SrpskiBosanskiМакедонскиRomânăБългарскиEnglish Article

Laku po shtërngohet për kriminelët ballkanas në arrati

Sllobodanka Jovanovska Shkup, Beograd, Bruksel dhe Londër

Veç një vit më parë, asnjë shtet ballkank nuk i ekstradonte shtetasit e vet, duke ua mundësuar kriminelëve me shumë pasaporta të fshiheshin në shtetet fqinje. Por ndërkohë që shtetet tani po nënshkruajnë traktate ekstradimi, shkelësit e ligjit do të zbulojnë se kanë më pak opsione shpëtimi.

 

Miliona njerëz nga shtetet pasardhëse të ish-Jugosllavisë kanë më se një pasaportë (Foto: Wikimedia/Jon Rawlison)

I përballur me akuza të abuzimit me postin dhe shpërdorimin e miliona eurove nga fondet shtetërore maqedonase, ish-shefi i doganave Dragan Daravelski vendosi të ikte në një vend tjetër.

Ishte në gjendje ta bënte këtë sepse, si miliona njerëz në Ballkan, ka dy nënshtetësi. Pasaporta e dytë serbe ia mundësoi të ikte nga Maqedonia dhe të ndërtonte një jetë të re në Beograd.

Gjatë dekadës së kaluar, Daravelski shijoi jetën e rehatshme të kryeqytetit serb duke e ditur se nuk do të dërgohej në Shkup ngaqë dy shtetet e ish-Jugosllavisë nuk kishin nënshkruar ndonjë traktat ekstradimi.

Por kjo mund të ndryshojë shum shpejt, ngaqë qeveria maqedonase po shqyrton mundësitë e ngrirjes së aseteve të tij si në Serbi ashtu edhe në Maqedoni.

“Për sa kohë që do të kemi ndonjë shans të gjejmë ndonjë pronë në emër të tij, do të vazhdojmë të kërkojmë. Koha nuk është në anën tonë dhe ai e di këtë, po bën ç'është e mundur t'i fshehë ato... Do të kërkojmë edhe për pronat e tij në Serbi,” thotë një zyrtar nga agjencia e Maqedonisë për asetet e bllokuara, duke folë me kusht anonimiteti.

Përveç humbjes së pronave në Serbi dhe Maqedoni, Daravelski do të presë gjithashtu me ankth rezultatin e negociatave që do të bëjnë që Beogradi dhe Shkupi të nënshkruajnë një marrveshje ekstradimi deri në fund të vitit.

Qindra të tjerë, përfshi kriminelë të dyshuar lufte që kanë shmangë dënime të gjata me  burg duke përfituar nga mungesa e marrveshjeve të ekstradimit në republikat ish-jugosllave, do të presin me nervozizëm zhvillimet rajonale. 

Presioni nga Bashkimi Europian – një klub ku synojnë të hyjnë këto shtete – ka bërë që vendet e Ballkanit të fillojnë të ratifikojnë marrveshje bilaterale ekstradimi 20 vjet pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Përveç nënshkrimit të marrveshjeve individuale, Serbia po drejton përpjekjet për të themeluar një traktat ekstradimi mbarëballkanik të modeluar sipas Mandat Arrestit Europian (MAE) të Bashkimit Europian i cili ka përshpejtuar ekstradimet brenda shteteve antare në një mesatare prej 48 ditësh.

Daravelski u dënua në mungesë me shtatë vjet nga Gjykata Kriminale e Shkupit më 2007 pasi u shpall fajtor për përvetësimin e miliona eurove nga fondet shtetërore dhe abuzimin me postin ndërsa ishte kreu i doganave nga viti 1999 deri në 2002.

Antar i rëndësishëm i partisë drejtuese të atëhershme VMRO-DPMNE, ai u caktua në post nga kryeministri i kohës Lubço Georgievski. Por pas ndryshimit të qeverisë më 2002, deputetët e rinj i shqyrtuan më nga afër veprimtaritë e Daravelskit.

Ata shpejt zbuluan se të paktën 2 milion euro mungonin nga fondet shtetërore. Daravelski u akuzua për vjedhjen e parave dhe përpjekjen për t'i zhdukur gjurmët duke mbushur fatura të rreme për shërbime dhe mallra që s'ishin marrë kurrë.

Autoritetet maqedonase mëtojnë se Daravelski grumbulloi një pasuri të stërmadhe pasi i përdori paratë e vjedhura për të blerë prona, një hotel dhe biznese anembanë rajonit.

Kur dëgjoi verdiktin, babai i Daravelski dhe njëkohësisht avkat i tij, Tomisllav Stojanovski, lëshoi deklaratën e mëposhtme: “Zoti i faltë, nuk e dinë ç'janë duke bërë.”

Daravelski është ndoshta krimineli me profilin më të lartë që fshihet në një vend tjetër, por është vetëm një nga shum kriminelë që besohet se i janë shmangë drejtësisë falë pasaportave të dyta e bile edhe të treta.

Deri në mes të gushtit të këtij viti kishte jo më pak se 324 mandate ndërkombëtare arresti aktive kundër qytetarëve maqedonas që i janë shmangur radarit, me gjasë në vendet fqinje, sipas ministrisë së brendshme maqedonase.

Streha bullgare

Bullgaria është një strehë tjetër e sigurtë për kriminelët maqedonas të dyshuar ose të dënuar që kërkojnë të shmangin burgun, sepse Sofja pothuajse automatikisht i jep shtetësi maqedonasve, njerëz që ajo i gjykon si të vetët.

Vladisllav Tamburkovski ka qëndruar i fshehur në Serbi dhe Bullgari për pesë vitet e kaluara, me gjithë faktin se duhej të ishte në burg për gjithsejt dhjetë vjet e gjysë pasi u shpall fajtor për përvetësimin e fondeve nga katër kompani maqedonase.

Tamburkovski ishte i punësuar nga qeveria maqedonase për të mbikqyrë procedurat e falimentit të kompanive maqedonase që kishin dështuar në biznes. Në vend se t'i shiste asetet e firmave të falimentuara për të baguar borxhet e tyre, ai thjesht i futi në xhep paratë.

Sapo u bë e ditur se shteti do ta padiste, Tamburkovski u largua nga vendi duke pasë marrë jo veç pasaportë serbe, por edhe një bullgare. Iku nga Maqedonia më 2006 duke u rishfaqur disa muaj më vonë në qytetin jug-perëndimor bullgar të Blagojevgradit.

Ai u gjykua në mungesë dhe vendndodhja e tij aktuale është e panjhur, por besohet se ende është në Bullgari.

Në pak rastet kur Shkupi ka kërkuar ekstradimin e kriminelëve të dyshuar apo të kërkuar që mbajnë pasaporta bullgare, Sofja gjithmonë ka refuzuar, duke mëtuar nganjëherë se akuzat ishin të motivuara politikisht.

Pasaporta shumfishta për ish-jugosllavët

Anembanë Ballkanit, miliona njerëz kanë dy, bile tri pasaporta, pjesërisht si pasojë e shembjes së Jugosllavisë, në të cilën pjestarë të grupeve të ndryshme etnike kishin shtetësi të shumëfishta.

“Kishte më shum qytetarë në Ballkan me dy ose më shum shtetësi sesa ata që kishin vetëm një. Në shumicën e rasteve kjo ishte aksidentale për shkak të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë,” vëren Jovan Jovanoviq, ekspert i krimeve të luftës në zyrën serbe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Zagrebi u ka dhënë pasaporta të paktën një gjysë milioni qytetarëve boshnjakë që janë kroatë etnikë. Të paktën një milion kroatë që jetojnë jashtë vendit mbajnë pasaportë kroate, sipas një kërkimi të bërë nga projekti Europianizimi i shtetësisë në shtetet pasuese të ish-Jugosllavisë (CITSEE) në universitetin e Edinburgut.

Në Serbi, CITSEE përllogarit se janë gjysë milioni refugjatë nga Bosnja dhe Kroacia, të gjithë me dy ose një pakicë edhe me tri pasaporta.

Ndërkohë që shteteve të reja të pavarura si Maqedonia iu desh të krijojnë institucione dhe korniza ligjore prej zeros, qindra e ndoshta mijëra kriminelë të regjur anembanë rajonit përfituan menjëherë nga kjo.

“Kriminelët nga ish-Jugosllavia mbetën në lidhje sikur vendi të mos ish shpërbërë kurrë,” thotë Tomisllav Xhurin, ambasadori serb në Maqedoni.

Interpoli ka lëshuar mandat arreste për më se 300 qytetarë kroatë që i kanë shpëtuar përndjekjes ligjore në rajon sepse Kroacia nuk i ekstradon shtetasit e vet.

Edhe 300 të dyshuar të tjerë të kërkuar nga Interpoli, përfshirë ish-zyrtarë, biznesmenë, trafikantë dhe kriminelë lufte, aktualisht jetojnë përtej kufirit në Bosnjë.

“Bosnja është më kritikja sepse marrveshja jonë për dhënien e shtetësisë është më liberalja… qytetarët boshnjakë [serbë etnikë] janë të privilegjuar në marrjen e shtetësisë serbe dhe anasjelltas. Kjo jep një rast të mirë abuzimi për kriminelët,” thotë Milosh Oparica, drejtor i byrosë së Interpolit serb.

Vendi shihet gjithashtu si destinacion i përzgjedhur për kriminelët rajonalë sepse Bosnja është i vetmi vend ish-jugosllav që nuk ka nënshkruar ndonjë traktat rajonal bilateral ekstradimi deri më sot.

Krimet e luftës

Shtetet e ish-Jugosllavisë veç sa kanë filluar vitin e kaluar të ndërmarrin veprme për t'i penguar kriminelët t'i shmangen lehtësisht drejtësisë thjesht duke ikur në shtetet e tjera të rajonit.

Ekstradimi i shtetasve të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës ka dalë të jetë pengesa më e madhe në nënshkrimin e marrveshjeve të ekstradimit në Ballkan.

Shum shtete, veçanërisht ata të përfshirë në konfliktet e përgjakshme të viteve 1990, thjesht nuk u zënë besë procedimeve gjyqësore të vendeve të tjerave që duan të procedojnë shtetasit e tyre. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur vjen puna në procedimin e qytetarëve që shihen si heronj kombëtarë nga ana e tyre.

Jovanoviqi në OSBE-në e Serbisë thotë se numri i kriminelëve të dyshuar të luftës që do të gjykohen nga shtetet e tjera do të rritet.

Kroacia ka paditur 1.884 njerëz në lidhje me krimet e luftës kryer në tokën e saj gjatë fillimit të viteve 1990 dhe ka dhënë me se 500 verdkte. Serbia ka paditur 143 njerëz dhe ka dënuar 67 njerëz më gjithsejt 802 vjet burg.

Disa kritikë serbë thonë se Zagreb po lëshon mandate arresti në masë kundër të dyshuarve serbë deri në pikën kur vjedhja e kafshëve dhe orendve gjatë luftës trajtohet si krim lufte.

Zagrebi u detyrua të rishikonte shum nga akuzat e ngritura në vitet 1990 pasi Bashkimi Europian u ankua se procesi gjyqësor ishte me të meta dhe se ishin paditur një numër disproporcional serbësh.

Me gjithë këtë, qeveria kroate është përpjekë t'i zhvlerësojë paditë serbe, duke propozuar kohët e fundit miratime të ligjeve të reja që do t'i hidhnin poshtë akuzat për krime lufte ngritë nga Beogradi.

Lëvizja ka shkaktuar kritika të ashpra, veçanërisht nga Amnesty International, e cila publikoi një deklaratë në tetor të këtij viti duke i bërë thirrje Bashkimit Europian që t'i bënte presion Zagrebit për të përmirësuar trajtimin e procedimeve për krime lufte.

Pas raportit të Amnesty International, Bashkimi Europian e kritikoi ashpër Zagrebin për ndryshimet e propozuara në ligje, duke mëtuar se politikanët po i joshin votuesit që janë fortësisht kundër procedimeve të krimeve të luftës përpara zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.

Fillojnë ekstradimet rajonale

Gjithsesi, prej verës 2010 shumica e shteteve ballkanike kanë finalizuar apo janë në proces të përmbylljes së traktateve bilaterale të ekstradimit. Maqedonia ka nënshkruar marrveshje me Kosovën, Kroacinë dhe Malin e Zi, ndërsa marrveshjet me Serbinë dhe Bosnjën janë në negociim e sipër.

Kroacia ka traktate bilaterale me shumicën e shteteve ballkanike përveç Bosnjës kurse Beogradit përveç një marrveshjeje në fazë diskutimi me Maqedoninë që u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare të kësaj vere në Shkup, i ka mbetë të arrijë një marrëveshje vetëm me Bosnjën.

Si pasojë e drejtpërdrejtë e marrveshjes serbo-kroate të ekstradimit, Beogradi dhe Zagrebi kanë filluar të bashkëpunojnë në procedimin e kriminelëve seriozë që jetojnë në territorin e tyre.

Blerim Bexheti, ministri i drejtësisë i Maqedonisë, dhe Dushko Markoviq, homologu i tij malazez, duke nënshkruar traktatin e ekstradimit mes dy shteteve në fillim të këtij viti (Foto: Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë)

Në gusht të vitit të kaluar, shtetasi kroat Sreçko Kaliniq u bë i pari person të ekstradohej nga Zagrebi në Beograde sipas marrveshjes së re.

Kaliniqi si pasojë u burgos për 40 vjet pasi u përball me akuzat që përfshinin komplotimin për të vrarë Zoran Xhinxhiqin, ish-kryeministrin serb.

Shtetasi serb Zhelko Milovanoviq ishte dënuar në mungesë nga një gjykatë kroate për marrjen pjesë në vrasjen më 2008 të gazetarit kroat Ivo Pukaniq kur ai u arrestua nga policia serbe më 2009.

Aktualisht në gjykim në Beograd për qenien pjestar i një grupi që vrau Pukaniqin, Zagrebi po asiston në procedime, që është një shenjë e përmirësimit të marrdhënieve mes dy shteteve.

“Milovanoviqi… kishte tri nënshtetësi në kohën e arrestimit, serbe, kroate dhe boshnjake. Kjo është arsyeja pse ai i kishte shpëtuar drejtësisë për kaq kohë,” shpjegon Oparica nga zyra e Interpolit të Serbisë.

Ky lloj bashkëpunimi rajonal është jetik nëse shtetet e Ballkanit duan t'i procedojnë si duhet kriminelët, vëren Blerim Bexheti, ministri i ri i drejtësisë i Maqedonisë.

“Me këto marrveshje [ekstradimi] ne zvogëlojmë rastet që kriminelët të fshihen pas nënshtetësive të dyfishta apo legjislacioneve kombëtare që i ndihmojnë t'i shpëtojnë drejtësisë,” thotë ai.

Traktatet e reja prapseprap i kufizojnë ekstradimet

Megjithatë, këto marrveshje janë vetëm hapi i parë drejt krijimit të një procesi të punueshëm dhe të zbatueshëm ekstradimi. Ato mbulojnë vetëm krime si pastrimi i parave, krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Edhe pasi nënshkruhen gjithë këto marrveshje bilaterale ekstradimi, vrasësit, përdhunuesit dhe kriminelët e rangjeve të ulëta ende janë në gjendje të fshihen pas shtetësive të tyre të dyfishta.

Dragan Paravinja u dënua për përpjekje përdhunimesh në Serbi më 2002 dhe për përdhunim në Bosnjë në korrik 2011; ai u dënua përkatësisht me dy vjet e 10 muaj si dhe me katër vjet e gjysë. Ai i shpëtoi daljes në bankën e të akuzuarve falë pasaportës kroate që kishte. 

Blerim Bexheti, ministri i drejtësisë maqedonas, dhe  Barisha Colak, homologu i tij bosnjak, nënshkruajnë një protokoll mes dy departamenteve (Foto: Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë)

Ai u arrestua në Slloveni më 2007 dhe autoritetet e ekstraduan përkohësisht në Kroaci, duke refuzuar kërkesën serbe për ekstradim me arsyen e shqetësimit për të drejtat e njeriut. Paravinja filloi të jetonte i lirë në Kroaci me një punë dhe shtëpi të re derisa u përmend si i dyshuari kryesor në zhdukjen e  17-vjeçares Antonia Biliq nga Dërnishi në Kroacinë jug-perëndimore.

Policia boshnjake e arrestoi në qershor të këtij viti. Autoritetet vendosën ta ekstradonin përkohësisht në Kroaci për të hedhë dritë mbi rrethanat e zhdukjes së Biliqit. Pasi të përmbyllet hetimi, Kroacia duhet t'ia kthejë Paravinjën Bosnjë e Hercegovinës, kur do të hyjë në fuqi vendimi i gjykatës boshnjake.

Sipas traktateve të reja bilaterale të ekstradimit, Paravinja prapseprap mund të mos ekstradohet. Vetëm një traktat mbarëballkanik që mbulon të gjitha veprimet kriminale mund të merret si duhet me çështjen e shkelësve të ligjit që fshihen në shtetet e rajonit.

“Bashkimi Europian e zgjidhi këtë problem me Mandat Arrestin Europian. Vetëm ne [shtetet e Ballkanit] kemi mbetur pa e zbatuar, kështu që jemi streha e fundit për kriminelët,” thotë Vojkan Simiq, asistent i ministrit në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë.

“Do ta kemi sa hap e mbyll sytë,” beson ai, duke pritë që ky mekanizëm do të hapë derën jo vetëm për ekstradimet, por edhe për përshpejtimin e procesit deri në vetëm 45 ditë, barabar me mesataren e Bashkimit Europian.

Mandati i Arresit i Bashkimit Europian

Për Erik Verbertin, këshilltar ligjor i shërbimit të drejtësisë federale belge, MAE ka qenë shum i suksesshëm, duke zvogëluar dramatikisht kohën që duhej për të ekstraduar shtetasit dhe duke rritë numrin e ekstradimeve prej se u përdor së pari më 2004.

“Duhet vetëm të plotësosh një aplikim, ka më pak burokraci dhe procedura më të shkurta. Më përpara na duheshin deri në gjashtë muaj për ekstradimet dhe në një rast Britanisë së Madhe iu deshën 11 vjet. Aktualisht, ekstradimet marrin afërsisht 14 ditë dhe vetëm disa ditë në Luksemburg,” thotë Verbert.

MAE ka larguar atë që ishte pengesa kryesore mes shteteve antare të Bashkimit Europian, ekstradimin e shtetasve. Pothuajse asnjë shtet europian, përveç Mbretërisë së bashkuar, nuk do t'i ekstradonte shtetasit e vet për të dalë në gjyq në një vend tjetër.

Por jo të gjithë pajtohen se kjo është gjë e mirë, disa avokatë e shohin MAE-n si një vegël të ngathët e të vjetëruar që mund të manipulohet nga shtetet. Disa të tjerë tregojnë se MAE mund të veprojë vetëm nëse të gjithë sistemet e drejtësisë besohet se janë njëlloj skrupulozë dhe të drejtë në zbatimin e ligjit.

Roxher Smith, drejtor i organizatës së Londrës Justice, thotë se nëse shtetet e Ballkanit dëshirojnë t'i bashkangjiten Bashkimit Europian dhe automatikisht të përfshihen në sistemin MAE, ata duhet të japin prova se sistemet juridike në veprim janë në gjendje të shqiptojnë dënime të drejta.

“Për Mandat Arrestin Europian nuk është e rëndësishme çfarë lloj pasaporte ke, sepse shtetësia është relativisht çështje minore në Bashkimin Europian. Është më e rëndësishme të besosh në integritetin e sistemeve juridike në të gjitha vendet,” thotë ai.

MAE është kritikuar shum nga organizata ligjore, përfshi Fair Trials International me qendër në Londër, sepse vetë thjeshtësia e tij ia mundëson shteteve të kërkojnë ekstradime për raste triviale si vjedhja e një pule nga komshijtë apo falsifikimi i një kartmonedhe 100 euroshe.

Ka pasë edhe raste kur individët janë arrestuar për të njëjtin krim në më se një shtet të Bashkimit Europian.

Skot Krosbi, avokat pranë specialistëve të ligjit të Bashkimit Europian Kemmler Rapp Böhlke and Crosby në Belgjikë, shkon një hap më tej.

“Arsyejtimi ishte që nuk kishte dallime domethënëse në cilësinë e drejtësisë nga një shtet në tjetrin, por në të vërtetë nuk është kështu. Nuk mund të thuash se gjyqësori në një vend është veçanërisht i keq, sepse në shum mënyra ai është i keq në të gjithë vendet,” he ëarns.

Oparica nga zyra serbe e Interpolit nuk ka fort konsideratë për punën e administratës dhe policisë maqedonase.

“Në Maqedoni, sapo ndryshon qeveria, krejt administrata zëvendësohet nga lart poshtë. Dikush promovohet në kreun e departamentit, pozita më e lartë, dhe ditën tjetër kthehet në polic të thjeshtë. Gjysa e tyre punojnë ndërkohë që gjysa tjetër presin të kapin rastin e përshtatshëm,” thotë ai.

Ky kriticizëm u përsërit edhe në raportin e përparimit të Komisionit Europian për Maqedoninë këtë vit.

Konfiskimi i aseteve

Të pazot t'i ekstradojnë kriminelët e dyshuar dhe të dënuar, vendet e Ballkanit kanë filluar t'i konfiskojnë asetet e kriminelëve të mëdhenj në një lëvizje për t'i dekurajuar kriminelët e ardhshëm dhe për të rimarrë fondet e vjedhura nga shteti.

“Me qëllim që të përballojmë korrupsionin, duhet të godasim thellë… dhe bëhet fjalë për asetet. Duam të tregojmë që të gjitha asetet e përfituara paligjshmërisht mund të konfiskohen dhe që krimi në të vërtetë nuk ka dhënë ndonjë fitim,” shprehet ambasadori Xhurin.

Beogradi deri tani ka konfiskuar 300 milion euroë vlerë asetesh nga kriminelët dhe po investon para në masat për t'iu kundërvënë krimit të organizuar, thotë Simiqi nga ministria serbe e drejtësisë.

Maqedonia deri tani ka konfiskuar më se 30 milion euro nga kriminelët e dënuar duke pasuar pesë gjyqe të rëndësishme krimi të organizuar dhe korrupsioni.

Mihajllo Manevski, ish-ministri i drejtësisë që nënshkroi traktatet e para të ekstradimit në emër të Maqedonisë, është optimist që Daravelski do t'i dorëzohet së shpejti autoriteteve maqedonase.

Prapseprap, edhe nëse Beogradi dhe Shkupi më në fund e nënshkruajnë një traktat ekstradimi që do të nënkuptonte se Daravelski mund të kthehej në Maqedoni, ai mund t'i shpëtojë drejtësisë duke kaluar në Bosnjë apo Bullgari.

Se a do ta zbatojnë autoritetet traktatin e ekstradimit para se Daravelski të vendosë të ndryshojë përsëri adresë, mbetet për t'u parë.

Sllobodanka Jovanovska është gazetare nga Shkupi. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik

Topic

Topic 2011: Justice

The topic for this year’s programme is justice and fellows are investigating subjects as diverse as privatisation, organised crime, employment law, rape convictions and extradition treaties.

Diary

19 Dec 2011 / 16:56

Alumni Funding: Opportunities for Years to Come

Altin Raxhimi
19 Dec 2011 / 16:44

‘A Perfect Opportunity to Take Your Story a Level Further’

Nikoleta Popkostadinova
09 Nov 2011 / 10:41

The Fellowship: ‘It Was Worth It!’

Juliana Koleva
23 Sep 2011 / 12:38

Macedonia’s American Dream

Slobodanka Jovanovska
22 Sep 2011 / 09:55

EU Rules Benefit Croatian Jobseekers

Ruzica Matic
20 Sep 2011 / 10:51

The Fellowship Endgame

Jelena Kulidzan
14 Sep 2011 / 10:45

Sofia’s Schengen Compromise

Juliana Koleva
12 Sep 2011 / 12:44

The Story Ends, Almost

Elira Canga
08 Sep 2011 / 10:30

The Final Countdown

Dollores Benezic
03 Aug 2011 / 11:29

UK Rape Survivors Demand Justice

Jelena Kulidzan