SrpskiEnglishRomânăHrvatskiМакедонскиBosanskiDeutschБългарски

Tingujt e muzikës shërojnë plagët e ish-Jugosllavisë

Davor Konjikusic Zagreb, Sarajevë, Beograd, Strasburg, Oslo, Stokholm, Kopenhagë dhe Helsinki

Interesat pragmatike po zëvendësojnë ideologjinë e vjetër të “vllaznim-bashkimit” si nxitës të bashkëpunimit të ri artistik.

“Një herë mik, gjithmonë mik! Dhe zakonisht miqtë i kam zënë përmes muzikës,” thotë Branislav Babić i njohur si Kebra, këngëtari lider i grupit të rokut serb, Obojeni Program. “Kombësia nuk është e rëndësishme kur bëhet fjalë për këtë.”

Në vitin 1991, Kebra ishte në situatën kur kombësia, fatkeqësisht, ishte gjithçka; ishte serb që po kryente shërbimin ushtarak në Vinkovci, Kroaci Veriore, ndërkohë që armiqësitë e ngulfatën Jugosllavinë.

Lidhjet muzikore e shpëtuan. Duke këqyrë përmes gardhit të barakave turmën e civilëve dhe policëve të inatosur kroatë, ai zbuloi një fytyrë të njohur: Goran Bare, roker nga grupi kroat Majke. Ata ia dolën të komunikonin disi dhe atë natë, me ndihmën e Bares, Kebra gjeti rroba civile, kërceu gardhin dhe iku në këmbë në Hungari.

Kebra dhe grupi i tij tani po këndojnë në Kroaci. Ky fakt, dhe reagimet miqësore të publikut, tregojnë se me gjithë vështirësitë që ende rëndojnë marrëdhëniet mes vendeve të ish-Jugosllavisë, lidhjet kulturore kanë rezultuar të vështira të thyhen.

“Nëse gjërat do t’i liheshin njerëzve të zakonshëm, mendoj se kjo do të funksiononte pa problem,” thotë Kebra për shkëmbimet e rilindura mes Serbisë dhe Kroacisë. “Por nëse ‘kultura’ i lihet politikanëve, atëherë varet nga ata dhe do të gjejnë gjithmonë arsye për t’i penguar gjërat.”

Menjëherë mbasi Kebra iku nga Vinkovci, Ushtria Jugosllave bombardoi qytetin, duke bërë të shpërthente lufta që do ta përfshinte krejt Jugosllavinë nga Kroacia në Bosnjë dhe më vonë Serbinë, duke lënë pas vetes vdekje, dëbime dhe shkatërrim.

Ndërsa kufij të rinj shtetërorë nxorën krye brenda Jugosllavisë, edhe skena kulturore u shpartallua. Por një grup alternativ, pacifist, e mbajti flakën të ndezur dhe me kohën, përveç faktit se ishte bërë paqe, bashkëpunimi dhe shkëmbimet lulëzuan, jo vetëm në fushën e të ashtuquajturës “kulturë e lartë”.

Sot, shkëmbimet kulturore janë gjithnjë e më të zakonshme, ngaqë gjuha dhe interesat e përbashkët krijojnë raste për artistët dhe bizneset, qofshin teatro avantgarde, filma për çmime apo muzikë turbofolk (tallava).

Ndërkohë që lëvizshmëria gjithnjë e më e madhe kulturore ende përballet me kundërshtime nga ata që duan të ruajnë veçimin e viteve të luftës, disa shpresojnë për krijimin e një kulture më të gjerë ballkanike. Për të tjerë, modeli skandinav është më tërheqës, ku shtetet të veçanta por të lidhura ngushtë, tregojnë se si mund të veprojë një hapësirë kulturore më e madhe rajonale.

Pa ideologji, ata shpresojnë se një lloj i ngjashëm bashkësie mund të nxjerrë krye në Ballkan, duke rritur rastet dhe përfitimet e artistëve, në të njëjtën kohë duke ndihmuar pajtimin e ngadaltë të njerëzve ende të traumatizuar nga lufta.

Një ‘treg i përbashkët kulturor’ në kosh

“Ishte e pamundur të rrije këtu dhe të mos ishe anëtar i grupit.” Rajko Grlić, regjisor i shquar kroat i filmit, ishte një nga artistët e ish-Jugosllavisë që vuajti shpërbërjen e lidhjeve kulturore nga lufta. Shpallur persona non grata në Zagreb, pasi vazhdoi të punonte në fillim të viteve 1990 me kolegët serbë në shumë filma - “Virdžina” si producent dhe “Čaruga” si regjisor - Grlić iku për të studiuar dhe më vonë për të dhënë mësim në SHBA.

Dhe kjo nuk ishte vetëm pse atmosfera artistike e Kroacisë ndryshoi. “Në të njëjtën kohë, shumica në Beograd ndryshoi brenda natës nga kundërshtimi i socializmit në marrjen e qëndrimeve nacionaliste. Zhgënjimi im ishte i madh,” shpjegon ai.

Këngëtari dhe kompozitori i njohur kroat, Arsen Dedić, yll në Jugosllavi qysh prej fillimit të viteve 1960, ndjeu të njëjtën gjë. Ndërsa luftimet vazhdonin në Kroaci e Bosnjë, ai u orvat të mbante lidhje me kolegë e këngëtarë nga ish-republikat jugosllave. “Si ta urreja një mik nga Beogradi, apo Kemal Montin nga Maqedonia?” pyet ai.

Pas paqes se vendosur më 1995, këta pionierë bënë hapat e parë drejt rivendosjes së lidhjeve më të ngushta kulturore. Punët ecën ngadalë, gjithsesi. Ndjenjat e urrejtjes mes njerëzve, trashëgimi e shifrave të larta të viktimave të luftës, përbënin një pengesë serioze. Procesi nuk u shpejtua deri në vitin 2000, kur një klimë më tolerante politike filloi ta zëvendësonte histerinë nacionaliste të dekadës së kaluar.

Sot, yjet më të njohura të Jugosllavisë, si Arsen Dedić nga Zagrebi, Momčilo “Bajaga” Bajagić nga Beogradi, “Zabranjeno Pušenje” nga Sarajeva e Goran Bregović, frontmen i Bijelo Dugme-s, grupi boshnjak i rrokut i viteve 1970, edhe njëherë performojnë në salla të mbushura në ish-republikat e Jugosllavisë. Dhe s’është thjesht nostaligji. Grupet bashkëkohore bëjnë të njëjtën gjë, që do të thotë se përveç kujtesës së përbashkët, ka edhe interesa e shije bashkëkohore të përbashkëta.

Kemi diçka të përbashkët, gjithsesi

Grupi i njohur i rokut kroat, “Hladno Pivo”, s’ka origjinë jugosllave sepse u krijua pasi republika ishte bërë e pavarur. Mbasi fitoi popullaritet në Slloveni, arriti majat në Bosnjë e Hercegovinë, dhe në fund, në Serbi, ku grupi organizoi një koncert në vitin 2001. “Sapo mundëm të shkonim atje të performonim, shkuam. Ashtu siç erdhën grupet nga Serbia për të luajtur këtu,” kujton Zoki, kitaristi kryesor i “Hladno Pivo”.

Edhe filmi shkakton interes ndërkufitar, të cilin aktori dhe producenti nga Beogradi Zoran Cvijanović e shpjegon me estetikën e ngjashme si dhe me gjuhën virtualisht të përbashkët. “E vërteta e çështjes është që ne e kuptojmë njëri-tjetrin në këto anë, dhe kjo është thelbësore,” thotë ai.

Vetëm disa vjet më parë, qarkullimi i aktorëve mes Kroacisë, Serbisë dhe Bosnjës do të kishte qenë i pakonceptueshëm. Tani ata luajnë në pjesët artistike të njëri-tjetrit. Në Kroaci, një nga personazhet më popullore në telenovelën “Ljubav u Zaledju” [Dashuri në sfond], është Ogi, luajtur nga aktori serb Nenad Stojimenović.

Po ndodhin edhe shkëmbime të dendura në teatër, veçanërisht mes kompanive më të vogla alternative. Është e njëjta gjë në artin modern, ku organizata të ndryshme po i bashkojnë forcat në bazë të interesit të përbashkët. Tri organizata, KUDA.ORG e Novi Sadit, Qendra për Art Modern nga Sarajeva dhe WHW (Çka, Si & për Kë) Collective nga Zagrebi, po bashkëpunojnë prej vitesh, ndërsa projekti i tyre “dekonstruksioni i përmendoreve”, ka kapur vëmendjen e publikut kohët e fundit falë një pune titulluar “Përmendore një kutie”, referencë ironike ndaj ndihmës ushqimore dërguar banorëve të rrethuar të Sarajevës në vitet 1992 - 1995.

Me gjithë veçimin dhe paragjykimin e 17 viteve të kaluara, diçka e veçantë duket se i lidh njerëzit e këtyre vendeve fqinje. “Dikush tha që Kroacisë tani s’i duket kultura e Serbisë më interesante se kultura bullgare,” vëren kritiku i rokut dhe gazetari Aleksandar Dragaš. “S’e besoj se është kështu.”

Kjo është ndoshta më e dukshme në festivalin vjetor të muzikës EXIT në Novi Sad. Qysh prej fillimit të këtij festivali në vitin 2000, ai është bërë vend ku brezat e rinj të pas-luftës kanë qenë në gjendje të takohen dhe t’i zhdavarisin me shpejtësi paragjykimet. Është bërë pamje e zakontë në stacionin e Novi Sadit të shohësh autobusin e Zagrebit të pengohet nga pasagjerët e tij ndërkohë që ata/ato puthin të dashurën a të dashurin serb duke i thënë lamtumirë.

“Në fillim s’u thashë prindërve që po shkoja në Serbi,” thotë Mirta, studente nga Zagrebi, duke kujtuar vajtjen e parë në EXIT. “Sot është OK. Tani e dinë se për tre vitet e shkuara kam pasë shkuar në Novi Sad për festivalin. U qetësuan kur u shpjegova se kam takuar shumë të rinj të sjellshëm atje.”

Interesi i Mirta-s në gjërat serbe është nxitur nga koha që ka kaluar në atë vend gjatë EXIT-it. “Vitin tjetër do të shkoj në festivalin e veglave të frymës në Guča,” shton ajo, duke iu referuar takimit tradicional të grupeve të veglave të frymës në Serbinë Perëndimore, diçka krejt tjetër. “Çdo gjë këtu është e re dhe ekzotike për ne,” shpjegon ajo.

Paraja rrotullon botën

EXIT jep një shembull të mirë se si janë ndërtuar rastet pragmatike të biznesit mbi ngjashmëritë kulturore dhe të kuptuarit gjuhësor. Me fjalë të tjera, lidhjet e thyera janë rivendosur në kërkimin për tregje më të mëdha dhe për ekonomi shkalle.

Mes të parëve që e kanë kuptuar këtë ishin regjisorët e filmit nga ish-republikat jugosllave. Ata thonë se është më e lehtë të punohet së bashku sesa me kolegë nga vendet e tjera, por që shpërndarja e bashkëprodhimeve kushtëzohet, për më shumë, nga shansi për aktrime më cilësore, që përftohen përmes targetimit të një grupi më të gjerë aktorësh, ngjashmëria e gjuhëve që e bën të panevojshëm përkthimin e titrimin dhe mundësia e bashkimit të burimeve për të marrë buxhete më të mëdha.

“Gjithkush u përfshi menjëherë në bashkëprodhimet slloveno-kroate, maqedono-sllovene dhe kroato-serbe, dhe u nxorën fonde gjithandej për këto projekte,” kujton regjisori i filmit kroat Vinko Brešan.

Një shembull i profilit të lartë është filmi i vitit 2006 nga Rajko Grlić, “Karaula”, bashkëprodhim komik që përfshinte pesë nga gjashtë ish-republikat jugosllave, i vendosur në një bazë të paraluftës të Ushtrisë Jugosllave në kufi me Shqipërinë. Për të marrë fonde nga EUROIMAGE, Fondi Evropian për Mbështetjen e Kinemasë ngritur nga Këshilli i Evropës për të financuar bashkëprodhime, shpërndarje dhe shfaqje të filmave evropianë, Karaula duhej të ishte projekt me të paktën tre shtete. Si pasojë, kroatët, sllovenët dhe maqedonasit bashkuan forcat. Por nuk mbaroi këtu, sepse edhe Serbia e Bosnja u përfshinë në projekt.

“Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Serbia kanë të gjitha një përfitim të madh: nuk kanë nevojë për titra për të shpërndarë filmat e njëri-tjetrit në tregjet tona,” thotë Brešan. “Në një farë mënyre, ky është një treg i përbashkët për industrinë e filmit dhe ajo që ishte logjike ndodhi.”

Reagimi i publikut e vërteton këtë. Prodhimet vendore si “Karaula” dhe filmi “Svjedoci” [Dëshmitarët] i Brešan-it, film për kohën e luftës që fitoi Çmimin e Festivalit të Paqes në Berlin më 2004, janë bërë tejet të famshëm në Ballkan.

Potenciali i tregut i këtij interesi të përbashkët është i pranishëm edhe në skenën muzikore. Më 2005, gjiganti mediatik botëror MTV nisi MTV Adria, që mbulonte gjithë ish-republikat jugosllave me një treg prej afërsisht 20 milion njerëz. Kanë lindur edhe televizione private që po transmetojnë në mënyrë rajonale, përfshirë kanalin MTS [Music Television Station] që transmeton nga Serbia dhe stacionin komercial serb TV Pink.

Ky i fundit është bërë i njohur më së shumti për Grand Show, një performancë muzikore që përfshin edhe pjesë liberale turbofolku, një stil që përfshin tekste të thjeshta, emotive, që këndohen në mënyrë erotike nga bukuroshe që shpesh kanë bërë operacione estetike.

Me gjithë faktin se turbofolk është zhanër serb, i lidhur tepër me nacionalizmin serb, kritiku i rokut kroat Aleksander Dragaš thotë se ai është shumë popullor në Kroaci. Gazeta e tij, ditorja e Zagrebit “Jutarnji List”, zhvilloi një anketë mbi këtë çështje: “Doli që 43 për qind e rreth 1,000 të anketuarve… dëgjonin turbofolk,” thotë ai.

Ironia është që kjo përzierje e muzikës popullore serbe, këngëve popullore e ritmeve orientale u bë modë gjatë sundimit të Slobodan Milošević në vitet 1990, ndërkohë që ylli i saj më i njohur është Svetlana “Ceca” Ražnatović, e veja e luftëtarit paraushtarak të kohës së luftës, famëkeqit Željko “Arkan” Raznatović. Me gjithë këtë origjinë, dhe pa ndonjë mbështetje kushedi nga media, ky zhanër ka vazhduar të përhapet në rajoni, përfshi Bosnjën, Kroacinë, Slloveninë, bile edhe Kosovën.

Menaxheri i një klubi turbofolk në Zagreb thotë se bëhet fjalë gjithmonë për para të thata. “Sot paraja është më e rëndësishme se gjithçka dhe ka shumë të tilla në turbofolk,” vëren ai. “S’ka rëndësi kush apo çka janë ata [d.m.th. këngëtarët], sepse kroatët e kërkojnë.”

Jo të gjithë e dëgjojnë turbofolk

Popullariteti i Turbofolk-ut jashtë Serbisë, veçanërisht në Kroaci, ende mban ngjyresa të rënda nga e shkuara, gjithsesi. Ndërsa këngët e Cecës gjëmojnë prej klubeve të natës dhe kafeneve, do të ishte virtualisht e pamundur që këngëtarja të zhvillonte koncert në vend.

Gazetarja Natasa Bodrožić beson se kjo tregon se sa rrugë ka për të bërë afrimi mes vendeve dikur ndërluftuese. “Ka disa shembuj sporadikë bashkëpunimi kulturor, por nuk ka urë të vërtetë,” pohon ajo.

Ajo thotë se mediat nuk kanë ndryshuar në të njëjtin hap me publikun. Kështu, ndërsa hitet kroate rrugëtojnë nëpër valët ajrore serbe dhe boshnjake, “asnjë radio kroate nuk ka vënë ndonjë nga këngët serbe që konkurruan në festivalin evropian, si për shembull këngën fituese të këtij viti, ‘Molitva’, ose konkurruesen e vitit 2005, ‘Lane Moje’,” tregon Bodrožić.

Rezistenca ndaj bashkëpunimit kulturor vjen nga shumë anë, përfshi partitë politike, viktimat e luftës dhe grupet e veteranëve, por edhe nga vetë artistët.

Zoki i “Hladno Pivo” nuk e mohon ekzistencën dhe as nuk i vë në dyshim motivet e tyre. “Njerëzit u dëshpëruan nga lufta dhe humbën më të dashurit, kështu që i kuptoj ata njerëz që ndihen keq kur grupet serbe luajnë në Kroaci,” pranon ai.

Njëra nga ato është aktorja kroate Vitomira Lončar, që nuk e ka vizituar Beogradin qysh nga lufta, megjithëse dikur ishte shumë e famshme atje. “E di me siguri që gjatë dhe pas luftës asnjë nga kolegët e mi nga Beogradi nuk u përpoq të hynte në lidhje me mua,” kujton ajo. “Nuk pyetën kurrë se si ia dolëm në strehime dhe nëse kishim nevojë për ndonjë gjë.”

Snježana Banović Dolezil, ish-drejtore e dramës në Teatrin Kombëtar Kroat, u detyrua të jepte dorëheqjen më 2002 pasi një grup aktorësh refuzoi të jepte shfaqjen në Beograd që e kishte organizuar ajo. Disa prej tyre thanë se s’do t’i përkuleshin një audience në Beograd që mund të përfshinte njerëz të cilët mund të kishin vrarë kroatë.

Disa të tjerë fajësojnë elitat politike që sot japin mbështetje për bashkëpunim kulturor por rrallë e bëjnë realitet atë që thonë. Kolektivi i WHW-së, i shquar për artin e tij që vë në dyshim mitet kombëtare, e sheh retorikën e butë të zyrtarëve si të shkaktuar kryesisht nga dëshira për të hyrë në Bashkimin Evropian.

“Është pasojë e këtij makthi të madh me Bashkimin Evropian, i parë si një rrugicë drejt një të ardhmeje më të ndritshme, që zyrtarisht i kemi mbyllë hesapet me të shkuarën,” thotë Sabina Sabolović, kuratore e WHW-së. “Procesi i normalizimit ka krijuar këtë fytyrë të përzemërt nga jashtë, por këto çështje nuk janë përpunuar si duhet dhe ende kemi shtresa të shumëfishta kundërshtimi dhe jotolerance.”

Disa kritikë të ministrisë së kulturës kroate ankohen se shumë buxhetet harxhohet në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare e arkeologjike, ndërsa shuma të vogla caktohen për prodhime kulturore që s’kanë përmbajtje të fortë, të dukshme, “kombëtare”.

Por Irena Guidikova e Drejtorisë për Kulturën në Këshillin e Evropës tha se mëdyshje të tilla janë të zakonshme për të gjitha vendet në tranzicion. “[Ato], dhe veçanërisht shoqëritë post-komuniste kanë gjendje të vështirë … për të vendosur balancë mes projekteve të ruajtjes së trashëgimisë dhe investimeve në proceset krijuese dhe artin modern,” vëren ajo.

Bosnja ka dilema të veçanta në këtë anë, ngaqë marrëveshja pas luftës efektivisht miratoi ndarjen e republikës në dy zona, një serbe dhe një tjetër kryesisht boshnjake dhe kroate. Marrëdhëniet e akullta mes këtyre dy njësive, Federatës dhe Republika Srpska, kanë bërë që kultura shtetërore të mbesë e sunduar nga çështjet dhe emërtimet “kombëtare”.

Dunja Blažević, drejtoreshë e Qendrës boshnjake për Art Bashkëkohor thotë se kjo lë pak hapësirë për forma arti haptazi kombëtare. “Përveçse për filmin, ministria jonë federale nuk ka interes në artet bashkëkohore,” ankohet ajo. Ndërkohë, muzetë dhe galeritë kombëtare shpërfillen, “ngaqë ishin krijuar nga shteti i mëparshëm dhe asnjë institucion në Federatë s’ka vullnet të kujdeset për to,” shton ajo.

Ndarjet etnike në Bosnjë, bashkë me përvojën e luftës, ndikojnë gjithashtu në mënyrën se si artistët e Bosnjës ndërveprojnë me Serbinë dhe Kroacinë fqinje. Faruk Šehić, përfaqësues i valës së re të letërsisë boshnjake dhe anëtar i të ashtuquajturit “brez i luftës”, thotë se audienca e Zagrebit është më e hapur ndaj kulturës boshnjake sesa ajo e Beogradit.

Reagimi për filmin Grbavica, filmi i vitit 2005 nga regjisorja boshnjake Jasmila Žbanić, e ilustronte ndoshta më së miri këtë. Historia e një nga shumë gratë boshnjake përdhunuar nga ushtarët serbë gjatë luftës, u vlerësua ndërkombëtarisht, fitoi çmimin Golden Bear në Festivalin e Filmit në Berlin, por ende nuk është shpërndarë në Serbi, ani pse aktorja kryesore, Mirjana Karanović, është serbe.

Karanović nuk ka pasur dëshirë ta politizojë këtë fakt. “Ka një mbrapavijë politike në këtë, por nuk jam e sigurtë që kjo është arsyeja kryesore,” thotë ajo. “Gjithë çka di është që nuk kishte pasqyrim në Serbi të suksesit që kam pasë me këtë film... Dhe ajo që nuk është në gazeta, nuk ekziston”.

Milena Dragičević Šešić, drejtoreshë e Shkollës së Artit në Beograd e një nga ekspertet më të njohura kulturore të rajonit, është më pak e ndrojtur. Ajo ia vesh këtë e shembuj të tjerë të ekskluzivitetit kulturor “njerëzve me komplekse personale inferioriteti që u nevojitet një skenar megaloman: miti i kulturës serbe. Ata që shohin kërcënim në çdo gjë.”

Mësime nga Skandinavia

Zoki i “Hladno Pivo” thotë se kombet e ish-Jugosllavisë duhet ta braktisin konceptin e fajit të trashëguar për të përqafuar pajtimin. “S’mund ta fajësosh një komb të tërë për krimet e qeverisë së tij të 10 a 15 vjetëve më parë,” thotë.

Ai beson se artistët nga ish-Jugosllavia mund të mësojnë nga paraprijësit në vende të tjera të Evropës, ku kishte probleme të tilla dhe u kapërcyen.

Disa artistë nga ish-Jugosllavia janë të interesuar në konceptin që mbështet ARTE-n, një televizion kulturor krijuar më 1992 për të mbushur hendekun mes Francës dhe Gjermanisë, dy vende që kanë qenë në luftë tri herë prej vitit 1870, por që tani formojnë themelin e Bashkimit Evropian.

Michael Strier, zyrtari i tij i komunikimit, thotë se stacioni synon me gjasë dhënien e një shërbimi panevropian. “Përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë dhe respektojnë kulturën tjetër. Nëse s’ke respekt për fqinjin, s’mund të jetoni bashkë.”

Gjithsesi, Rajko Grlić preferon të shikojë modelin e vendeve skandinave si drejtim potencial për ish-republikat jugosllave. Finlanda, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia kanë pasur një histori të vështirë, shënjuar nga luftëra dhe armiqësi. Gjithsesi, në dekadat e fundit ata kanë krijuar shumë mekanizma për t’i lehtësuar veprimet e përbashkëta dhe politikat kulturore.

Siç e shpreh Per Svenson i Këshillit Suedez të Arteve, “Bashkëpunimi kulturor nordik është i rëndësishëm sepse kemi shumë të përbashkëta. Ne përfaqësojmë gjuhë të vogla në skajet e Evropës, kemi histori e tradita të përbashkëta, dhe sigurisht që është e rëndësishme të kesh marrëdhënie të mira me fqinjët.”

Kolegia e tij nga Këshilli Finlandez i Arteve, Saha Hannu, pajtohet. “Bashkëpunimi kulturor modern mes vendeve nordike është shumë i ngushtë, me takime të rregullta ministrash kulture dhe arsimi, shumë fondacione për veprimtari kulturore dhe sot për sot me bashkëpunim shumë aktiv mes artistëve e vetë institucioneve kulturore.” Sipas Hannu-s, “Ky bashkëpunim s’është veç i rëndësishëm, është i natyrshëm.”

Cvijanović beson se kjo i jep shpresë rajonit të tij, ngaqë shtetet skandinave “kanë histori krejt të ngjashme me atë të vendeve të Ballkanit”, duke shtuar: “E shoh këtë si rast të mirë për ne, ngaqë edhe ne jemi shumë vende në një vend të vogël.”

Rajko Grlić pajtohet: “Ka ngjashmëri të madhe me vendet skandinave. Është shumë e vështirë të gjesh film danez pa pjesëmarrjen e Suedisë e Norvegjisë. Pavarësisht pasurisë së tyre, vendet e vogla po përpiqen të bashkohen dhe ta përdorin të ashtuquajturën hapësirë ndjeshmërie të përbashkët si tregun e tyre kryesor”.

Ende jo të gatshëm për modelin nordik

Ish-shtetet e Jugosllavisë ende kanë rrugë për të bërë para se të plotësohen kushtet fillestare për një nivel të tillë bashkëpunimi. Të drejtat intelektuale duhen trajtuar në nivel rajonal, për shembull, sepse piratizmi është shumë i përhapur.

Vendet skandinave, nga ana tjetër, kanë rregullore të përbashkëta të mbështetura domosdoshmërisht nga shteti, shoqëria civile, shoqatat profesionale dhe fondacionet private. Decentralizimi është një çështje tjetër. Shumë autoritete vendore nordike dhe administrata qytetesh kanë pothuajse të njëjtin buxhet për projekte kulturore sa edhe shteti. Vendet e Ballkanit s’janë askund në këtë pikë.

Por Tomas Bokstad nga Ministria e Kulturës e Suedisë thotë se s’ka asgjë të veçantë lidhur me modelet e bashkëpunimit kulturor që kanë krijuar vendet nordike. “Nëse e hetoni sistemin e ri të mbështetjes kulturore në vendet skandinave, mund të shihni se ai mund të zbatohet në Evropë dhe më gjerë,” thotë ai.

Siç tregon Per Svenson, një element i rëndësishëm për suksesin e Suedisë në zhvillimin e bashkëpunimit kulturor ka qenë një politikë kulturore që nuk e thekson “kulturën suedeze” por se. “Politika kombëtare kulturore nënvizon rëndësinë e ndërkombëtarizmit dhe larmisë,” thotë ai. Kjo është arsyeja pse, me gjithë të shkuarën e tyre konfliktuoze, “Suedia dhe Danimarka punojnë në mënyrë të përkryer së bashku edhe brenda sistemeve të bashkëpunimit kulturor nordik, por edhe ndryshe.”

Ndërsa bashkëprodhimi dhe bashkëpunimi kulturor po nxjerr krye tashmë mes Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë me forcat e veta, nuk ka dyshim që qeveritë dhe organizatat profesionale duhet të ngrihen e t’i mbështesin dinamikat e interesit të natyrshëm, ngjashmërisë gjuhësore dhe forcave të tregut.

Pa këtë, sipas Milena Dragičević Šešić, shembujt e bashkëpunimit i lihen “nismave vetjake”, e ndërsa “këto mund të jenë afatgjata, s’mund ta ndryshojnë pamjen e përgjithshme”.

Megjithatë, ajo mbetet optimiste se procesi do të fuqizohet dhe do të ndihmojë në shërimin e plagëve të luftës që e kanë larguar rajonin nga Evropa. Edhe skeptikët e pranojnë që kultura mund të jetë çelësi i përmirësimit të lëvizshmërisë në përgjithësi, ngaqë armiqtë e mëparshëm e viktimat e përbashkëta kanë shans për t’i zbutur frikët dhe paragjykimet përmes hapjes ndaj prodhimeve kulturore të njëri-tjetrit.

“Po të flasim si duhet, besoj se kultura mund të luajë një rol pozitiv në pajtim dhe është e mundur që kjo të jetë një nga rolet kryesore të saj,” thoë Lončar. “Ndoshta fëmijët tanë, që s’e ndjejnë peshën e asaj çka kemi kaluar ne, do të jenë në gjendje të krijojnë një perspektivë të ndryshme.”

Fellow Bio

/en/file/show/davor-konjikusic.jpg

Davor Konjikusic

Davor Konjikusic is a freelance journalist and photographer based in Zagreb, Croatia, working for a range of media in Croatia and Serbia

Topic

Topic 2007: Mobility

The Balkans features a proliferation of borders and barriers to movement of people, goods, capital, services, information and ideas, both among the countries that make it up and vis-à-vis the EU.

Fellows

/en/file/show/sokol-ferizi.jpg
Sokol Ferizi
/en/file/show/polina-slavcheva.jpg
Polina Slavcheva
/en/file/show/nikoleta-popkostadinova.jpg
Nikoleta Popkostadinova
/en/file/show/nenad-radicevic.jpg
Nenad Radicevic
/en/file/show/milorad-ivanovic.jpg
Milorad Ivanovic
/en/file/show/eleonora-veninova.jpg
Eleonora Veninova
/en/file/show/davor-konjikusic.jpg
Davor Konjikusic
/en/file/show/bojana-stanisic.jpg
Bojana Stanisic
/en/file/show/bogdan-asaftei.jpg
Bogdan Asaftei
/en/file/show/altin-raxhimi.jpg
Altin Raxhimi