SrpskiHrvatskiRomânăEnglishDeutschБългарскиМакедонскиBosanski

Sfida energjetike përçan shtetet e Ballkanit

Gjergj Erebara Tiranë, Shkup, Sofje, Beograd, Podgoricë dhe Sarajevë

Ekspertët thonë se ilaçi për zgjidhjen e problemeve energjetike të rajonit është ngritja e çmimeve, liberalizimi i tregut dhe përdorimi i qasjeve të përbashkëta, ndërkohë që qeveritë s'ua vënë veshin.

Shpëtim Nazarko, pronar i një shtypshkronje në Tiranë, dridhet kur afrohet dimri. Nuk është era e ftohtë që e tremb, por frika për të ardhmen e biznesit të vet. “Kriza energjetike po na nxjerr nga tregu e po na çon në falimentim”, - thotë ai.

Ndërsa temperaturat bien në Shqipëri, përdorimi i energjisë elektrike rritet. Por sistemi s'mund ta përballojnë këtë mbufatje, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta energjie.

Tregtarë si Nazarkoja duhet t'i kthehen gjeneratorëve nëse duan të kenë drita dhe t'i vënë në punë makineritë. Por puna me gjenerator që përdor karburant është tepër e shtrenjtë.

“Zakonisht shpenzoj 500 euro në muaj për energji,” shpjegon Nazarkoja. “Por kur s'ka korrent deri edhe katër orë në ditë, mund të përfundoj me 50 euro naftë në ditë kosto shtesë.”
 
Kriza energjetike e Shqipërisë filloi në fund të viteve 1990, pasojë e mungesës së investimeve dhe rritjes së përdorimit.

Shqipëria nuk është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që e ka këtë fat: Kosova dhe Maqedonia kanë problemet e veta kur bëhet fjalë për energjinë.
 
Rritja e qëndrueshme e kërkesës i ka kthyer të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Rumanisë dhe Bullgarisë, në importues të mëdhenj energjie ku varësia nga importet e huaja i bën të prekshëm ndaj ndërprerjeve të rrymës.
 
Për t'i zgjidhë problemet e energjisë, qeveritë do të donin të investonin më shumë në gjeneratorë të rinj dhe transmetues, por u mungojnë paratë për ta bërë këtë.
 
Ekspertët thonë se zgjidhja e vetme është rritja e çmimeve të rrymës dhe hapja e aftësive transmetuese anembanë rajonit, duke çliruar më shumë kapitale për të investuar në burime të reja energjie.

Por ata frikësohen se kjo nuk do të ndodhë, kryesisht sepse qeveritë frikësohen për reperkusionet shoqërore dhe politike të ngritjes së çmimeve.
 
Në një rajon ku vjedhja e rrymës është tepër e përhapur dhe një pjesë e madhe e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë përcaktuar nga OKB-ja prej dy dollarësh në ditë, ngritja e çmimeve të rrymës shpesh gjykohet nga qeveritë si vetëvrasje politike.

Ekspertët gjithashtu ankohen se tregtarët e energjisë po e manipulojnë tregun, duke i bërë çmimet e shumicës më të larta se ata në Evropën Perëndimore.
 
Kriza afrohet me të shpejtë
 
Ballkani ka qenë gjithmonë rajon i varfër dhe përdorimi i rrymës në epokën komuniste nga privati ishte i ulët.

Pak ekonomi familjare zotëronin pajisje elektrike, duke e mbajtur kërkesën për energji në nivele minimale. Industria e rëndë kishte pjesën e luanit.
 
Por pas shembjes së Murit të Berlinit dhe me të edhe të regjimeve komuniste të rajonit, qeveritë i hynë një tranzicioni të ngadaltë drejt ekonomive të tregut dhe paradigma ndryshoi.

Gjithsesi, rrjeti rajonal i energjisë nuk ka ecur me hapin e ndryshimeve të dy dhjetëvjeçarëve të fundit.

Investimet kanë qenë minimale si në rrjetet vendore të energjisë, ashtu edhe në linjat ndërkombëtare të transmetimit. Si pasojë, ato s'mund ta përballojnë oreksin për energji të importuar.
 
Drejtuesit politikë presin të ndodhë një mbufatje në vitet e ardhshëm. “E dimë se rajonin tonë në vitin 2012 do ta kaplojë një krizë e madhe,” tha Angel Marin, zëvendëspresident i Bullgarisë, në një takim të drejtuesve të Ballkanit në Maqedoni.
 
Megjithëse qeveritë në ish-Jugosllavi dhe Greqi duhet thënë se kanë bërë një punë të mirë në drejtim të privatizimit të kompanive të shërbimit, kjo nuk është bërë me investimet në prodhim.
 
Ekspertët llogarisin se vendet ballkanike kanë nevojë të investojnë më shumë se 15 miliardë euro në burime të reja energjetike dhe linja interkonjeksioni për të shmangur mangësitë edhe më të mëdha të rrymës në të ardhmen.

Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë për sa kohë që çmimi i rrymës në rajon mbetet vetëm gjysma e atij në Evropën Perëndimore, ku përdoruesit paguajnë mesatarisht 16.3 cent të euros për kWh, ndërkohë që ballkanasit paguajnë më pak se 7 cent.
 
Të ardhurat për frymë në Ballkanin Perëndimor shkojnë nga 20 deri në 40 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian, që ia vështirëson punën qeverive për t'i rritur çmimet e energjisë pa shkaktuar tollovi të madhe shoqërore.
 
Më 2007, korporata shtetërore shqiptare e energjisë, KESH-i, vepronte me humbje mbi 200 milionë euro, që janë afro 2.5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, PBB, kryesisht si pasojë e importeve.

Edhe EVN-ja e Maqedonisë, operatori më i madh i sistemit të shpërndarjes së energjisë në vend, paraqiti një deficit të madh financiar si pasojë e çmimit të lartë të rrymës së importuar.
 
Ekspertët e hedhin fajin e mungesës së investimeve madhore në këtë sektor përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit mbi strukturën artificialisht me çmim të ulët.

Paratë e kërkuara për të investuar në burime të reja energjetike s'mund të mbulohen me çmimin e tashëm të ulët të elektricitetit që paguajnë përdoruesit.
 
Edhe në Greqi, vendi më i pasur i rajonit, kompania kombëtare e energjisë PPC SA pati vështirësi verën e kaluar dhe për pak sa nuk vendosi regjim ndërprerjeje kur një rritje e papritur kërkese e tejkaloi aftësinë maksimale që mund të trajtonte.
 
A po rri Serbia me shkop në dorë?
 
Një nga arsyet e përmendura shpesh të krizës energjetike në rajon është mungesa e linjave ndërlidhëse të energjisë përmes Ballkanit dhe mbingarkimi i linjave që e lidhin këtë të fundit me Evropën Qendrore.
 
Qendra e linjave të përçimit të energjisë në Ballkan është në Serbi. Tetë linja përçimi e lidhin Serbinë me gjashtë vende fqinje, me Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Kosovën (kjo e fundit nuk njihet nga Serbia si shtet).
 
“Është e papërfytyrueshme të tregtosh energji në Ballkan pa i përdorur linjat që kalojnë nga Serbia,” thotë Sokol Spahiu, shef i shitjes në KESH. “Ai që dëshiron ta bëjë këtë duhet të punësojë dikë që flet serbisht.”
 
Por disa shtete fqinje e akuzojnë Serbinë se po e përdor pozitën e saj strategjike në zemër të rrjetit energjetik të Ballkanit për t'i rritur tepër çmimet.

“I paguam Serbisë 70 - 80 euro për megavat, ndërsa çmimi në Gjermani sillej mes 50 e 55 eurove,” u ankua operatori i transmetimit i Bosnjë e Hercegovinës në një raport të tij të vitit 2007.
 
Shumica e kompanive që tregtojnë energji në Ballkan, gjithashtu, zotërohen nga serbë, të cilët përfitojnë nga informacione të brendshme për aftësitë përçuese të linjave ndërlidhëse të Serbisë.

Monopoli i njëmendtë i Serbisë në këtë fushë i ka rritur ankesat. Mediat në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri rregullisht i sulmojnë qeveritë e tyre pse nuk punojnë më fort për t'i ikur kontrollit serb kur bëhet fjalë për energjinë.
 
Megjithatë, kompanitë mëtojnë se ato thjesht po bëjnë tregti, dhe shumë ekspertë e konfirmojnë këtë: “Ne nuk e kontrollojmë tregtinë e rrymës në Evropën Juglindore, dhe ky kontroll as që është i mundur,” tha Nenad Savic, zëdhënës i kompanisë energjetike serbe EFT.
 
“Krejt aftësitë tona përçuese përdorë nga pjesëmarrësit në treg në Serbi, si dhe në vendet e tjera të rajonit, shpërndahen më përpara përmes tenderave dhe një sistem i tillë shmang gjithë abuzimet e mundshme,” shtoi ai.
 
“Është thjesht tregti,” thotë Ymer Balla, kreu i operatorit të transmetimit të energjisë në Shqipëri. “Në kohë krizash, kemi marrë ndihmë nga Serbia.”
 
Harroje bashkëpunimin, më mirë të konkurrojmë
 
Ndërkohë, ekspertët shtjellojnë që politikanët nuk po e shohin krizën me mend në krye; në vend se të krijojnë një treg të përbashkët energjie nga i cili do të përfitonin të gjithë, ata janë përfshirë në një garë për të krijuar asetet e veta kombëtare të energjisë.
 
Një treg i përbashkët do të krijonte qasje të barabartë për kompanitë e energjisë në linjat e përçimit anembanë rajonit.
 
Si dëshmi e kësaj, ata tregojnë Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë, ku secili vend po përpiqet të krijojë centralet e veta bërthamore. Ngjashëm, Greqia, Maqedonia dhe Serbia shpresojnë ta përdorin gazin rus për termocentralet e tyre të reja.
 
Kosova shpreson të tërheqë investime të huaja për të ndërtuar një termocentral vigan qymyri, ndërsa Shqipëria ka dhënë me koncesion dy hidrocentrale.

Maqedonia, Kroacia dhe Shqipëria, nga ana tjetër, synojnë të ndërtojnë linja të reja përçimi me qëllim të zvogëlimit të varësisë së tyre nga Serbia.
 
Këta projekte konkurrojnë me kosto dhe mund të mos ketë vend për të gjithë. Disa mund të kthehen në puse pa fund që gëlltisin para dhe që ia gërryejnë themelet procesit të liberalizimit.
 
Natyrisht, ata që janë mbrapa këtyre nismave të reja kombëtare të energjisë nuk pajtohen me këtë. “Investimi ynë mund të bëhet i tepërt nëse Bullgaria ndërton centrale bërthamore, por duke parë shpejtësinë e ngritjes së nivelit të përdorimit, unë besoj se ka vend për të dy projektet,” thotë Agim Gjinali, kreu i një projekti 3 miliardë eurosh nga US Exim Bank, i cili synon të ndërtojë termocentrale me gaz në Shqipërinë jugperëndimore.
 
Disa drejtues energjetikë besojnë se mungesa e aftësisë përçuese, në të vërtetë, nuk është problemi i vërtetë dhe që disa nga investimet e propozuara për të ndërtuar linja të reja energjetike janë të panevojshme.

“Linjat tona përçuese u ndërtuan për t'u përdorur vetëm në kohëra krizash,” thotë Ivan Aylov, kreu i operatorit të transmetimit në Bullgari, duke shpjeguar se shpesh aftësitë e tyre të transmetimit të energjisë nuk përdoren.
 
“Në Ballkan ka linja përçimi që nuk përdoren,” i bën jehonë kësaj Lubos Pavlas, menaxher i CEZ Bulgaria EAD. “Problemi nuk është teknik apo ekonomik. Është politik.”
 
Teorikisht, linjat energjetike ballkanike duhet t'u jepen të gjithëve dhe tarifat për përçimin e energjisë janë përcaktuar mes 0.5 deri 5 euro për megavat.

Por këto rregullore, përcaktuar nga marrëveshja rajonale e Athinës më 2005, përcaktojnë edhe që linjat e interkonjeksionit mund të vihen në ankand kur kërkesa e tejkalon kapacitetin.

Ky nen i ka bërë të gjitha vendet të hapin ose të hyjnë në ankande për këto linja, me gjithë mungesën e transparencës lidhur me kapacitetin shtesë.
 
Srdjan Dajic, avokat për Electric Power Industry të Serbisë, operatori kombëtar i linjave të interkonjeksionit, thotë se informacioni mbi tenderat publikë për linjat e transmetimit energjetik “futet në sferën e sekreteve të biznesit.”
 
Ngaqë nuk ka informacion publik mbi kapacitetin e lirë aktual të linjave të përçimit, qeveritë i tenderojnë linjat përmes tenderave dhe tarifat e transmetimit për elektricitetin i kalojnë tepër ato për të cilat është rënë dakord, duke e rritë çmimin e importeve energjetike.
 
Më 2007, një tender për përdorimin e linjës ndërlidhëse mes Rumanisë dhe Serbisë, për shembull, përfundoi me çmimin e pranuar prej 22 eurosh për megavat, ndërsa tarifa normale e transmetimit nuk duhet ta kalojë 5 euro për megavat.
 
Rryma e shitur Rumanisë nga CEZ e Republikës Çeke për 40 euro për megavat më vonë u rishit nga tregtarët e energjisë në tregun e Greqisë për 80-90 euro për megavat.

Kjo praktikë është e njohur si “pastrim kilovatësh”, e ngjashme me pastrimin e parave, quajtur kështu për të përshkruar procesin e errësimit të origjinës së vërtetë të sasive të veçanta të rrymës që shitet në tregun e energjisë.
 
Ngaqë CEZ nuk kishte akses në linjat e përçimit për t'ia shitur energjinë e vet Greqisë drejtpërdrejt, ajo duhej shitë nga një ndërmjetës, nga një tregtar energjie i cili nxori një fitim të majmë nga ky proces.
 
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, i ngarkuar me liberalizimin e tregut energjetik të Ballkanit, pajtohet që aftësitë përçuese në rajon s'janë transparente sa duhet dhe nuk i jepen lirisht të gjithë operatorëve.
 
“Liberalizimi i tregut është e vetmja mënyrë për të tërhequr investime të huaja, sepse tregjet kombëtare janë shumë të vogla për t'i joshur ata,” thotë Robert Matous, ekspert i Sekretariatit. Drejtuesit energjetikë pajtohen, por paralajmërojnë për pengesat e vazhdueshme politike.
 
“Integrimi i tregjeve rajonale është i mundur teknikisht por harmonizimi i ligjeve në të gjitha vendet është një proces shumë më i ndërlikuar dhe do të kërkojë kohë të gjatë para se të kryhet,” shton Ivan Aylov.
 
Mos prit përmirësime pa rritje çmimesh
 
Ekspertët besojnë se nevojitet një lëvizje tjetër për ta lehtësuar krizën, rritja e çmimeve. Kjo do t'i ndihmonte kompanive energjetike të mbulonin harxhimet e prodhimit dhe do të lehtësonte kushtet për blerjen dhe shitjen e rrymës.
 
Por qeveritë nuk kanë vullnet të shkaktojnë zemëratën e popullsisë duke e marrë një hap kaq të rrezikshëm. Gjergj Bojaxhi, kreu i KESH-it, thotë se investuesit privatë janë të gatshëm të investojnë në rajon por ua pret hovin qeveria që dëshiron ta mbajë çmimin e energjisë të ulët.

“Ky është rrezik rregullator me të cilin përballen investuesit e huaj,” vëren ai.
 
Qeveria shqiptare, për shembull, ngul këmbë se është e përkushtuar për liberalizimin e energjisë dhe privatizimin e sektorit të shpërndarjes së saj. Megjithatë, tenderi për privatizimin u shty dy herë në tre tremujorët e parë të vitit 2008.
 
Më 2001, një studim i mbështetur nga Banka Botërore doli në përfundimin se mirëmbajtja dhe menaxhimi i një kompanie kombëtare shërbimesh në Shqipëri do të kërkonte të hyra prej 4 centësh për çdo kilovat të shitur.

Por Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë përcaktoi një kuotë maksimale për shpërndarësit prej vetëm 1.5 centësh për kilovat.
 
Ekspertët kanë dyshuar prej kohësh që kompania energjetike do të mund të gjente ndonjë blerës privat me këto kushte kaq diskriminuese, dhe ishte vetëm më 29 shtator 2008 që kompania e shpërndarjes shqiptare, OSSH, iu shit CEZ-it çek për 102 milionë euro.

Në mënyrë domethënëse, një kusht i shitjes ishte që CEZ-i nuk do t'i rriste çmimet në vitin 2009, kur do të zhvillohet fushata për zgjedhjet e përgjithshme.
 
Në Maqedoni dhe Bullgari, ku kompanitë e shpërndarjes tashmë janë privatizuar, problemi është i ngjashëm. Autoriteti rregullator, megjithëse teorikisht i pavarur, refuzon të lejojë rritjen e çmimeve cilido qoftë dëmi që i shkakton kjo kompanive private të energjisë.

Në Maqedoni, shpërndarja e rrymës kontrollohet nga kompania austriake EVN, ndërsa në Bullgari tregu ndahet mes italianes ENEL, kompanisë çeke CEZ dhe EVN-së.

“Nëse çmimi s'rritet, ne nuk mund të investojmë dhe cilësia e shërbimeve tona do të përkeqësohet,” paralajmëron Lubos Pavlas i CEZ-it në Bullgari.
 
Një rrjet i rrëgjuar energjetik përfshin kosto si për bizneset ashtu edhe për përdoruesit. Ekonomitë rajonale kanë shijuar rritje zhvillimore në vitet e fundit, duke nxjerrë qindra mijëra njerëz nga niveli i varfërisë. Por ky proces mund të ndalet ose edhe të kthehet mbrapsht pa zgjidhjen e problemeve energjetike të rajonit.
 
“Kriza energjetike paraqet rrezik të madh për Shqipërinë,” u shpreh Fondi Monetar Ndërkombëtar në shtator 2007. “Ajo prek gjithë indekset afatmesme ekonomike dhe mund të krijojë vrimë në buxhet.”

Sipas ministrisë së ekonomisë së vendit, ndërprerjet energjike në vitin 2006 i kushtuan Shqipërisë 1 për qind të rritjes së prodhimit të përgjithshëm të brendshëm.
 
Në Tiranë, Shpëtim Nazarkoja i shtypshkronjës, i është dorëzuar fatit i cili bën që makineritë e tij të ndalojnë e të rinisin punën kur ikin e vijnë dritat.

Klientët e tij, kryesisht firma që kanë nevojë për materiale paketuese, duhet të përshtaten me dërgesat e vonuara dhe ndryshimet e detyrueshme të orareve të tyre. “Nga kjo krizë energjetike vuan ekonomia në tërësi,” thotë Nazarko.

Fellow Bio

/en/file/show/gjergj-erebara.jpg

Gjergj Erebara

Gjergj Erebara was born in 1979 in Tirana, Albania. He has been specialized in economic reporting and currently works as journalist in “Shqip” daily published in Tirana and BalkanInsight.com publication.

Topic

Topic 2008: Energy

Energy is a topic that preoccupies officials, politicians and citizens across Europe - and arguably one of the biggest challenges facing this continent and the international community.

Fellows

/en/file/show/zvezdana-crnogorac.jpg
Zvezdana Crnogorac
/en/file/show/stanimir-vaglenov.jpg
Stanimir Vaglenov
/en/file/show/mirsad-bajtarevic.jpg
Mirsad Bajtarevic
/en/file/show/magda-munteanu.jpg
Magda Munteanu
/en/file/show/lavdim-hamidi.jpg
Lavdim Hamidi
/en/file/show/gjergj-erebara.jpg
Gjergj Erebara
/en/file/show/darko-duridanski.jpg
Darko Duridanski
/en/file/show/dalibor-dobric.jpg
Dalibor Dobric
/en/file/show/andreea-gheorghe.jpg
Andreea Gheorghe
/en/file/show/aleksandra-stankovic.jpg
Aleksandra Stankovic