A ka Perëndimi ende vlerë për biznesin evropian?
Balanca ekonomike mes dy gjysmave të një kontinenti dikur të ndarë po zhvendoset me firmat që zhvendosen në lindje.
Nga Bogdan Asaftei në Bukuresht , Botevgrad, Azambuja dhe Beograd
Azambuja, qytet i vogël me 7,000 banorë, 35 km në veri të Lisbonës, duket si vend i përkryer për një turist që kërkon një çlodhje të merituar. Rrugët e vogla dhe shtëpitë janë të rregullta e të pastra, ndërsa qetësia mbretëron gjithkund. Por jo gjithkush e shijon qetësinë. Në një shtëpi në qendër të qytetit, një flamur i madh i kuq me një drapër e çekan proklamon se është klub punëtorësh - komunistësh.
Por siç tregon një plak që rri para ndërtesës, emri është i gabuar. “Ky është klub punëtorësh por nuk ka punë në Azambuja,” thotë ai me trishtim. “Qyteti është tronditur qysh kur iku Opeli. Qyteti jonë është si ajo kulla që po bie ngadalë,” shton duke treguar një majuc të përkulur që i ngjan kullës së famshme të Pizës.
Vetëm disa muaj më parë Azambuja ishte qendra operative e një prej fabrikave më të rëndësishme të Opelit në Evropën Perëndimore, duke punësuar më shumë se një mijë punëtorë. Por në dhjetor fabrika e automobilave u mbyll, punëtorët u pushuan nga puna dhe heshtja pllakosi rrugët. Firma, pjesë e General Motors, e zhvendosi prodhimin në disa vende të tjera, në Gliuis të Polonisë, Shën Petërsburg të Rusisë dhe Saragozë të Spanjës. Ishte një goditje tjetër e rëndë për ekonominë e rënduar të Portugalisë, ku papunësia ishte 7.7 për qind vitin e kaluar dhe 8.4 për qind këtë vit, shifra më e lartë që nga viti 1987.
Vështirësia e Azambujes i ngjason asaj të shumë qyteteve në vendet e tjera të Evropës perëndimore, ku firmat në vigjilje të globalizimit marrin plaçkat dhe kuturisin në bllokun e vjetër lindor, të joshur nga ideja e një force punëtore më të lirë dhe kostove më të ulëta të prodhimit.
Peugeot Citroen i ka zhvendosur shumicën e veprimeve nga Britania në Sllovaki, për shembull. Prodhuesi i kompjuterëve HP u zhvendos nga Franca në Bullgari ndërsa gjiganti i elektronikës Electrolux shkoi nga Gjermania në Poloni. Këto janë vetëm disa nga korporatat më të mëdha që janë vendosur në Evropën lindore ose planifikojnë ta bëjnë këtë gjë. Të tjerët janë prodhuesi i kompjuterëve Dell, British American Tobacco, Volkswagen dhe IBM.
Nga vrima e zezë në ethet e arit
Pak vite më parë, Evropa Lindore s’ngjasonte askund me “El Doradon” që përbën tashti për investitorët. Në fillim të viteve ‘90, pak kompani perëndimore ishin të interesuara t’i zhvendosnin punimet atje. Qeveritë e reja jo-komuniste në rajon merreshin me shitjen e fabrikave të tyre, shumica nga të cilat ishin jokonkurente dhe të shkatërruara, plot me borxhe dhe punëtorë të tepërt.
Pa ndonjë perspektivë të qartë në vendet e tyre, punëtorët ikën në Evropën perëndimore duke krijuar një dukuri të njohur si “hidrauliku polak”, kujdestarja rumune ose hamalli bullgar. Kjo i ndihmoi vendet perëndimore të ruanin freskinë e ekonomisë së tyre por i dha shtytje edhe ekonomive që lanë pas emigrantët.
Dërgesat e parave u bënë shpejt një burim i fuqishëm të ardhurash për vendet e origjinës. Mes viteve 1997 dhe 2002, rumunët sollën në shtëpi rreth 8 miliardë euro në kursime, sipas bankës qendrore rumune, BNR. Shuma është rritur vit për vit, duke e zvogëluar deficitin aktual të vendit me 38 për qind në vitin 2005. Këtë vit llogaritet se paratë e punëtorëve jashtë shtetit do të shkojnë në më shumë se 5 miliard euro, më shumë se 4 për qind e bruto prodhimit, GDP-së.
Një studim i fundit i Bankës Botërore për dërgesat e parave si aksione të GDP-së së vendeve të Evropës Lindore, që përdorte të dhëna nga viti 2004, tregoi se edhe tre vende të tjera përfituan nga sasi të ngjashme parash. Paratë e dërguar nga emigrantët prej Moldavisë, për shembull, ishin pothuajse 503 milion euro, baras me 27 për qind të GDP-së vendase. Emigrantët nga Bosnja dhe Hercegovina çuan në shtëpi 1.31 miliard euro, ose 21 përqind të GDP-së, ndërsa shqiptarët 830 milion euro, apo 16 për qind të GDP-së së vendit.
Në të njëjtën kohë, ndërsa ekonomitë e Evropës lindore filluan të reformoheshin dhe të zhvilloheshin, kompanitë perëndimore u bënë gjithnjë e më të interesuara për të investuar në rajon. Lëvizja e punëtorëve jashtë, pra, u shoqërua me një kundër-rrjedhë investimesh, blerjesh, projektesh zhvillimi dhe zhvendosjesh.
Një përrallë me dy qytete
Zhvendosja nënkupton kompanitë që i lëvizin veprimtaritë pjesërisht ose krejtësisht nga një rajon tek një tjetër, duke i mbyllur njësitë dhe fabrikat në qytetin dhe vendin e origjinës. Nuk është thjesht veç një investim që e zgjeron tregtinë në një territor tjetër. Është lëvizje e kushtëzuar nga argumente ekonomike dhe logjistike. Në të njëjtën kohë, kjo përfshin një shpenzim të ri investimi në vendin e ri në formën e ndërtesave të prodhimit dhe forcës së re punëtore, si dhe blerjen e pronave dhe zyrave të reja.
Nxitja me e zakonshme dhe e dukshme për zhvendosje është, siç është vënë në dukje, një forcë punëtore e aftë dhe e lirë si dhe kosto më të ulëta prodhimi. Disa vende ofrojnë nxitës shtesë për të ardhurit në formën e taksave të ulëta ose të papërfillshme për fillimin e punës. Plakja e forcës punëtore në Evropën perëndimore i ka shërbyer kësaj tendence, duke krijuar një mangësi të rinjsh të aftë dhe të arsimuar, sipas një studimi të vitit 2005 porositur nga këshilltarët e biznesit KPMG të 172 kompanive prodhuese në kombet e industrializuara të Evropës Perëndimore dhe paraqitur nga Njësia e Inteligjencës e Ekonomistëve, EIU. Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkan ka dhënë një nxitje tjetër për procesin e zhvendosjes, ku anëtarët e tij Rumania dhe Bullgaria janë bërë destinacione të kërkuara për kompanitë e huaja që kërkojnë t’i zhvendosin krejt ose një pjesë të veprimtarive të tyre nga Perëndimi.
Kur një kompani i zhvendos veprimtaritë, kjo ka ndikim të thellë shoqëror për bashkësinë. Kjo shihet qartë përkatësisht në qytetin Azambuja të Portugalisë dhe në Dej, qytet me afërsisht 40,000 banorë në Rumaninë qendrore.
Kur Opeli i mbylli punët e veta në Azambuja dhjetorin e kaluar dhe e zhvendosi prodhimin në Evropën lindore dhe Spanjë, kjo e goditi Azambujan rëndë. “Qyteti jonë ishte krejtësisht i varur nga fabrika e Opelit dhe tashti s’na mbetet gjë për të bërë,” ankohet Carlos Almoster, që ka punuar në fabrikë për më shumë se një çerek shekulli.
“Gjithë jetën e kam kaluar në fabrikën e Opelit, duke filluar 25 vjet më parë. Por qysh se u mbyll fabrika, gjithë ç’kam për të treguar është një orë ari,” shton ai. “Mbas kaq shumë vitesh, ndihem i kotë,” thotë duke shtrënguar në dorë suvenirin.
Në Dej, puna është ndryshe. Qyteti po përjeton një bum ndërsa gjithnjë e më shumë kompani si Opeli po i zhvendosin veprimtaritë atje. Në 2005, ACE Automotive Group i Spanjës, që bën pjesë elektrike për automjete, hapi fabrikën e saj të parë rumune. Që atëherë, ai ka shpallur planet për ta zhvendosur gjithë prodhimin e vet nga Barcelona dhe Saragoza në Spanjë, për në Rumani deri në vitin 2011. Gjysma e 6,000 të punësuarve të ACE-s janë atje dhe grupi mendon të punësojë edhe 1,100 të tjerë për njësitë e reja rumune.
Qershorin e kaluar, edhe Trelleborg i Suedisë hapi një fabrikë në Dej për të prodhuar pjesë makinash për Renault, Audi, Ford dhe Peugeot. Në të njëjtën kohë, ai ka shkurtuar prodhimin në Trowbridge të Britanisë dhe Mannheim të Gjermanisë, ku u mbyllën pothuajse 1,000 vende pune.
Dilema e Dejit është numri i pamjaftueshëm i punëtorëve për vendet e reja vakante. “Po përballemi me shumë probleme për shkak të tregut [të ngjeshur] të punës, e kjo është arsyeja pse po përpiqemi të ngremë ndërtesa të reja prodhimi në ato rajone ku është më e lehtë të gjenden punëtorë,” thotë Tatiana Mursa, menaxhere e marrëdhënieve publike për ACE-n në Rumani.
Ndërkohë që motivimi kryesor për zhvendosjen e veprimtarive në Evropën qendrore dhe lindore është kostoja e ulët e punës, rrogat që këto kompani u ofrojnë punëtorëve rumunë janë pashmangshmërisht modeste. Me gjithë një rritje prej afërsisht 200 për qind në rrogat mesatare në katër vitet e fundit, analistët llogarisin se do të kalojnë vite para se rrogat rumune, që ishin 400 euro në muaj në mesin e vitit 2007 sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, t’u afrohen atyre perëndimore dhe të bëhen jokompetitive. “Rrogat mesatare në Rumani do të arrijnë 60 për qind të atyre perëndimore, që e quajmë konvergjencë, për afërsisht pesë vjet,” vëren Adriana Iftime, menaxhere e Pronësisë së Kontraktorëve Rumunë.
A po vjen dikush këtu prapë?
Ndërsa Deji është tregues i mirë se si mund ta ndryshojnë fatin e një qyteti zhvendosjet, jo gjithkush në Evropën lindore është optimist që mund të bëhen magnet për firmat perëndimore. Në Botevgrad, qytet i vogël në Bullgarinë perëndimore rreth 50 km larg kryeqytetit Sofje, edhe pse njerëzit lusin që ndonjë kompani perëndimore të zhvendoset në qytetin e tyre, i kanë humbur shpresat.
Ky qytet industrial varej krejtësisht nga Plastchimi, prodhues lokal mallrash plastikë që u mbyll katër vjet më parë. Depresioni, frustrimi dhe pesimizmi mbizotëron tashti në Botevgrad. Frustrimi është më i rëndë sepse punëtorët u pushuan nga puna mbasi nuk kishin marrë rrogat e disa muajve. Ata bënë padi gjyqësore për të nxjerrë të paktën disa para dhe fituan, por prapëseprapë nuk morën asgjë. “Gjyqtari tha se kishim të drejtë t’i merrnim paratë tona, por vendimi juridik nuk u zbatua sepse kompania kishte falimentuar,” thotë Ivan Nikov, ish-punëtor i Plastchimit.
Ndërkohë, gjindja jeton pa ndonjë shpresë për të ardhme më të mirë. “Po ëndërroja të bëja shtëpi, por pasi humba punën i prisha ato plane,” ankohet Nikov. Një punëtor tjetër i ngrysur e me flokë gri përshkruan andrallat e veta. “Planifikonim me gruan të bënim një fëmijë tjetër, por s’mund ta përballojmë tani”, ankohet ai.
Në Botevgrad pesimizmi është më i rëndë sesa në Azambuja, ku Opeli u mbyll relativisht tash vonë dhe ku punëtorët e pushuar të paktën kishin rroga të mira. “Problemet e vërteta do të vijnë vitin tjetër kur t’i harxhojmë paratë që morëm nga General Motors,” thotë Joao Soares, ish-punëtor i Opelit.
Jose Eduardo, një punëtor tjetër, ka qenë më fatlum. “Gjeta punë në komunë,” thotë. “Por shumica e këtyre njerëzve s’do të mund të gjejnë punë sepse janë 50 vjeç, a më shumë.” Jeta në qytet tashmë po vyshket dukshëm. Shumë shtëpi janë në shitje siç tregojnë shkrimet e ndryshme Venda [për shitje] ose Arenda [me qira].
S’bëhet fjalë për krahun e lirë të punës, në fakt
Ndërkohë që njerëzit e Botevgradit ankohen për mungesën e kompanive perëndimore të interesuara për t’u zhvendosur në qytetin e tyre, analistët vërejnë se kur firmat vendosin të zhvendosen kah lindja bëhet fjalë për arsye shumë të rëndësishme, por edhe tepër subjektive.
Po t’i kthehemi motiveve kryesore, faktorët e kostos dhe pushtimit të tregut sigurisht që vijnë të parat, sipas një studimi të vitit 2006 të porositur nga komiteti i financave i senatit francez. Këto pasohen nga çështjet që lidhen me afërsinë e tregjeve të zgjeruara, diferencialet e kostove të punës, kostot dhe gjetja e lëndëve të para si dhe prania e rrjeteve të mira vendore të ndërtesave të prodhimit. Taksat, shpenzimet e tjera dhe subvencioni mendohen më vonë.
Një element më subjektiv janë lidhjet historike. Të marrim Austrinë, që është mes investitorëve më të rëndësishëm në Evropën lindore: shumë analistë financiarë thonë se firmat austriake nxituan në rajon sepse kishin lidhje të vjetra me këtë pjesë të Evropës, qysh kur ajo ishte pjesë e Perandorisë së Habsburgëve. Siç vërejti ekonomisti Eric Frey në një artikull të botuar prillin e shkuar në ditoren austriake, Der Standard: “Në ato vende ku kanë sunduar Habsburgët, menaxherët austriakë ndjehen si në shtëpi të tyre”.
Ka edhe arsye të tjera, më të paqarta, që merren parasysh. Sipas Klara Flotit të ARC Relocation Hungary nga Budapesti, kompani që lehtëson lëvizjen e forcës së punës, “Republika Çeke parapëlqehet për traditat e saj “perëndimore” dhe Hungaria për vendndodhjen qendrore, kryeqytetin e bukur dhe numrin e cilësinë e profesionistëve kompjuterikë. Rumania është në majë kur bëhet fjalë për kosto të ulët pune.”
Ka edhe dobësi që kompanitë duhet t’i peshojnë para se të lëvizin. Investitorët ende përballen me pengesa serioze kur zhvendosen në Evropën lindore, përkundër përmirësimeve në vitet e fundit. Raportet e fundit të Komisionit Evropian mbi Evropën lindore vazhdojnë të theksojnë nivelet e larta të korrupsionit, sistemet e dobëta juridike dhe legjislacionin e papërshtatshëm dhe të paqëndrueshëm si sfida me të cilat përballen investitorët, pa përmendur nivelin e tmerrshëm të burokracisë. “Të mos harrojmë edhe infrastrukturën e vjetër, të shkatërruar, që pengon konkurrencën me kërkesën perëndimore,” shton Katalin Varga, drejtor i Settlers Kft, firmë tjetër e Budapestit që punon në industrinë e zhvendosjes.
Isamar van Hilten i Partners in Relocation Group, Pirgroup, vë në dukje anë të tjera negative që kompanitë duhet t’i përfshijnë në llogaritjet e veta. Shumë prej tyre lidhen me temperamentin e forcës së punës në vendet e Evropës lindore. “Shumica e këtyre njerëzve karakterizohen nga një qasje e modës së vjetër ndaj punës me shkresa, frika nga risitë dhe mungesa e vullnetit për të punuar në grup,” mëton ajo. “Ata [gjithashtu] refuzojnë të japin llogari.”
Disa vende po dalin tashmë si qendra për fusha të veçanta të industrisë që janë zhvendosur në drejtim të lindjes. Krzysztof Piech, profesor në Warsaw School of Economics, thotë se infrastruktura e mirë e Sllovakisë ka ndikuar në suksesin e tërheqjes së kompanive të automobilave. “Sllovakia ishte në gjendje të privilegjuar për shkak të infrastrukturës së mirë, që ka ndikuar pozitivisht në qarkullimin e mallrave dhe njerëzve,” mendon Piech. Sllovakia tani prodhon mbi 225,000 makina në vit me prodhim potencial vjetor prej 850,000 makinash në vitin 2010, sipas STAT-USA, shërbimit statistikor të Departamentit amerikan të Tregtisë.
Volkswagen aktualisht është prodhuesi më i madh i makinave që i bashkon pjesët e tyre në Sllovaki. Siç është përmendur, investime të mëdha kanë ardhur edhe nga Peugeot Citroen, që e mbylli fabrikën e vet në Britani dhe u zhvendos në Trnava, 45 kilometra larg Bratislavës, duke investuar më shumë se 700 milion euro në vendin e ri. Prodhuesi i tretë i makinave në vend është KIA Motors, grup i prodhuesit korean-jugor të makinave Hyundai Motor Company, që ka një fabrikë në Zilina të Sllovakisë veriore.
Vende të tjera të Evropës lindore janë bërë qendra për lloje të tjera industrish të zhvendosura. Sipas van Hilten nga Pirgroup, Sllovenia po bëhet “zyra” rajonale për prodhime farmaceutike, ndërsa Polonia tërheq firma që punojnë në furnizimin me ushqime dhe prodhimet bujqësore. Ajo është gjithashtu një qendër administrative për korporata shumëkombëshe. Bjellorusia dhe Ukraina janë gjithnjë e më shumë të interesuara sa i përket stafit të teknologjisë informative, të lirë por të aftë që kanë.
Po mandej?
Zhvendosja po ndodh jo vetëm prej Evropës perëndimore në atë lindore, por edhe brenda Ballkanit. Disa vende po bëhen magnet për zhvendosjen pikërisht sepse janë afër (por jashtë) Bashkimit Evropian. “Kur Rumania hyri në Bashkimin Evropian, një kompani rumune vendosi t’i zhvendoste veprimtaritë në Serbi,” thotë Patricia Gannon e Karanović & Nikolić, firmë ligjore beogradase që punon në fushën e bankave tregtare, privatizimit dhe taksave.
“Ngaqë Rumania tani duhet të respektojë legjislacionin evropian, do të bëhet një vend ku ligji do të forcohet,” shton ajo. Firma rumune u zhvendos në Serbi jo vetëm pse legjislacioni përtej kufirit është më i përkulshëm sesa në Bashkimin Evropian, por edhe pse ekonomia serbe po përmirësohet në përgjithësi.
“Ekonomia e vendit po rritet, industria po zhvillohet dhe privatizimi po kryhet shpejt,” shton Gannon. “Por ky vend ka një disavantazh të stërmadh krahasuar me vendet e tjera të rajonit; shtetet perëndimore kanë një regjim tepër të rreptë vizash me Serbinë, për shembull, kështu që serbët s’mund të shkojnë lehtë atje.”
Disa ekonomistë besojnë se bumi në investime dhe zhvendosje në Evropën lindore e ka kaluar kulmin ndërsa pjesë të tjera më të lira të botës futen në treg. Evropa lindore nuk ia ka dalë t’i konkurrojë përgjithësisht ekonomitë aziatike dhe po humb shpejt në terma investimi në krahasim me ato vende, sipas European Investment Monitor të Ernst & Young, që analizon investimet përbrenda dhe përjashta në Evropë në vitin 2006.
Përqindja e investimeve të huaja në Poloni, Republikën Çeke dhe Hungari, ra ndjeshëm vitin e kaluar dhe kjo gjë u shkaktua nga “rënia e aftësisë për të tërhequr investime prodhimi me kosto të ulët, që duket se ka më shumë gjasa të shkojnë në Azi,” vërehet në raportin e Ernst & Young.
Edhe nëse është e vërtetë kjo, investimet në rajon nuk është se do të ndalen krejt dhe debati vazhdon se cili vend i Evropës lindore do të bëhet më tërheqës për kompanitë e huaja që do të zhvendosen në vitet e ardhshme. “Vë bast në Maqedoni e Poloni,” thotë Katalin Varga i Settlers Kft. “Maqedoni - sepse taksa për korporatat është shumë e ulët dhe Poloni - sepse aty ka një treg të madh.”



