БългарскиSrpskiEnglishRomânăBosanskiМакедонски

Kryetitull: Epoka dixhitale prodhon shefa Big Brother

Dollores Beneziç Bukuresht, Beograd, Berlin dhe Londër

Punëdhënësit anembanë Europës kanë lexuar emailat privatë të punonjësve dhe bisedimet në chat duke përdorë ilegalisht programe kompjuterikë survejimi; në Rumani punonjësit mëtojnë se shefat i kanë përdorë informacionet private për t'i shantazhuar dhe persekutuar.

Shumica e punëtorëve në Europë duket se nuk janë të vetëdijshëm se shefat mund t'ua lexojnë emailat privatë dhe bisedat në chat (Pamja: Partnerët për Serbinë).

Shumica e punëtorëve rumunë hyjnë në kompjuterat e tyre çdo mëngjes pa e ditur faktin se shefat e tyre jo vetëm monitorojnë cilat faqe vizitojnë, por edhe se sa kohë kalojnë duke punuar apo duke lundruar në internet.

Më e keqja është se askush nuk e kupton se punëdhënësi i tij, me programet e duhura, mund të interceptojë emailet private të dërguara nga llogaritë personale si Gmail apo Yahoo!.

“Punonjësit duhet ta dinë se përmbajtja e emailave të tyre mund të lexohet,”thotë L.F., drejtues në firmën Netsec Interactive Solutions, kompani konnsultative IT për sigurinë me qendër në Bukuresht, që kërkoi të mos i publikohej emri.

“Fatkeqësisht, megjithëse të dizajnuar fillimisht për t’u përdorë në mënyrë konstruktive, veglat e monitorimit IT po përdoren nga disa punëdhënës për qëllime personale dhe jo profesionale. Po flasim për shantazh, deri edhe persekutim.”

Netsec llogarit që 40 përqind e kompanive multinacionale dhe të mëdha që veprojnë në Rumani përdorin programe të specializuara për të interceptuar dhe gjurmuar rregullisht gjithë rrjedhën e informacionit, përfshi atë çka mund të shkruajë një punonjës i tyre në një email apo që mund të shkarkojë në USB.

Survejimi i fshehtë i punonjësve, ndaluar nga ligjet e Bashkimit Europian, ka qenë tepër kundërthënës edhe në shtetet e tjera europiane, veçanërisht në Gjermani, ku disa kompani janë detyruar të paguajnë gjoba me miliona euro dhe ligjbërësit po debatojnë mbi një legjislacion të ri mbi privacinë në vendin e punës.

Në Rumani, shumë veta aludojnë që shefat jo vetëm mbledhin informacion për ta me mjete të paligjshme e të fshehta, por mandej i përdorin edhe kundër tyre.

Shantazhuar nga shefi

Asnjë punonjës rumun nuk dëshiroi të fliste hapur me BIRN-in lidhur me përvojat e tyre të monitorimit të paligjshëm në vendin e punës, duke pasë frikë që po të flisnin do të rrezikonin vendin e punës dhe do të shenjoheshin si problematikë.

Një grua mëton se u detyrua të jepte dorëheqjen pasi shefi i pa emailet e saj private që ia kishte nisë një shoqeje dhe në të cilat kritikonte menaxherin e linjës së vet.

Pasi u thirr në zyrën e shefit, iu treguan printime të emaileve private dhe iu tha se do të ishte më mirë që të largohej. Ajo pranoi një pagesë të vogël mbasi punëdhënësi e kërcënoi se do të bënte që ajo të mos gjente punë në asnjë vend tjetër.

Një tjetër, burrë i martuar, pretendon se u shantazhua nga shefja pasi ajo zbuloi se ai kishte lidhje jashtëmartesore me një kolege. Menaxherja e zbuloi këtë pasi kishte aksesuar bisedimet mes të dyve në mesenxherin e  Yahoo!-së që ishin regjistruar nga programi kompjuterik i survejimit.

Ai mëton se shefja e detyroi të kryente detyra që nuk donte me kërcënimin se do t'i tregonte të shoqes që nuk i kishte qenë besnik. Kur ai refuzoi dhe u largua nga posti, shefja i telefonoi të shoqes dhe i tregoi për lidhjen.

Të dy këta thanë se punëdhënësit nuk i kanë informuar asnjëherë se komunikimet e tyre, si ato private ashtu edhe ata zyrtare, do t'i nënshtroheshin survejimit.

Ndërkohë që është e ligjshme për punëdhënësit të monitorojnë forcën e tyre të punës, ata janë të detyruar nga ligji i Bashkimit Europian dhe ai kombëtar t'i informojnë punëtorët për këtë. Nga ana tjetër, punonjësit duhet të pajtohen zyrtarisht me survejimin. Në praktikë, kjo ndodh rrallë.

Zyrtarisht, asnjë kompani e vetme në Rumani nuk e survejon forcën e vet të punës. Punëdhënësit gjithashtu janë të detyruar nga ligji të informojnë Agjencinë Rumune të Mbrojtjes së të Dhënave (ANSPDCP) nëse e monitorojnë stafin, por askush nuk është regjistruar aty deri më sot.

Shitja e programeve lulëzon

Kjo duket se nuk përputhet me përllogaritjet e shitjeve të programeve të survejimit në Rumani, ku kompanitë IT thonë se ky biznes po lulëzon.

Tregu i programeve të survejimit përllogaritet në vlerën 1 milion euro në Rumani vetëm në vitin 2010 sipas Amplusnet, një prodhues tjetër programesh, që thekson se është një biznes që po zhvillohet me shpejtësi.

Kushtetuta rumune thotë që krejt letërkëmbimi është konfidencial por nuk bën dallim mes komunikimeve private apo zyrtare që lidhen me punën. 

Alina Savoiu, kreu i komunikimeve në ANSPDCP, thotë: “Eshtë dhunim i letërkëmbimit, që përbën veprim kriminal. Të gjitha kompanitë që janë përfshirë në praktika të tilla janë duke shkelur ligjin.”

Programet prodhuar nga kompanitë si Netsec gjurmojnë çdo veprimtari në kompjuterat e punonjësve, jo thjesht letërkëmbimin, privat apo tjetër.

Shefi mund të shohë saktësisht cilën faqe viziton, çfarë përmbajtjeje shikon, dhe krahason sa kohë kalon duke lundruar në internet me kohën që kalon duke përdorë Excel-in, Word-in apo programe të tjera zyre.

Gjykatësit që përfaqësojnë punëdhënësit shtjellojnë që ata kanë nevojë të sigurohen që punonjësit e tyre i shfrytëzojnë si duhet orët e punës dhe nuk angazhohen në veprimtari jo-produktive apo të paligjshme, si për shembull faqet pornografike apo shkarkimi i përmbajtjes së paligjshme.

Punonjësit gej “iu kërkua të largohej”

Por, siç thotë L.F. Nga Netsec, shefat mund t'i përdorin veglat e zhvilluara për monitorim të ligjshëm për të marrë informacione që mund t'i abuzojnë pastaj. Edhe faqet që vizitojnë punonjësit mund të tregojnë apo të sugjerojnë se mund të kenë probleme personale, si  për shembull probleme shëndeti apo jetë të ndërlikuara private.

Mihai Russu është një avokat nga Bukureshti që ka përfaqësuar kompanitë e përfshira në mosmarrveshje me punonjësit lidhur me privacinë. Kohët e fundit ai ka përfaqësuar një kompani mjekësore që ka monitoruar fshehtas punëtorët e vet dhe duke e bërë këtë ka zbuluar se një nga drejtuesit, që ishte i martuar, kishte vizituar faqe interneti për takime homoseksualësh. Këtij drejtuesi iu kërkua të largohej nga puna.

Ai në fillim refuzoi, duke mëtuar se kërkesa ishte diskriminuese. Në fund, u dorëzua ngaqë frikësohej se familja do të zbulonte se ishte gej.

Russu këmbëngul se orientimi seksual ishte irelevant dhe atij iu kërkua të largohej sepse “nuk po punonte tetë orë në punë”.

Megjithatë, Russu e pranon se kompania e ka shkelur ligjin ngaqë i ka monitoruar fshehtësisht punëtorët e vet.

Savoiu thotë se ANSPDCP nuk ka marrë ndonjë ankesë lidhur me survejimi e fshehtë, por ngulmon që do ta hetonin nëse do të sekuestronin paisje, përfshi kompjutera, nëse do të gjykohej e nevojshme.

Gjithsesi, ajo pranon se kanë të punësuar vetëm një ekspert të kualifikuar IT që mund të gjurmojë programet e monitorimit.

Shefat zotërojnë provat

Provimi se i je nënshtruar survejimit të paligjshëm në vendin e punës nuk është detyrë e lehtë, sepse shefat zotërojnë provat.

Nëse ANSPDCP nuk do të ishte në gjendje të hetonte, punonjësit mund të shkojnë pranë gjykatave civile, por këto nuk mund të konfiskojnë paisjet e shefave.

“A mundet që një punonjës të sjellë në gjykatë gjithë serverat dhe dëshminë në kompjuterin e vet që ai është monitoruar? Jo. Shteti do të kishte autoritetin që veç ta merrte këtë lloj dëshmie, mbështetë nga ekspertët e duhur, në rastet kriminale,” thotë Cristian Driga, avokat i specializuar në krimin IT.

“Në rastet civile, punonjësit duhet ta përballojnë koston të vetëm… shtoji kësaj edhe mungesën akute të ekspertëve të certefikuar kompjuterikë në këtë fushë,” thotë ai.

Nga ana tjetër, punëdhënësit thonë se ata duhet ta monitorojnë stafin e tyre për të mbrojtë informacione të ndjeshme komerciale dhe për të ruajtur markën e tyre.

Russu citon një rast ku një firmë reklamimi që ka përfaqësuar zbuloi, me anë të survejimit të fshehtë, që një punëtore po kopjonte databaza konfidenciale klientësh që do ta dëmtonin financiarisht kompaninë.

Ajo dha dorëheqjen pasi u përball me shefat dhe themeloi një firmë të vetën konkuruese me kompaninë e parë. Mosmarrveshja është në vazhdim dhe kompania ende po diskuton a ta hedhë në gjyq apo jo punonjësen.

Shumë ankohen por pak protestojnë për monitorimin e paligjshëm në vendin e punës, thotë avokati Bogdan Manolea (Foto: Bogdan Manolea)

Bogdan Manolea, avokat i specializuar në ligjin e internetit, beson se qeveria rumune ka dështuar në zbatimin e ligjeve të mbrojtjes së të dhënave dhe nuk ka bërë që publiku të jetë i ndërgjegjësuar si duhet për të drejtat dhe përgjegjësitë e tij.

“Autoritetet nuk e kanë bërë punën e tyre si duhet; ata nuk e kanë shpjeguar se pse është e rëndësishme kjo. Njerëzit kanë një reagim paranojak – po, interceptohemi të gjithë, por kur i pyet se çka po bëjnë lidhur me këtë, nuk dinë apo nuk veprojnë. Ka shumë që ankohen dhe pak që veprojnë,” thotë ai.

Pyetur nëse ANSPDCP ka bërë mjaftueshëm për t'i informuar shefat dhe punëtorët lidhur me rregullat, Savoiu thotë se kanë botuar ligjin rumun të mbrojtjes së të dhënave në faqen e vet të internetit.

Faqja e internetit e ANSPDCP, gjithsesi, nuk ka ndonjë përmbledhje apo guidë të aksesueshme për praktikën e mirë mbi monitorimin që mund të përdoret si nga punëdhënësit ashtu edhe nga punonjësit.

Trashëgimia komuniste ballkanike

Njerëzit shpesh nuk e kuptojnë konceptin e privacisë mbas kaq shum vitesh komunizmi, thotë Aleksandër Resanoviq, nënkomisioneri serb i informacionit (Foto: Dollores Beneziq)

Prapseprap, duket se ka pak oreks mes rumunëve dhe serbëve për t'u marrë me shefat apo autoritetet, një trashëgimi pjesërisht e sundimit komunist.

Mungesa e vullnetit për t'u përballë me punëdhënësit është gjithashtu e dukshme në Serbinë fqinjë, antare aspirante e Bashkimit Europian që më 2008 miratoi ligjet europiane të mbrojtjes së të dhënave.

Zbatimi ka qenë i ngadaltë dhe serbët duken po ashtu të pavetëdijshëm dhe të painteresuar për çështjet e privacisë në punë.

Aleksandar Resanovic, nënkomisioneri serb i informacionit, beson që njerëzit nuk e kanë kuptuar si duhet konceptin e privacisë mbas kaq shum vitesh komunizëm.

“Nuk kemi ankesa. Njerëzit thonë “kujt i plas nëse më monitorojnë?” Por kjo nuk është çështje se a ke gjerë për të fshehur apo jo. Privacia është diçka që të përket dhe je ti ai që vendos a ta lëshosh apo jo [informacionin],” thotë ai.

Bashkë me OJQ-në Partnerët për Serbinë, komisioneri po përpiqet të sigurohet që të paktën punonjësit që procesojnë të dhënat personale në firmat e mëdha të jenë të ndërgjegjshëm për ligjin.

Serbi: kush i monitoron monitoruesit?

Blazo Nedic, president i Partnerëve për Serbinë, nisi një fushatë këtë vit për të rritë vetëdijësimin por mbetet i shqetësuar se ligji nuk i kontrollon si duhet njerëzit që janë përgjegjës për monitorimin.

Dhe ka pasë disa incidente që kanë gjetë rrugën deri në shtyp, përfshi postimin në YouTube të xhirimeve të kamerave të sigurisë së policisë serbe që tregojnë një çift duke bërë seks në një parking.

Prej atëherë, policisë serbe i është kërkuar të ndjekë procedura të rrepta kur mbledh dhe proceson të dhënat nga kamerat  CCTV.

Por konfuzioni se çka është private në punë sigurisht që nuk kufizohet në Beograd dhe Bukuresht, ka raste dhe fushata të shumta anembanë vendeve europiane.

Direktiva Europiane 95/46/EC nuk përcakton kufijtë e monitorimit të paligjshëm të punonjësve, por ligjëron të drejtën e tyre për t'u informuar që do t'i nënshtrohen survejimit, u jep akses ndaj të dhënave dhe ua mundëson punëtorëve që ta kundërshtojnë mbledhjen e të dhënave nga shefat.

Britanikët u bësojnë autoriteteve

Si homologët e tyre rumunë dhe serbe, britanikët nuk duken tepër të shqetësuar lidhur me survejimin brenda apo jashtë vendit të punës.

Arsyeja se pse, gjithsesi, mund t'i habitë lexuesit ballkanikë që kanë jetuar nën sundimin komunist.

“S'kemi pasë kurrë një shtet policor si Rumania. Në një farë kuptimi, ne u besojmë autoriteteve më shum se vendet e tjera dhe nëse diçka shkon keq, kemi një sistem ligjor shum të mirë,” thotë Nicholas Lakeland, partner dhe specialist i ligjit të punësimit në firmën ligjore të Londrës Silverman Sherliker LLP.

Por ai paralajmëron se punëtorët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për llojin e informacionit personal që mund të mbledhin shefat dhe se si mund të përdoret ai.

“Kishim një rast ku punëdhënësi zbuloi se një punonjës kishte AIDS. Në industrinë e ndërtimit, punëtorët që përdorin makineri të rënda   mund të testohen për alkool... në atë rast të veçantë ata zbuluan gjithashtu se ai po merrte ilaçe që e ndihmonin për AIDS-n… punëdhënësi nuk bëri asgjë… por u krijua një situatë [potencialisht e vështirë],” says Lakeland.

Gjithsesi, disa punonjës britanikë i kanë çuar rastet e privacisë deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR), siç tregohet nga rastet Halford dhe Copland.

Më 1990, Alison Halford, oficer policie në Wirral, i akuzoi eprorët e tij për interceptim të telefonit, dhe Lynette Copland, sekretare në një kolegj në Uells, zbuloi se telefoni dhe emaili i zyrës ishin survejuar për një periudhë gjashtëmujore.

ECHR-ja e urdhëroi shtetin britanik, që i kishte të punësuar të dy, të paguante dëmshpërblime me arsye se ata gëzonin të drejtën e privacisë në vendin e punës.

Megjithatë, pavarësisht vendimeve të ECHR-së, pak gjëra ndryshuan në Britani.

“Shum punëdhënës e bëjnë [monitorimin] pa u menduar. Një punëdhënës vjen tek unë dhe më thotë “Gjej gjithë ato gjëra interesante duke shikuar emailat e punonjësve”. Dhe unë i them “Nuk u ke thënë atyre, prandaj nuk ke arsye të ligjshme për ta bërë. Thjesht po spiunon, prandaj ndalu dhe shkatërroji krejt të dhënat që ke marrë”.

“Ka shum zyra të vogla ku punëdhënësit e bëjnë këtë, ata në të vërtetë nuk e dinë ligjin, njerëzit janë kureshtarë dhe duan të dinë se çka bëjnë të tjerët. Është natyrë njerëzore por nuk është brenda ligjit”, thotë Lakeland.

Ky besim tek autoritetet pa dyshim që do të ketë pësuar të çara nga skandali i hakerimi i paligjshëm nëpër telefona i gazetës News of the World që ngriti dyshime jo vetëm për gazetarët e paskrupullt por edhe për policinë dhe politikanët.

Gjermanët kontrollojnë shtetin

Gjermanët janë thellësisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë e privacisë dhe kanë nevojë ta kontrollojnë shtetin.

Ata kanë të përbashkët me homologët e tyre të Europës Lindore një mosbesim me rrënjë të thella ndaj figurave me autoritet, e përforcuar kjo me historinë e fundit të epokës naziste dhe me atë se çka bëri Stasi në ish-Gjermaninë Lindore.

Gjermania ka pasë ligje për mbrojtjen e të dhënave në statutet e veta qysh nga vitet 1970 dhe, megjithëse legjislacioni i tyre nuk ndryshon nga pjesa tjetër e Bashkimit Europian, ata kanë miratuar rregulla shtesë.

Ndryshe nga tjetërkund, punëdhënësit ndalohen nga monitorimi i veprimtarive online të punonjësve nëse rregullat e kompanisë ua mundësojnë atyre të aksesojnë llogaritë private të emailit apo të lundrojnë në internet për qëllime personale nga kompjuteri i firmës.

Prapseprap, ka shqetësim lidhur me shkallën e monitorimit të paligjshëm.

Bertran Raum, kreu i shërbimeve shoqërore në Komisionin Federal për Mbrojtjen e të Dhënave të Gjermanisë, citon statistika të vitit 2001 që sugjerojnë që dy nga tri kompani e monitorojnë forcën e vet të punës.

“Mendoj se numri i punëdhënësve që po i monitorojnë punonjësit e vet është rritë qysh atëherë. Mendoj se një pjesë e madhe e monitorimit është i paligjshëm,” thotë ai.

Aksesimi i llogarive bankare të punonjësve

Media e theksoi vetëdijësimin për monitorimin e paligjshëm në vendin e punës në Gjermani, thotë Jan Jurczyk në sindikatën gjermane Ver.di (Foto: Dollores Beneziq)

Kishte zemëratë publike kur u bë e ditur se Deutsche Bahn, kompania kombëtare shtetërore e hekurudhave kishte monitoruar fshehtësisht punonjësit e saj për një dekadë me radhë.

Në një lëvizje për të eleminuar korrupsionin, kompania kishte aksesuar në mënyrë rutinë llogaritë private bankare të punonjësve dhe kishte kontrolluar pagesat.

Më 2009, ata u dënuan 1.2 milion euro nga komisioneri i mbrojtjes së të dhënave të Berlinit.

Rrjeti i super marketeve LIDL u gjobit më 2008 me një shumë të përafërt për angazhimin e hetuesve privatë për të hetuar stafin, përfshi survejim me video, nga komisioneri i të dhënave i North Rhine-Ëestphalia.

Ka pasë skandale të shumta të tjera mbi privacinë dhe survejimet në vendin e punës që kanë përfshirë kompani të njohura dhe që janë mbuluar nga media gjermane.

Punonjësit që kanë dyshuar se po monitoroheshin fshehtas kanë folë me shtypin dhe publiciteti pasues i ka detyruar autoritetet të marrin veprim mbi çështjen.

Jan Jurczyk, zyrtar shtypi për Ver.di, sindikata e dytë gjermane për nga madhësia, thotë se “duhet t'i falenderojmë më shum gazetarët sesa autoritetet”.

Alexander Dix, komisioner i informacionit në Berlin, pranon: “Duhet shum guxim në Gjermani të ankohesh kundër një punëdhënësi. S'mund të mbështetesh në gjykatat gjermane, ngaqë shkojnë shum vite... dhe nganjëherë nuk fiton.”

Më shum pushtet për shefat?

Pas kaq shum skandalesh, parlamenti gjerman po debaton një ligj të ri federal për të rregulluar monitorimin në vendin e punës që pritet të votohet në fund të vitit 2011. Askush nuk është i kënaqur me ndryshimet e propozuara.

Aktualisht, kompanitë duhet të kërkojnë leje si nga sindikatat ashtu edhe nga gjykatat e punës para se të instalojnë paisje survejimi. Sipas ligjit të ri të propozuar, ata duhet t'i njoftojnë punonjësit dhe të marrin pëlqimin e tyre.

“Tashti gjykatësi mban balancën mes punonjësve dhe punëdhënësit, por në projektin e ri, punëdhënësi është i vetmi që vendos kur do të monitorohet. Ai është gjykatësi,” mendon Sarah Thomé, avokate për shoqatën e të drejtave të njeriut Bashkimi Humanist.

Ajo besoj se fokusi mbi pëlqimin është çorientues, ngaqë punonjësi mund të pajtohet për çdo lloj monitorimi nga frika se nëse nuk e bën do të rrezikojë marrjen e vendit të punës.

Nga ana e tyre, punëdhënësit thonë se rregullat nuk merren me shqetësimin e tyre kryesor: korrupsionin.

Thomas Prinz, avokat pranë Konfederatës së shoqatës së punëdhënësve gjermanë, beson se nuk ka nevojë për një ligj të ri, thjesht ngaqë disa kompani kanë spiunuar ilegalisht punonjësit e tyre.

“Drafti nuk ka dispozita të qarta për parandalimin e korrupsionit. Kjo është çështja kryesore për çdo kompani gjermane,” thotë ai.

Raf Jaspers, avokat belg dhe autor i Big Brother in Europe (Vëllai i madh në Europë-shën.përk.), është i bindur se vetëm ndërgjegjësimi dhe veprimi publik do ta luftojë ndërhyrjen në privaci nga shteti dhe punëdhënësi.

“Do të jetë një luftë e gjatë për t'i bindë masat. Privacia nuk është si puna apo ushqimi, që të mungon sapo nuk e ke,” paralajmëron ai.

Për t'u kthyer në Rumani, specialisti IT L.F. I ofron punonjësve një këshillë të thjeshtë: “Mos harroni se kur e ndez kompjuterin nuk jeni vetëm dhe asnjë fjalkalim, sado i ndërlikuar të jetë, nuk mund ta bllokojë programin e monitorimit.”

Dollores Benezic është gazetare nga Bukureshti. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik

Topic

Topic 2011: Justice

The topic for this year’s programme is justice and fellows are investigating subjects as diverse as privatisation, organised crime, employment law, rape convictions and extradition treaties.

Diary

19 Dec 2011 / 16:56

Alumni Funding: Opportunities for Years to Come

Altin Raxhimi
19 Dec 2011 / 16:44

‘A Perfect Opportunity to Take Your Story a Level Further’

Nikoleta Popkostadinova
09 Nov 2011 / 10:41

The Fellowship: ‘It Was Worth It!’

Juliana Koleva
23 Sep 2011 / 12:38

Macedonia’s American Dream

Slobodanka Jovanovska
22 Sep 2011 / 09:55

EU Rules Benefit Croatian Jobseekers

Ruzica Matic
20 Sep 2011 / 10:51

The Fellowship Endgame

Jelena Kulidzan
14 Sep 2011 / 10:45

Sofia’s Schengen Compromise

Juliana Koleva
12 Sep 2011 / 12:44

The Story Ends, Almost

Elira Canga
08 Sep 2011 / 10:30

The Final Countdown

Dollores Benezic
03 Aug 2011 / 11:29

UK Rape Survivors Demand Justice

Jelena Kulidzan