthyer tjetër nga jashtë, beson se nuk do të përmirësohet asgjë në masë të madhe në Kosovë përderisa sistemi arsimor të pastrohet.

Kusari - Lila, që ka studiuar në Prishtinë dhe SHBA para se të kthehej në Kosovë, e vë shumë në dyshim nivelin e arsimit në Prishtinë. “Cilësia e universiteteve këtu në përgjithësi është shumë e dyshimtë,” mëton ajo. “Gjithashtu, cilësia e aftësive të studentëve nuk është fort e lartë”.

Për serbët është ndryshe, por jo më lehtë

Të rinjtë serbë të Kosovës përballen gjithashtu me probleme, edhe pse jo të njëjta me ato të shqiptarëve. Vendi i vetëm për arsimim të lartë për ta mbetet Universiteti i Mitrovicës Veriore, UMV, themeluar pas eksodit të vitit 1999 të serbëve nga Prishtina, i cili ka punuar qysh atëherë nën mbikëqyrje të Beogradit. Megjithëse s’ka statistika të sakta, besohet se aty janë regjistruar më shumë se 6,000 studentë.

Ana Peshikan, ministrja serbe e Kërkimit dhe Shkencës, thotë se Beogradi e mbështet UMV-në maksimalisht, “dhe e trajtojmë barabar si me institucione tjera të sistemit arsimor në Serbi”.

Por shumë studentë nuk pajtohen me këtë. Miodrag Pantoviqi thotë se është gjë e mirë që mund të studiojë në gjuhën e vet amtare pa pasur nevojë të shkojë në Serbi. “Por cilësia e arsimimit ofruar në Universitetin e Mitrovicës Veriore është më e ulët,” ankohet ai. Ai mëton se përgjithësisht “ka mungesë mbikëqyrjeje nga qeveria e Serbisë”.

Jelena Kleut, nga Universiteti i Novi Sadit, që ka dhënë mësim në Mitrovicë të Veriut, thotë se shumica e studentëve “janë shumë, shumë kritikë ndaj nivelit të arsimit që u ofrohet,” dhe shton: “Shumica e të rinjve s’i besojnë qeverisë serbe. Studentët me të cilët kemi biseduar thonë se ndihma që u jepet nuk shkon përtej disa fjalime të zyrtarëve serbë, që siç vijnë ashtu edhe largohen”.

Ndërkohë, përpjekjet e organizatave ndërkombëtare për t’i afruar studentët shqiptarë me ata serbë të Kosovës s’kanë pasur kurrfarë rezultati.

Menjëherë pas konfliktit të vitit 1999 në Kosovë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, për shembull, u angazhua në ngritjen e kampeve rinore për t’iu dhënë të rinjve me etni të ndryshme një shans për t’u njohur me njëri-tjetrin. Christopher Pardier, kreu i Njësisë së Arsimit të Lartë në Misionin e OSBE-së në Kosovë, e pranon që këto kanë pasur rezultate të dobëta. Provë e dështimit për të ishte pjesëmarrja e gjerë e të rinjve në trazirat etnike që goditën Kosovën në mars 2004. “Ishte një kambanë e fortë për Misionin [e Kosovës],” kujton Pardier-i.

Edhe pse trazira të tilla nuk janë përsëritur, nga raporti i fundit i UNDP-së mbi të rinjtë dalin rezultate dekurajuese. Raporti gjeti se të paktën 65 për qind e të rinjve shqiptarë të Kosovës s’e pranojnë aspak mundësinë e pasjes së miqve serbë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre nuk do t’i donin serbët ti kenë fqinjë.

Izolimi i serbëve të Kosovës ka nivele të ndryshme. Jo vetëm që kanë të njëjtin izolim si vetë Kosova nga BE-ja, me regjimin e saj të ngurtë të vizave, por ata i nënshtrohen edhe frymës së përgjithshme armiqësore, etnikisht të motivuar, në mënyrë të përhershme. Dhe ndërkohë që u duhet shoqërim policor për të lëvizur nga një enklavë tek tjetra brenda Kosovës, ka stigmatizim të serbëve nga Kosova edhe brenda vetë Serbisë.

“Nëse je serb prej Kosove dhe njerëzit e vërejnë se flet me theks të veçantë, të quajnë “shiptar” dhe nuk të trajtojnë si të barabartë,” thekson Pantoviqi.

Monica Jakobsen e George Mason University në Uashington, që ka dhënë mësim në Mitrovicë të Veriut, thotë se të rinjtë serbë të Kosovës janë të ngujuar: “Të rinjtë individualisht duan ndryshim, e kanë në zemër dhe vërehet lehtë. Por kontrolli shoqëror është shumë i fortë, ka një ndjesi të fortë frike”.

Ashtu si bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë, shumica e tyre do të iknin sapo t’i merrnin diplomat. “Tash për tash po mendoj të rri e ta ndërtoj të ardhmen në Kosovë”, thotë Pantoviqi, “por definitivisht ndjehem i izoluar”.

“Është edhe më keq për shokët e mi në enklavat e jugut,” shton ai. “Ata kanë probleme të mëdha me lirinë e lëvizjes dhe ende duhet të lëvizin për në pjesën veriore [të Kosovës] me autobusë të OKB-së dy-tri herë në javë, me eskorta të armatosura.”

Ku po çon gjithë kjo zymtësi?

Me gjithë frustrimin e dukshëm në mesin e të rinjve e të gjitha grupeve etnike në Kosovë, në vend të zemërimit mbizotëron apatia. Gjetjet e raportit UNDP-së më 2007 e mbështesin këtë ide: më shumë se 60 për qind e të rinjve nuk besojnë se mund të ndryshojnë gjë në bashkësitë e tyre.

Disa analistë e lidhin këtë pasivitet me ngjarjet tragjike që i ndalën hovin një vargu protestash nga lëvizja politike “Vetëvendosje”, e cila i kundërvihet me ngulm procesit të tashëm të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Lideri i saj, Albin Kurti, është në arrest shtëpiak qysh prej 2 shkurtit, kur u burgos pasi një protestë në Prishtinë doli jashtë kontrollit dhe dy demonstrues u vranë me plumba gome nga një njësit rumun i policisë së OKB-së.

Ky incident i frikësoi njerëzit dhe i la në konfuzion, duke i bërë ngurrues të dilnin në rrugë. “Problemet e kësaj shoqërie janë më të ndërlikuara sesa që mund t’i kuptojë qytetari mesatar i Kosovës”, thotë Dukagjin Gorani, analist shoqëror.

Augustin Palokaj, analist politik në Bruksel për ditoren kryesore të Kosovës Koha Ditore, vëren gjithashtu një ndryshim. “Ishte një moment në fund të pranverës kur të gjithë këtu [në Bruksel] prisnin gjithnjë e më shumë protesta, por kjo nuk ndodhi,” shprehet ai.

Ai konstatoi se, përfundimisht, kosovarët tashmë hezitojnë të bëjnë zhurmë. “Kur u ktheva herën e fundit në Kosovë këtë verë, pyeta miq, të afërm dhe të njohur të tjerë nëse mendonin se duhej protestuar dhe të gjithë më thanë “po”, por askush nuk kishte vullnetin ta ndërmarrë hapin e parë,” shton Palokaj.

Salih Morina, drejtuesi i departamentit të rinisë brenda qeverisë, e pranon se ka një klimë shqetësuese pasiviteti mes rinisë, të cilën ai e lidh me procesin pezull të statusit. “Mendoj se gjithçka ndërlidhet me këtë,” thotë ai, dhe “pas zgjidhjes së statusit, pres investime në Kosovë dhe që agjenci të ndryshme nga Evropa, bota dhe Shtetet e Bashkuara do të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë.”

Arnoud Appriou, zyrtari i Komisionit Evropian, KE, për demokratizimin dhe shoqërinë civile në Kosovë, veçon gjithashtu një ndjenjë të përgjithshme të pafuqisë politike. “Qenia e Kosovës brenda Jugosllavisë e ka bërë popullsinë apatike,” thotë ai. ‘Ata mendojnë, ‘Paj, ne jemi këtu në Kosovë, por vendimi për të ardhmen tonë merret diku tjetër’.”

Genoveva Ruiz Calavera, drejtuesja e Zyrës së Kosovës pranë Komisionit Evropian në Bruksel, e pranon se është e vështirë për të rinjtë të shohin përtej statusit përfundimtar, por mesazhi i saj për ta është i qartë: Askush s’do ta ngre zërin në emrin tuaj. “Nëse do të vazhdojmë të ofrojmë formula të gatshme, vetëm sa do ta thellojmë apatinë,” shpjegon ajo, duke shtuar: “Njerëzit në Kosovë duhet të fillojnë të mësojnë se duhet t’i artikulojnë trysninë dhe lobimin në Kuvend.”

Këshilla e saj është “t’i bëhet trysni politikanëve, të vijohet shkolla dhe të krijohen shoqata prindërish nëpër shkolla, që do t’i kërkojnë llogari mësuesve e udhëheqësve për cilësinë e arsimimit që marrin fëmijët e tyre.”

Këto lloj “lëvizjesh të shoqërisë civile duhet të nisin,” thotë ajo, duke shtuar që “të rinjtë kanë një rol shumë të rëndësishëm” në këtë drejtim.

“E kundërta e apatisë nuk do të thotë demonstrata në rrugë - por nënkupton një shoqëri të fortë civile, që avokon për ide dhe projekte,” shprehet Appriou.

Por, për momentin, nuk ka shumë shenja për lindjen e kësaj “shoqërie civile” të fortë dhe të zëshme në Kosovë. “Jemi dhjetë vjet mbrapa pjesës tjetër të rajonit në aktivizëm shoqëror,” thotë Luan Shllaku. “Na nevojiten institute, të cilët kanë ndikim tek politikëbërësit dhe grupe më të forta avokimi që i artikulojnë nevojat e shoqërisë,” përfundon ai.

Braktis shkollën ose ktheju Zotit

Pjesa më e madhe e energjisë së rinisë së frustruar të vendit duket se derdhet në krim ose në drogë. “Mosha mesatare e atyre që përfshihen në kundërvajtje kriminale prej krimeve të vogla deri në krimet e rënda si dhe abuzim me drogën është 18 - 24 vjeç,” thotë Veton Elshani, zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës, SHPK. “Edhe adoleshentët janë mjaft të përfshirë në krime që shkojnë prej vjedhjes deri tek vrasja”, shton ai.

Përdorimi i marihuanës, sqaron Elshani, është rritur shumë në vitet e fundit. “Po përballemi me abuzim të madh me këtë drogë. Është shumë e përhapur”, thotë ai.

Statistikat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 2001 e mbështesin këtë dhe tregojnë përqindje më të larta abuzimi me drogën mes rinisë kosovare sesa mes asaj të Evropës Perëndimore, ndërkohë që punonjësit vendorë të shëndetësisë ta pohojnë këtë duke e ilustruar nga përvoja e tyre e përditshme.

Të rinj të tjerë kosovarë gjejnë prehje në një formë të ashpër besimi në Zot. “Mos t’ishte për Islamin, moti isha ik” thotë Armendi që kthehet nga falja e xhumasë në një xhami aty afër. I pasionuar mbas fotografimit, ai ngul këmbë që “jeta u bo e padurueshme” në Prishtinë, ku të tallin nëse s’bëhesh pjesë e “qejfit”. “A nuk pin aaaa?” pyet ai në mënyrë retorike, duke imituar ata që i sheh si pjesë të një shoqërie të kalbur. “Kjo shoqëri po des. Asht sikur dikush po e bon me qëllim”.

Qysh pas luftës, rëndësia e Islamit në Kosovë është rritur, veçanërisht në mesin e të rinjve. Rigjallërimi filloi disa vite më parë, kur organizatat arabe sollën ushqime dhe veshje pas konfliktit të vitit 1999 dhe dhanë bursa studimi për në vendet e Lindjes së Mesme ose të Largët, si Arabi Saudite dhe Malajzi. Ndërsa shumica e të rinjve kanë një mënyrë jetese jofetare, numri i myslimanëve të devotshëm është rritur dukshëm. Gjithnjë e më shumë vajza po mbulohen dhe meshkujt veshin pantallona të shkurta dhe rrisin mjekrat.

Një studim i vitit 2005 nga KIPRED-i, Islami politik ndër shqiptarët, paralajmëroi për rrezikun e një radikalizimi fetar në Kosovë. “Gjithnjë e më shumë të rinj po e kthejnë besimin në pasion,” thuhet aty, me synime për t’i shtrirë shtyllat e besimit të tyre në fushën politike.

Ferid Agani, neuropsikiatër dhe deputet i Kuvendit, i cili përfaqëson Partinë e Drejtësisë që ka prirje islame, është më pak i alarmuar: “Fakti se gjithnjë e më shumë të rinj janë bërë më fetarë pas luftës, tregon nevojën që kanë ata për stabilitet psikologjik.”

“Gjasat për radikalizim fetar janë po aq të pranishme sa mundësia për radikalizim mbështetur në arsye politike ose shoqërore,” thotë ai.

O veç me ikë!

Për shumicën e të rinjve, zgjidhja nuk është as te krimi, as te droga apo feja, por te emigrimi. “Ma n’fund ja dola – dita jeme po vjen. Lamtumirë i them këtij mjerimi,” thotë me mllef Jetoni njëzetekatërvjeçar nga Prishtina që më në fund po shkon në Kanada, pasi është martuar me një vajzë me të cilën s’ka pasur kurrë mendim serioz të krijojë ndonjë jetë të përbashkët.

Rrëfime, plane dhe strategji për ikje jashtë Kosove ka me bollëk në kafenetë e Kosovës: Albani, njëzetegjashtëvjeçar nga Prizreni planifikon t’i bashkohet të dashurës në Gjermani. Dokumentet janë gati dhe ai është gati të fillojë “një jetë të re”, siç shprehet vetë.

Ylli, njëzetetrevjeçar nga Prishtina po humb shpresat pas katër vitesh plane. Opsionet e tij kanë qenë ikja në Francë, që ai thotë se “po pranon emigrantë të bardhë më shumë se kurrë”, Belgjikë, Zvicër, ku po e priste një “romancë” e kurdisur, dhe Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit ai flet bile edhe për një largim përmes Irakut.

“Ka pare të madhe atje, përkundër tmerreve te luftës,” mëton ai. “Nëse merr ma shumë se 40,000 dollarë në vit, ia vlen të rrezikosh jetën. Mandej muna me ikë qysh du unë”.

Psikologu Aliriza Arënliu thotë se kosovarët e duan shumë atdheun e tyre. Por “përkundër kësaj, ka frustrim të madh dhe mungesë shprese për standardet e jetesës dhe për më shumë mundësi”. Arënliu shton: “Fakti se gjysma e popullsisë dëshiron të mërgojë flet shumë se çfarë alternativa u kanë mbetur.”

Sociologu Shemsi Krasniqi thotë se statusi përfundimtar, edhe një herë, është rrënja e gjithë kësaj pafuqie. “Qytetari mesatar i Kosovës e ka të vështirë të reflektojë mbi të tashmen”, thotë ai. “E shkuara është e hidhur, e sotmja e paqenë, ndërsa e ardhmja e vagullt dhe e paqartë,” përfundon Krasniqi.

Se a do ta ndalë ndonjë gjë ikjen e më të rinjve e më të talentuarve nga Kosova, mbetet e paqartë. Rainer Münz në Vjenë ka dy skenarë në mendje kur vjen puna te Kosova. Por ai nuk e di se cili do të dalë i vërtetë.

“Skenari pozitiv do të ishte nëse Kosova herët a vonë bëhet e pavarur, njihet nga disa vende evropiane dhe SHBA-të, klima e investimeve ndryshon dhe ka ringjallje të ekonomisë.”

Ai vazhdon: “Atëherë do të vinte mbështetje shtesë nga para të dërguara që nuk do të konsumoheshin, por do të investoheshin. Nëse punon për një firmë pastrimi në Gjermani, kthehesh dhe bëhesh pronar i një firme pastrimi në Prishtinë. Nëse punon si kontabilist në një bankë zvicerane, kthehesh dhe e hap firmën tënde të kontabilitetit në Gjakovë.”

Në rastin tjetër, sipas Münzit, “ekonomia nuk ringjallet, Kosova bëhet përgjithnjë e varur nga ndihmat e huaja dhe paratë e dërguara nga jashtë, të cilat konsumohen por nuk investohen.”

“Nëse del skenari i fundit, gjithnjë e më shumë njerëz do të emigrojnë,” përfundon ai.